Shef Xhema, kuzhinieri 20 vjeçar i vipave shqiptarë
Dritare.net
Nga Dritare.net
Xhemal Hoxha, është prej një viti, kuzhinieri më i famshëm në Tiranë. Ai jo vetëm gatuan për vipat shqiptarë, por edhe është më i preferuari i tyre, sepse ka një sekret. Shef Xhema buzëqesh si askush tjetër.
Të gjithë habiten nga pjatat që ai krijon, asnjëherë monotone, gjithmonë ndryshe nga gjithçka tjetër në kryeqytet. 20 vjeçari për afro një vit është shefi i kuzhinës në restorantin e vetëm vegan në Shqipëri, “Veggies Tirana”. Dhe kush ka provuar kuzhinën e tij, është bindur se kuzhina vegane nuk të mërzit kurrë, sepse nuk ka ditë me pjata njësoj. Nuk e beson? Shko provo pjatat e shefit vegan.
Xhema është i apasionuar për gastronominë dhe kulinarin dhe gjithçka e lidh me shijen, me shijen e mirë, të veçantë, por mbi të gjitha të shëndetshme. Ashtu janë edhe recetat e tij të Veggies, me ngjyra, të larmishme dhe me produkte të veçanta.
Por rrugëtimin e tij drejt kuzhinës, e ka nisur krejt ndryshe, në një restorant në kryeqytet, ku produkti bazë ishte mishi.
“Futja në fushën e gastronomisë dhe kulinarisë nisi pas përfundimit të shkollës 9 vjeçare. Shijimi i pjatave të shumta në restorante të ndryshme brenda Shqipërisë, bëri që brenda meje të lindte pasioni.
Kishte raste kur mendoja, duke ngrënë, se unë atë pjatë të caktuar do ta bëja ndryshe, do të shtoja një element tjetër, ose edhe dekorin sesi ta paraqisja. Sa më shumë që lëvizja në restorante, aq më tepër bindesha që kjo ishte rruga që unë doja të ndiqja.
U regjistrova në shkollën Hoteleri-Turizëm, aty unë mësova hapat e para në kuzhinë, që nga mbajtja e thikës e deri në realizimin e plotë të një pjate të këndshme. Kur isha 16 vjeç, fillova si praktikant në një resort në kryeqytet, ku baza e kuzhinës ishin produkte mishi. Ndërkohë më pas bëra një sezon në një restorant peshku në Dhërmi. E njihja shumë mirë përgatitjen e mishit e të peshkut.
Kur u ktheva në Tiranë, pas sezonit të verës, doja shumë që të provoja një eksperiencë të re dhe të mësoja pjata ndryshe. Në atë kohë sapo ishte hapur restoranti i parë vegjetarian në Tiranë dhe menjëherë shkova të aplikoja për punë. Aty takova Inën, pronaren e Veggies Tirana, që në fillim i thashë që unë kam punuar shumë me mishin, por gastronomia është shumë e larmishme, ndaj dua të mësoj gjëra të reja e t’i praktikoj. Me pak fjalë, doja të isha pjesë e asaj kuzhine. Ina besoi tek unë dhe menjëherë nisa punën.”
Ushqyerja vegjetariane dhe veçanërisht ajo vegane, është ende e re për ne shqiptarët. Por, kohët e fundit, e ndikuar edhe nga restoranti i vetëm i dedikuar këtij stili ushqyerje, Veggies Tirana, njerëzit kanë nisur të njihen pjata të reja dhe të largohen disi nga mishi. Njëjtë është edhe Xhema vetë, i cili nga një mishngrënës besnik, është duke u kthyer në një vegjetarian të shëndetshëm.
Pasi, siç edhe ai thotë për dritare.net, qëllimi nuk është që njerëzit të kthehen në vegjetarianë apo veganë, por të hanë shëndetshëm, dmth pa mish.
“Dhe ne të Veggies dimë shumë mirë të bëjmë pjata të shëndetshme e shijshme, që edhe klientët të mos e ndjejnë mungesën e mishit.
Me gjërat e reja, kaq të bukura dhe misterioze që lidhen me fushën e vegjetarianëve dhe veganëve, pothuajse të bën të harrosh mishin dhe të jesh në një botë tjetër.
Çdo ditë unë jam duke studiuar, duke parë e mësuar receta të ndryshme të shefave botërorë që përgatisin menu vegjetariane dhe vegane. Ndaj edhe ne jemi gjithmonë në kërkim dhe nxjerrim pjata të reja për klientët tanë.
Njoh shumë klientë, që kanë qenë mishngrënës, e tani janë klientë të rregullt të Veggies, e vijnë hanë drekën aty. Përderisa një mishngrënës aq i madh, vjen te Veggies dhe ha vaktin e drekës, kjo do të thotë shumë, sepse nga dje që hante mish çdo ditë, sot të paktën në një vakt është vegjetarian. Nesër mund të bëhen dy vakte, e kështu me radhë.”
Si shumë trende të reja “in”, të parët që e kanë përqafuar veganizmin janë vipat. Dhe personazhet tona publike nuk mund të qëndronin larg, të paktën pa provuar njëherë një pjatë te Veggies, për të mos ikur më prej aty. Sepse kombinimet që bën shef Xhema, janë aq të shijshme dhe të veçanta, madje edhe dietës te Veggies, çdokush i hyn me qejf.
“ Nutricionistja sheh nëse klienti ka intolerancë ndaj një produkti, ma komunikon mua e më pas unë ato produkte i shmang në menunë e dietës së tij. Gastronomia është aq e larmishme saqë të jep shumë mundësi që ti çdo ditë të krijosh pjata të reja dhe ai klient që është duke ndjekur dietën, të mos mërzitet me ushqimin.
Freskia e produkteve vlerësohet shumë nga klientët, pasi çdo gjë përgatitet në moment. Gjithashtu çdo gjë që ne gatuajmë, çdokush mund ta shohë. Unë çdo klienti që vjen në Veggies, jo vetëm ia krijoj në çast ushqimin, por edhe ia shërbej vetë , pasi duke qenë gjëra të reja, ata shpesh më pyesin se çfarë produktesh janë. Më shumë se gjysma e produkteve që përdorim aty janë të panjohura, për shumicën, si topinambur, pastërnaku, fara brazili, e shumë të tjera. Këto produkte na bëjnë që ne t’i japim aq shumë shijeve produkteve, saqë të plotësohen të gjitha dëshirat e mishngrënësve, që ato mos të kenë mall për mishin.
Vipat që vijnë te Veggies janë të shumtë, aq sa ndonjëherë kur i shoh në televizor, ndjehem krenar me veten, që ky personazh ka ngrënë nga duart e mia. Janë shumë emra, si Amarda Toska, Ermal Mamaqi, Saimir Kodra, Xhemi Shehu, Aulona dhe Fatma, Arbana Osmani, Jonida Vokshi, Olta Gixhari, Arlinda Dudaj e shumë emra të tjerë. Por nuk mburrem vetëm me ta, por me çdo klient për të cilin gatuajmë, sepse për një kuzhinier, çdo klient është një vip, një person shumë i rëndësishëm.”
Pasionit të madh për kuzhinën, i është shtuar edhe dashuria për Veggies, një vend i vogël në mes të Bllokut, por me qëllime të mëdha, e me klientë besnikë e të shëndetshëm. Tani për të, e vetmja vështirësi në punë është mungesa e konkurrencës.
“Në një farë mënyre ne jemi në konkurrencë me veten, çdo ditë nxjerrim gjëra të reja që i krahasojmë me ato që kemi bërë vetë ne,” thotë për dritare.net Xhemali.
Si pasurinë më të madhe konsideron bllokun e tij me receta, të cilin e sheh çdo ditë, pasi çdo recetë e vjetër e frymëzon për të krijuar një të re.
“Ato receta që unë kam mësuar, apo edhe krijuar vetë, që prej kohës që nisa shkollën, unë i ruaj në një bllok. I cili çdo ditë e më tepër po shtohet me receta të reja e shumë të larmishme.
Më pëlqen shumë të eksperimentoj, madje kur jam në shtëpi, vendi im është kuzhina. Ndonjëherë në bashkëpunim me mamin, e herë të tjera vetëm. Mamit i kam lënë të merret me përgatitjen e mishit, ndërkohë unë nuk ndahem dot nga përgatitja e recetave të reja për Veggies.”
Xhemali ndan me lexuesit e dritare.net një prej sekreteve të kuzhinës së Veggies, në mënyrë që produktet ushqimore të ruajnë vlerat e tyre dhe të jenë të shëndetshme.
“ Nëse vendosni të konsumoni frutat e thata në mëngjes, është shumë e rëndësishme të jenë vendosur në ujë gjatë natës, sepse në këtë mënyrë i përthithni 100% të gjitha vlerat ushqyese që ka fruti i thatë.”
Nuk i pëlqen të quajnë shef, thotë që është ende i vogël për ta marrë këtë titull. Por, të gjithë që kanë ngrënë prej duarve të tij e dinë shumë mirë, që 20 vjeçari me duar ta arta dhe sy gjithë gaz është i mrekullueshmi shef Xhema i Veggies./ dritare.net