Por më herët më 24 prill, një zyrtar i lartë ushtarak i SHBA-së, u tha gazetarëve në Kabul, se Rusia po i furnizon me armë automatike militantët talibanë. Rusia mohon se u ofron mbështetje të tillë talibanëve. Moska thotë se kontaktet me talibanët janë të kufizuara. Sekretari Mattis, kur u pyet për aktivitetin e Rusisë në Afganistan tha se Uashingtoni është i shqetësuar me raportimet për furnizmin me armë të talibanëve. Ai tha se Uashingtoni “do të angazhohet me Moskën në mënyrë diplomatike”, kudo që mundet. Por Mattis tha po ashtu se SHBA do të “përballen me Rusinë, kur Moska do të bëjë shkelje të ligjeve ndërkombëtare apo të mohojë sovranitetin e vendeve të tjera”.
“Për shembull, çdo armë që sillet këtu nga vendet e huaja është sheklje e të drejtës ndërkombëtare”, tha Mattis. Mattis qëndroi të hënën në Afganistan në një vizitë të paparalajmëruara. Ai është zyrtari i parë i administratës së Donald Trumpit që viziton Afganistanin. Mattis gjatë kësaj vizite, u takua me presdientin afgan Ashraf Ghani dhe zyrtarë të tjerë qeveritarë.