Rrëfimi i Erjon Selimaj, që po kërcënon me vetëvrasje: Jeta ime nga befotrofet nëpër burgje
Dritare.net
Erjon Selimaj po kërcënon sot me hedhjen nga vinçi. Pavarësisht tentativave për të negociuar, për ta zbritur, ai vazhdon të këmbngulë që zëri i tij të dëgjohet. Ai thotë se duan ta fusin në burg, se e akuzojnë se ka rrahur babain. Në këtë intervistë të hershme, Erioni tregon se si është braktisur nga nëna, pas dhunës së ushtruar nga babai, si dhe jetën e vështirë që ka kaluar.
Ja rrëfimi i plotë që Erioni ka dhënë për BW, në emisionin "Njerëz në Fokus":
Kam 24 vjet që jetoj vetëm, që në moshën 1 vjeç. Jam rritur nëpër befotrofe, konvikte, në burgje. Babai im e dhunonte mamanë se ishte shumë xheloz dhe mamaja ime u detyrua të na braktiste të 3 ne si fëmijë dhe u largua. Babai na çoi në jetimore. Më vonë e tërhoqi vëllain tim të madh për ta mbajtur vetë dhe ai vdiq në 97-ën. Babai im pastaj kaloi në një gjendje…u sëmur dhe sot është në një spital psikiatrik.
Nga fshati unë përfundova në një befotrof me fëmijë të vegjël, foshnje. Vinin familje që të më adoptonin, mua nuk më la plaku që të ikja. Mua mu dha një mundësi që të ikja në Kanada. Pastaj pas befotrofit, 7 vjeç erdha në shtëpinë e fëmijës në Tiranë, për të vazhduar shkollën. E mbarova 8-vjeçaren me rezultate shumë të mira pastaj ika në konviktin e Vlorës, tek shkolla tregtare me bursë nga shteti. Aty jeta e konviktit, edhe vetëm, jo libra, jo rroba nuk kisha mbështetje dhe u detyrova ta lija shkollën në vit të dytë. Pastaj përfundova në burg. Doja edhe unë si të gjithë njerëzit të kisha dhe unë lekë, të blija një çantë, një diçka se ma bënin njerëzit me gisht dhe mua më vinte rëndë dhe përfundova në burg. Vodha një kuletë. Kam bërë burg 4 herë, njëherë se vodha 2 paketa Slims.
Prindërit e mi nuk janë kujtuar asnjëherë për mua. Unë jam kujtuar. Para 2 vitesh kam shkuar ta takoja babanë tim. Doja t’i krijoja jetesën babait, po rashë prapë në burg. E mendoja gjithmonë me vjedhje. Ashtu u rrita unë, u bëra kriminel. Nuk do vidhja bankë po ndonjë 5-milionsh. Më bluante mendja që duhet të bëja diçka që të ndihmoja babain. Se thosha ai është në vdekje dhe dua ta ndihmoj. Sot është 70 vjeç dhe është në spitalin e Psikiatrisë në Vlorë. U rifuta në burg. Dola dhe jam rehabilituar. Më 22 shtator 2015 dola nga burgu dhe gjithë këtë kohë jam marrë me babain, e çova në spital. Dola në televizor dhe kërkova ndihmë se nuk më ndihmonte asnjëri.
Kam folur me mamanë por nuk është i interesuar për mua. Ajo ndodhet në Itali, ka krijuar familje. Nuk ka kuptim të më marrë tani. Unë pres të më marrë. Por nuk mundohet as të më ndihmojë, asgjë, pavarësisht se e di se çfarë kam kaluar. Kam kërkuar ndihmë tek Prefektja, shërbimi social, kryetari i bashkisë, por asnjë nuk më ka ndihmuar. Dua ta marr babanë tim nga spitali, do shkoj tek kryetari i bashkisë të kërkoj një banesë që të strehohem me babain e të gjej një punë që të jetoj. Unë di të bëj shumë gjëra se më ka mësuar jeta. Si elektricist, hidraulik, di dhe gjuhë të huaja, anglisht dhe pak italisht. Kam kontaktuar edhe tek zyrat e punës, si bojaxhi po nuk më ka marrë njeri në punë.