Gazetarja Rudina Xhunga e ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24” u shpreh se mbyllja e llotove ka qenë lajmi më i mirë i vitit që po lëmë pas. Xhunga u shpreh se shpreson që viti 2020, ta gjejë Shqipërinë me sa më shumë biznese të ligjshme dhe t’i jepet fund paligjshmërisë.
“Më në fund u bë një restorant aty te komuna e Parisit, e pashë sot, para se të vij këtu e ndjeva vërtetë kënaqësi që u mbyllën llotot e sportit dhe ky ka qenë lajmi për mua gjatë vitit dhe në vend të tyre u hapën dyqane, besoj të vogla që mbase nuk do ia dalin. Mbase do të falimentojnë, por së paku na krijuan idenë se bizneseve të paligjshme, bizneset e pandershme nuk mund të jetojnë gjithmonë. Ka një moment që do iu thuhet “ndal” e ky është besimi im më i madh, që Shqipëria e vitit tjetër të mund të ndihmojë bizneset e ligjshme, të mund të ndihmojë njerëzit që punojnë, të mund të ndihmojë turizmin dhe t’i thotë përfundimisht “jo” drogës, t’i thotë përfundimisht jo parasë të pistë, t’i thotë përfundimisht jo parasë së krimit, e cila sado të riciklohet, nuk do bëjë dot asgjë që qëndron gjatë. E vetmja që qëndron gjatë dhe të mban në jetë shëndoshë e mirë është puna jote. Uroj shumë që kjo të ndodhë vitin tjetër”, tha Xhunga.
Rudina Xhunga theksoi se në lagjen ku banon, në atë vend që dikur kishte lloto është hapur një dyqan lulesh dhe se blen shpesh herë aty. Sipas saj, vendi ynë ka nevojë për sa më shumë frymëmarrje të biznesit të ndershëm.
“Jetoj në një zonë, që për gjatë gjithë kohës, që kur kam shkuar të jetoj në atë shtëpi, më është dashur t’ia shpjegoj fëmijës tim, pse ka kaq shumë lloto sporti. Fëmija im më tha kush janë ata burrat që hyjnë aty e i kam thënë se janë budallenj. Pse janë budallenj, thotë ime bijë? Sepse i thashë janë ca burra që kujtojnë se do të bëhen të pasur se futen aty, por në fakt lënë edhe lekët e fundit që kanë. Ke të drejtë, thotë ajo dhe i shikon kështu, i sheh me dëshpërim. Tani në vend të atyre llotove, në lagjen time ka dyqane. I pari u bë një dyqan lulesh. Unë u gëzova shumë dhe blej lule gjithë kohës. Ble lule dhe them dashtë Zoti nuk falimenton ky dyqani, thashë t’i blejnë edhe të tjerë. Më gëzon fakti që një djalë i ri hapi një dyqan në vend të një lloto sporti. Pastaj a djem të tjerë që shisnin në rrugë krijuan aty një market të vogël dhe në atë vend gjithë Komuna e Parisit blen. Ishte lloto sporti dikur. Dhe ishte një nga llotot më të mëdha, që deri tani ka qenë e mbyllur, në pritje për t’u hapur”, deklaroi Xhunga./Balkanweb