Rudina Xhunga: Nuk më pëlqeu që Kurti anuloi takimin me Veliajn, me Ramën do ta gjejnë gjuhën e bashkëpunimin shumë shpejt
Dritare.net
E ftuar si çdo të martë në rubrikën “Opinion”, në News24, Xhunga tha se takimi mes Albin Kurtit dhe Edi Ramës ishte pozitiv dhe se ata shumë shpejt mund të gjejnë rrugën e bashkëpunimit në të mirë të dy popujve.
Më tej, gazetarja Xhunga vlerësoi negativisht vendimin e Kurtit për të anuluar takimin me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, duke u shprehur se në politikë nuk mund të bëjmë çfarë dhe si duam, pasi sipas saj “Në shtet e pushtet nuk ka njerëz që i do ose jo, por të duhen dhe u duhesh."
“Më pëlqeu që Albin Kurti erdhi si kryeministër, që t’i shoh bashkë Ramën dhe Kurtin, dy politikanë të ndryshëm dhe të ngjashëm, që prodhojnë kimi më shumë, seç ka prodhuar Rama dhe Haradinaj ose Rama-Thaçi. Shoh më të mundshëm e më të frytshëm bashkëpunimin e Ramës me Kurtin. Nuk e dallova fare ironinë, kur Rama i tha se është i ri, pasi Kurti është vërtet i ri, do t'i duhet të hapë karta e dollapë dhe të shohë se çfarë ka, fsheh dhe mban pushteti. Mezi e pres një treg shqiptar, siç është ai i Shqipërisë dhe Kosovës. Ne jemi keq, secili në mënyrën e vet, sepse jemi të ndarë”, u shpreh gazetarja.
Gazetarja: Si i sheh mbledhjet e Shqipërisë me Kosovën?
Rudina Xhunga: Mbledhjet e qeverive nuk kanë prodhuar dot bashkëpunimin mes nesh, kanë qenë formale. Pa u bërë bashkë, nuk do bëhemi kurrë të aftë për t’u zhvilluar. Bashkimi sjell zhvillim, është ekonomik, financiar. Bashkë zhvillohemi. Ajo që më bëri përshtypje, pashë shkrimet e gazetarëve që thanë një vizitë me tensione, unë nuk e shoh me këtë sy, nuk pashë tension, secili ka idetë e veta. Rama flet për Minishengen Ballkanik, Albin Kurti flet për Makroshengenin Shqiptar, të gjitha bashkohen në një pikë. Kanë ide të ndryshme, që nuk kanë pse të mos gjejnë pikëtakime. Ata nuk janë në garë. Ne ngjajmë në të këqijat tona, kemi korrupsion galopant, nepotizëm të frikshëm, kemi edukuar vesin sa na duket virtyt, por mund të gjejmë edhe pika të mira për të ndarë jo vetëm të këqija.
Një tjetër moment që më bëri përshtypje ishte anulimi i takimit me Erion Veliajt. Albin Kurti nuk është Albini, por kryetari i Kosovës dhe Veliaj është kryetari i Tiranë, nuk është shoku. Në shtet e pushtet nuk ka njerëz që i do ose jo, por të duhen dhe u duhesh. Ti mund të mos duash ta takosh, por je i detyruar. Më 98-ën Shqipëria e Fatos Nanos përdori shprehjen ‘nuk bëhemi me as, por, edhe, edhe..’. Albin Kurti ka çfarë mëson nga kjo.
Gazetarja: Si do e parashikoje bashkëpunimin Rama-Kurti?
Rudina Xhunga: E parashikoj shumë të mirë, ka shumë të ngjarë që të jetë i mirë, që mbledhja në Shkodër të prodhojë. Ka shumë të ngjarë që Rama e Kurti të gjejnë gjuhën siç nuk është gjetur me kryeministrat e tjerë. Rama nuk ishte i ngjashëm me Haradinajn, ai qe më tepër i ngjashëm me Metën. Edhe me Thaçin u afrua, pasi ia mori Berishës. Kurti është me ideologjik se Rama, por unë shoh shumë bashkëpunim me tyre se afërmi.
Gazetarja: Padia e Ramës ndaj Haradinajt…
Rudina Xhunga: Mund edhe të mos e bënte, por Rama nuk e ka bërë vetëm me atë, ka paditur edhe gazetarë, politikanë. E ka zgjedhur këtë mënyrë. As e duartrokas, as e mohoj, është mënyra e të bërit të gjërave të tij. Do të doja të kishte pasur një marrëdhënie më të mirë, çdo kryeministër i Shqipërisë me Kosovën, s’do doja të kishin një marrëdhënie kaq të tensionuar. Tani nuk është më Haradinaj, uroj që Rama të gjejë gjuhën me Kurtin, sepse ata janë të përkohshëm dhe gjetja e gjuhës është e detyrueshme. Çdo hap që hedhin për bashkimin është hap që do ua dinë për borxh brezat e ardhshëm dhe historia. Unë flas me shumë dëshirë për bashkimin, sepse jam nxënëse e Arbër Xhaferajt dhe Rexhep Qosjes. Mungon një këmbë, një dorë, e si i tillë nuk funksion si duhet.
Gazetarja: Çfarë nënkupton kryeministri Albin Kurti kur thotë “Markoshengeni shqiptar”?
Rudina Xhunga: Bashkimin! Albin Kurti flet për bashkimin, që si ai dhe shumë të tjerë e duan, por që nuk e kemi në dorë. Ne kemi në dorë të shkojmë në fundjavë në Brezovicë, ne hamë drekën në Prizren, të shijojmë shfaqje ne Prishtinë. Të njihemi, dashurojmë dhe martohemi e bëjmë fëmijë me njëri-tjetrin, të bëjmë tregti, te bëjmë rrugë, por kufijtë nuk i heqim dot, sepse e kanë në dorë ata që çliruan Kosovën dhe ata që po mbikëqyrin Shqipërinë. Ne kemi në dorë të bashkohemi virtualisht, sepse fizikisht as Rama, as Kurti nuk mundet./Balkanweb