Rruga e kombit dhe opozita në paketën e koncesionit
Dritare.net
Ka kaluar në surdinë lajmi se Florin Onuzi, një nga demonstruesit në protestën e tunelit të Kalimashit i cili ishte një ndër katër që është arrestuar dhe ende mbahet në burg, është liruar pasi ka pësuar infarkt. Mosha e tij 35 vjeçare nuk e bën kontigjent të një sëmundjeje të tillë. Por raste mjekësore ka. Natyrisht që ia kanë rënduar gjendjen psikologjike mbajtja në burg, mendimet për familjen dhe e ardhmja e tij dhe e familjes.
Të parët që e publikuan ishte dritare.net dhe pastaj dy portale të tjera Syri.net dhe Panorama. Por askush nuk u ndje nga shoqatat humanitare apo OJQ-të që marrin fonde për këtë punë. Çuditërisht nuk u ndie as opozita.
Mbase do të duhej që kritika ti drejtohej qeverisë si përgjegjësja direkte e gjendjes së postprotestës, por në fund të fundit ajo është në të drejtën e vet juridike dhe politike: U bë një protestë të cilën ajo e shtypi dhe duhet që të bëjë disa individë shembuj që të mos ti shkojë në mend të tjerëve ta ripërsërisin. Në arrestime bëri kujdes që mos të ndalonte kontigjente që janë të njohura si mbështetës të deklaruyar të PD-së, të cilët i akuzoi në momentet e para pas proteste. Ata që mbetën, ishin disa fatkeqë nga provinca që nuk iu del njeri për zot.
Pavarësisht zhurmës, ka shumë gjasa që taksa do të rivendoset. Por në ndryshim nga hera e parë, këtë rradhë goditja ngjan më e kordinuar. Qeveria dhe konsorciumi Kastrati & Salillari duket se i kanë marrë masat që opozita mos të ndihet këtë rradhë. Të vetmit që flasin janë tropojanët dhe kuksianët, ata që kanë mbetur në ato zona
Opozita kryesore ka pesë javë që merret me një mitoman që çfarë flet një herë nuk e përsërit të dytën. Bëri edhe një protestë dhe ditë me rradhë militantët e saj merren me Fatmir Xhafën. Ndërkohë një nga koncesionet më të mëdha për nga shuma (400 milion euro) që do duhet të paguajnë shqiptarët me shtrirje kohore më të gjatë se gjithë paraardhësit (30 vjet) po kalon pa u bërë zhurmë. Tregtari më i madh i naftës dhe sipërmarrësi më i madh i tenderave qeveritarë do të jenë përfituesit e tij. Ngjan se i kanë mbyllur punët me qeverinë. Dhe ndoshta edhe me opozitën e cila duket se është e përfshirë në paketën e koncesionit./dritare.net