Rrëfehet gruaja e parë, Ivana: Ju tregoj Donald Trump
Dritare.net
“Raising Trump” është libri i ri me kujtime, i Ivana Trump, bashkëshortja e parë e Presidentit aktual të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.
Në këtë libër biografik, Ivana rrëfen jetën e saj duke nisur nga arratisja nga vendlindja e saj, deri tek takimi me mashkullin e pushtetshëm, ndarja me të dhe raportet e tyre sot.
Mirëpo fokusi kryesor i këtij libri janë tre fëmijët e saj me Donald dhe marrëdhëniet që ajo ka me ta. Të rritësh fëmijë Trump nuk ka qenë e lehtë, por ata janë krenaria e Ivanës. Ja çfarë shkruan ajo në librin e saj për to:
“‘Të rrisësh fëmijë Trump’, nuk është aq e lehtë sa të tjerët e mendojnë. Jam e sigurt se shumë njerëzit e thonë këtë gjë, që fëmijët e Trump-it janë rritur mes luksit e parasë, por në fakt është e kundërta. Unë kam qenë një nënë që i kam trashëguar fëmijëve vlerat e punës, e jo të kartave të bankës, siç bëjnë rëndom fëmijët e pasanikëve, që nuk ka gjë më të keqe kur i sheh aq të llastuar, e nuk dinë gjë tjetër në jetë përveçse të hanë me lugë floriri, në kurriz të prindërve të tyre. Ky nuk është rasti i tre fëmijëve të mi, të cilët kanë dëshmuar në çdo dalje të tyre publike, vlerat dhe virtytet që kanë. Leksioni më i rëndësishëm i jetës për njeriun është besnikëria, ndershmëria dhe vetëbesimi. Pikërisht për këtë pasuri kam luftuar tek fëmijët e mi që, fatmirësisht, më bëjnë vetëm krenare.
Çdo ditë më pyesin njerëzit si kam arritur të rris fëmijë kaq të mrekullueshëm. Nuk kishte kënaqësi më të madhe për mua të dëgjoja kandidaten rivale për President, të thoshte përpara miliona njerëzve sa fëmijë inteligjentë e të jashtëzakonshëm ka rivali i saj, në një kohë kur përpiqej t’i gjente njëmijë e njëqind të zezat, siç ndodh zakonisht në arenën politike, apo në garat presidenciale, në këtë rast. Hillary Clinton tregoi veçse një të vërtetë, pasi askush nuk mund t’i heqë atyre dritën që ata rrezatojnë, duke nisur nga intelekti dhe edukata, e kjo meritë më përket mua, është shpërblim i dedikimit tim me kohë të plotë ndaj tyre.
Sigurisht që Donald Trump ka qenë një mbështetje e madhe financiare për ne, por nuk ka dashur të dijë më shumë, jo se nuk kishte dëshiruar, por ka qenë gjithë kohës në punë, nga mëngjesi deri në mbrëmje. Paraja nuk është gjithçka për fëmijën. Ta bën jetën më të thjeshtë, por kurrë më të bukur nëse nuk ia di vlerën dhe ta fitosh atë vetë. Pikërisht për këto merita e kam fjalën, që kam qenë një nënë e dashur, por edhe strikte. Kërkesa e llogarisë nuk ka munguar kurrë, madje fëmijët e mi nuk kanë pasur kurrë të drejtë që paratë t’i harxhonin pa karar.
Ky libër kryesisht i dedikohet atyre, fëmijëve të mi. Kam miliona arsye ta bëj, janë e gjithë jeta e pasuria ime. E gjithë bota, pati rastin t’i njihte teksa mbështesnin babanë e tyre gjatë fushatës, e kjo do të thoshte shumë për ata dhe për vetë Donald Trump-in, madje me bindje të plotë e pohoj, që vajza ime Ivanka ka luajtur një rol të rëndësishëm në fitoren e babait të saj. Votuesit e të gjithë qytetarët amerikanë e admirojnë për mirësinë dhe besimin që Ivanka rrezaton dhe përcjellë. Ku i dihet, ndoshta një ditë mund të jetë Presidentja e parë femër e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Nuk ka ditë që nuk më pyesin se cili është sekreti për të rritur fëmijë kaq të suksesshëm, por unë kam vetëm një përgjigje: “Mos gënjeni, mos e mashtroni tjetrit prapa shpine, të mos vidhni dhe mos përdorni gjëra të këqija si duhani, alkooli dhe droga”. Asnjëri nga fëmijët nuk i njohin këto vese, prandaj gjithmonë i kam shtyrë drejt sporteve dhe artit,” shprehet Ivana në këtë libër.
Ndërkohë Ivanka, vajza e vetme e familjes, i shkruan këtë dedikim nënës së saj:
“Jam tepër krenare për nënën tonë dhe shumë e lumtur që ka shkruar këtë libër sepse ajo është një nënë shembullore, një mësuese për ne dhe një frymëzim për të gjithë.”shkruan Ivana, informon Dritare.net
Ivana tregon në këtë libër gjithashtu për vështirësitë e jetës, kur iu desh të largohej nga regjimi komunist në vendlindjen e saj, Republikën Çeke. Një periudhë e errët, kur e vetme dëshironte të arratisej diku gjetkë, e aq më mirë nëse do e ndante në mes një oqean, për të harruar disa plagë në zemrën e saj, si vdekjen e të dashurit Jiri, si pasojë e një aksidenti automobilistik. Ivana si sportiste profesioniste e skive, nuk e pati të vështirë të arratisej, informon Dritare.net. Pas disa viteve në Montreal të Kanadasë, fati i shkëlqen dhe ajo shkon si modele në kryeqytetin e botë, Nju Jorkun. Atje njohur njeriun më të rëndësishëm të jetës së saj, por njohur edhe zhgënjimin. “Vajza e spektaklit” siç e quan qëllimisht gruan që i prishi martesën, Ivana as sot nuk e ka falur. Një ditë, ndërsa ndodhej në Aspen me fëmijët, “vajza e spektaklit” e ndal dhe i thotë se është e dashuruar me bashkëshortin e saj. Ja si e kujton Ivana këtë episod që i ndryshoi jetën:
“Unë njihja shumë njerëz nga komuniteti i skive, kisha edhe shumë kontakte, e patjetër do e gjeja një zgjidhje për tu sistemuar në një shtet tjetër, e kisha kaq të domosdoshme. Për fatin tim të mirë unë kisha një hallë në Montreal të Kanadasë. Atje ajo jetonte me bashkëshortin e saj dhe u them nëse më prisnin dot në shtëpinë e tyre, pasi kisha në mendje të lëvizja shpejt e më duhej një vend ku të akomodohesha. Ata të dy më ftuan e më pritën dhe kështu nisi aventura ime. Shkoj atje, ata dalin më presin me kënaqësi e për aq kohë sa qëndrova me ata, diku një vit e gjysmë, vetëm dashuri më kanë dhënë. Por fati i mirë po më ndiqte dhe rastësisht, një ditë, takoj një grua të mbajtur e të veshur mirë. Ajo më prezantohet si një nga agjentet e “William Morris”. Ky takim më hapi një derë të re për të punuar për kompaninë e tyre në Montreal. Sa u gëzova, veçse duhej të lëvizja sërish. Isha vetëm 26 vjeç.
Në Montreal jetonte edhe George, shoku më i dashur i fëmijërisë sime. Ai jetonte me familjen e tij atje dhe u ritakuam pas shumë vitesh. Ai kishte ngritur një resort pushimi dimëror për ski dhe si kampion i këtij sporti, s’më habiti aspak fakti që ishte bërë dhe një biznesmen i suksesshëm, duke balancuar pasionin e tij të madh për këtë sport me biznesin. George e kisha një mbështetje morale dhe ndjehesha më e lumtur, që më në fund e gjetëm njeri-tjetrin, qoftë dhe për të kujtuar kohën e lënë pas në vendlindjen tonë. Fundjavat i kalonim bashkë për aq kohë sa kisha mundësi sepse unë flisja shumë pak gjuhën angleze dhe asokohe mu desh të bëja kurs anglishteje pasi e kisha të vështirë të komunikoja. Ditë e mia ishin të zëna, modë dhe shkollë për gjuhën. Synimi im ishte t’i bëja shkëlqyeshëm të dyja, për aq kohë sa kisha dhe komoditetin e qëndrimit tek shtëpia e George dhe familjes së tij, që u kujdesen shumë. Kjo qe një ndihmë për mua sepse emigrimi për një femër, e vetme, nuk është i përballueshëm lehtë në vend të huaj. Por fillimi për këdo është i vështirë. Si natyrë isha gjithmonë optimiste dhe ëndërroja për gjëra të mëdha. Një ditë grupi ynë i modeleve të kompanisë në Montreal ftohet për një “Fashion Show” në Nju Jork. Kur më thanë shoqet, u gëzova se do shihja më në fund kryeqytetin e botës e të dritave. Ishte një dashuri me shikim të parë Nju Jorku, ishte spektakolar në sytë e mi, ato taksitë e verdhë që vetëm nëpër filma mund t’i shihje, ndërtesa gjigande që rrëzëllenin drita, diskotekat, qendrat tregtare, restorantet, ritmi dhe diversiteti i njerëzve, e gjithë kjo ishte një adrenalinë e pastër. Mendoja se Montreali ishte vendi më i bukur deri atë moment, por jo, Nju Jorku më rrëmbeu që momentin e parë.
Udhëtimi ynë kishte të përfshirë gjithçka, fjetjen, ushqimin. E kujtoj si tani hotel “Americana” në Avenue 7, një ndërtesë me 53 kate. Një natë para sfilitatës së modës, si grup që ishim, me gocat e ca miq të tjerë dalim për darkë në një restorant. Unë e veshur me një fustan të shkurtër të kuq, me taka, flokët e drejta e të gjata, e në fakt te gjitha vajzat e grupit, ishim bërë shumë të bukura. Pasi hymë tek lokali kuptuam se s'do mund të uleshim në ndonjë tavolinë pasi ishte plotë me njerëz dhe erdhi kamerieri e na tha që duhet të prisnim derisa të lirohej ndonjë vend. Isha aq e uritur, sa u them shoqeve: “Sa keq kjo punë, pale kur do lirohet ndonjë tavolinë”. Papritur ndjej një dorë tek supi im dhe kthej kokën. Shoh një djalë biond, me sy bojë qielli, i gjatë, king. “Unë quhem Donald Trump, po shoh që po prisni në këmbë, por unë tani do bëj të mundur një tavolinë për ju sepse menaxherin e kam mik, mos u shqetësoni fare” më thotë ai. Kthehem e u them shoqeve: “Kam dy lajme për t’ju thënë, një të mirë e një të keq. I miri është se një i huaj papritur po na gjen një tavolinë dhe lajmi i keq është se ai djalë do ulet me ne në tavolinë për darkë”. Tre minuta më vonë ne kishim tavolinën më të mirë aty, e kështu u ulëm të gjithë të hanim. Donald, nuk mi hiqte sytë me një shikim të thellë. Papritmas ai u çua nga tavolina dhe ne kërkuam faturën e darkës, ndërkohë gjithsecili do paguante pjesën e vet. Në atë moment kamerieri vjen e na thotë se tavolinën e kishim të paguar nga Donald Trump. Ngelem pa fjalë, si mund të paguante 400 dollarë dhe të largohej kaq çuditshëm, të paktën ta falënderonim. Dolëm jashtë lokalit, ku shohim Donald me një 'Cadillac Limuzinë'. Na ftoi të na përcillte për tek hoteli me shoferin e tij. U tregua një xhentëlmen i vërtetë, na çoi deri tek hoteli dhe para se te ikja nga makina e përqafova si një shok për respektin që na bëri dhe mendova se me aq do përfundonte.
Por të nesërmen, 100 trëndafila të kuq më vinë tek dhoma e hotelit me një dedikim “Për Ivanën, me simpati Donald”. Gjesti ishte i bukur, por i njihja mirë këto marifetet e meshkujve për të bërë për vete një femër, kështu që nuk e mora shumë seriozisht. Por ai po bëhej këmbëngulës e kështu nisi historia jonë e dashurisë me një pasion e respekt për njeri-tjetrin. Donald më tregoi shumë kohë më vonë se kush ishte e çfarë bënte në jetë. Kur u njoh me mua nuk ka qenë kaq i pasur e as kaq i njohur sa sot, por ai kishte ëndrra të mëdha, e bashkë kemi ndërtuar çdo gjë. Kur ai vendosi t'më tregonte për veten, më tha se punonte në kompaninë e ndërtimit të babait të tij, Fredit. Asokohe Trump me familjen e tij jetonin në Queens dhe këtij i duhej çdo ditë të lëvizte për punë në Brooklyn. Lidhja jonë ecte shumë mirë dhe pas disa muajve nga njohja, më propozoi martesë. “If you don't marry me, you'll ruin your life”, nëse nuk martohesh me mua, do shkatërrosh jetën tënde, më tha. Pikërisht kështu më tha, e unë nuk e harroj kurrë sepse në fakt, edhe unë e doja martesën me të. Oh Zot, ky e ka vërtetë seriozisht, thashë me vete. Nisën përgatitjet e dasmës. Unë jam kujdesur vetëm për fustanin e nusërisë, për të gjitha të tjerat u mor Donald dhe sekretaria e tij, pasi unë isha ende një ‘e ardhur’ në Nju Jork dhe ishte e pamundur për mua të dilja, nuk njihja as dyqane, as lagje, as nga të shkoja e të kërkoja.
Erdhi dhe dita ku Donald do më prezantonte me familjen e tij, sepse do diskutohej për ditën e dasmës e kjo do ishte hera e parë që do e shihja. Më priten aq mirë sa më vunë në siklet, ndërkohë unë isha e emocionuar. Dy prindër të mrekullueshëm, Fredi dhe Mary, nëna e tij, motrat dhe vëllezërit gjithashtu, të gjithë më priten shumë ngrohtë. Sidomos nëna e tij, pra vjehrra ime, sa e mirë e fisnike, me një dialekt të lehtë skocez që e bënte më të ëmbël. Ajo grua mbetet njeriu me zemrën më të madhe në botë. Të rrisësh pesë fëmijë e vetme, pa ndihmën e askujt, dhe t’i bësh ambiciozë e të suksesshëm, vetëm ajo dinte ta bënte. Përgatitjet e dasmës nisën. Të ftuar ishin 600 persona. Isha aq e lumtur që kisha në krah njeriun që doja, çdo gjë po shkonte për mrekulli.
Pas disa viteve martesë po dëgjoja thashetheme se një femër bionde ishte parë lartë e poshtë me burrin tim. Në fakt dyshimi sa vinte e shtohej sepse ai kthehej vonë, dilte herët, më thoshte se kishte shumë takime, se po dilte me miq, se po shkonte për golf, e gjëra të tilla. Por nga ana tjetër nuk pranonte asgjë derisa një ditë të ftohtë dhjetori, unë së bashku me fëmijët, shkuam disa ditë për ski në Aspen. Teksa po prisnim në radhë për të blerë diçka për të ngrenë, papritur më shfaqet një grua që dukej identike me atë që më kishin përshkruar, e cila pa iu dridhur fare qerpiku më thotë: “Unë jam Marla Maples dhe unë e dashuroj burrin tuaj. Po ju, a e doni?”. Oh Zot si nuk mu shemb bota mbi kokë, një ndjesi që nuk do e harroj. Isha pranë fëmijëve, e ato e panë dhe dëgjuan gjithë skenën. I përgjigjem: “Mos të ka ikur mendja moj, çfarë po thua, ai është burri dhe babai i fëmijëve të mi, të cilin e dua e do ta dua përgjithmonë”. Kthehemi direkt për në Nju Jork sepse kjo grua e ligë më prishi pushimet dhe harmoninë familjare. I tregova Donaldit për çfarë kishte ndodhur në Aspen dhe aty nisi një sherr e debat i madh, që u pasua me debate të tjera në ditët në vijim. Çdo gjë nisi të merrte tatëpjetën. Unë kurrë nuk mund të pranoja një burrë që gënjen. Si mundet një grua të jetojë në këtë formë?! Vetëm dikush që nuk ka dinjitet e respekt për veten. Pa diskutim vendosa t’i tregoja edhe fëmijëve. Ata nuk e priten mirë, por ai sërish ishte babai i tyre, fakt që nuk do e ndryshonte askush në botë. Donaldi i donte fëmijët dhe fëmijët atë, pavarësisht çdo gjëje. I kërkova divorcin dhe çdo gjë përfundoi ligjërisht mes nesh. Kjo qe një periudhë absolutisht e vështirë, si për mua, ashtu edhe për fëmijët e mi. Disa ditë më vonë, pas divorcit, ngado që shkoja dëgjoja vetëm “Një dashuri e re në jetën e Donald Trump”. Lajmi i ndarjes u përhap shpejt në lajmet rozë, e ashtu siç doli divorci, ashtu nisi të flitej edhe për këtë vajzë të spektaklit, e cila jepte deklarata të tilla si, “seksi më i mirë që kam bërë ndonjëherë, ka qenë me Donald Trump”. Këtë grua palaço nuk e ndalte asgjë, as dashuria e dhembshuria e fëmijëve të mi, që i largoi prej tyre.
Por unë isha një zonjë dhe askush s'do më ulte kokën sepse të gjithë me respektonin dhe jetën e kisha plot me qëllime të tjera. Kisha tre fëmijë për të rritur, për t’i edukuar dhe për t’i bërë të fortë e të zotët e vetes. Ky ishte pikësynimi im. Fëmijët kaluan një periudhë të tmerrshme sepse donin të atin afër, por gjithmonë u kam folur mirë për të e i kam ushqyer dashuri e kurrë urrejtje. Por ajo femër mizore, që nuk është asgjë, kurrë s’do gjejë paqe e kurrë nuk do ketë faljen time, në këtë jetë. Jo pse ajo do ishte e vetmja femër që hyri në jetën e Donaldit sepse po të mos ishte ajo, do ishte dikush tjetër, por sjelljet e saj të qëllimshme e të neveritshme nuk do i harroj kurrë. Ajo e di që për mua nuk vlen asgjë sepse është një femër që nuk ka dinjitet.
Ajo është vetëm në pritje të ndonjë ftesë, sa për t’u shfaqur se ende ekziston, e ka fiksim publicitetin. Ashtu siç bëri në rastin e “Dancing With The Stars” ku ishte konkurrente në të njëjtën kohë kur garonte për President ish-bashkëshorti i saj, ftesë që mu bë dhe mua nga produksioni i këtij formati televiziv, por që unë e refuzova pa u menduar dy herë. Si mund t'ia bëja unë këtë gjë Donaldit, pas gjithë atyre viteve që kishim kaluar së bashku. Unë e respektova atë, pasi ishte kohë fushate dhe duam apo jo, unë jam ish-gruaja e tij e parë dhe media fokusin primar e kishte tek Donald. Nuk më kishte hije të shkoja të vallëzoja vetëm për spektakël, ndërkohë që babai i fëmijëve të mi po kandidonte për Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por vajza e spektaklit po e shijonte shumë pjesëmarrjen e saj, derisa e hoqën pas shumë pak javësh dhe në atë moment kam qeshur me të madhe. Kurrë nuk jam ndjerë më e lumtur se natën kur e skualifikuan atë” shprehet në librin e saj Ivana, në lidhje me këtë episod që i ndryshoi jetën familjare.
“Kjo grua e ligë që nuk kam mëshirë, e jo më ta shoh e ta kem afër. U them shoqeve e të gjitha grave, mos lejoni kurrë dikë të shkelë mbi dinjitetin tuaj. Unë i kërkova divorcin Donaldit sepse nuk pranoja të bëja jetë të dyfishtë. Pse, që të gënjeja veten dhe fëmijët? Apo për hir të emrit të tij, unë duhej të pranoja, që të bëja emër e karrierë?! Siç bëjnë disa politikane që njoh nga afër. I sheh në publik krah për krah, sikur janë çiftet më të lumtura në botë, e në shtëpi i kanë shtretërit e ndare. Kam rastin konkret të Hillary Clinton, ajo e fali tradhtinë me Monika Levinksin, vetëm që të bënte karrierë politike në kurriz të burrit të saj dhe pranoi çdo gjë prej tij, edhe çmimin e tradhtisë. Kjo nuk është jetë. Nuk kam luajtur kurrë rolin e viktimës, por kam qëndruar e fortë dhe kam luftuar për të vazhduar jetën. Kam qenë një nënë luaneshë për fëmijët e mi. Vërtetë kam pasur mbiemrin Trump, por s'më ka bërë kjo që jam sot sepse bota më njeh si Ivana dhe modele të suksesshme. Më pyesin shumë njerëz për Tiffany, vajzën e Donald nga martesa e dytë me “vajzën e spektaklit”. Por ajo është fëmijë dhe nuk ka asnjë faj pse erdhi në këtë jetë. Madje kur lindi, e pyes Ivankën se si ndihej që kishte një motër nga babai dhe ajo mu përgjigj se Tiffany nuk ka bërë asnjë gabim dhe asgjë të keqe, se ajo ishte motra e saj e vogël dhe se do ta donte atë.
Para dy viteve, ishim të gjithë si familje në 'Mar Lago' dhe shoh në krah të Donaldit një vajzë simpatike e të re. I them në vesh: “Kush është kjo”. “Tiffany” më përgjigjet Ivanka. U habita sa ishte rritur, e bërë gjithë ajo gocë nga hera e fundit që e kisha takuar, ku ishte shumë e vogël. Ne me Donald, familjarisht takohemi, sigurisht jo shpesh, sepse ai është i martuar dhe nuk bën shumë sens të jemi aq të afërt, por në telefon e marrë një herë në javë dhe komunikojmë. E telefonoj direkt në numrin e zyrës së Shtëpisë së Bardhë e jo në celular, sepse aty mund të gjendet dhe Melania, e unë nuk dua të shkaktoj ndonjë xhelozi mes tyre. Me Donald kemi një marrëdhënie korrekte miqësore, më merr këshilla dhe më pyet për shumë gjëra,si për shembull për Tweeter-in, nëse duhet të bëjë statuse, apo jo. Sigurisht që po, i them, t'ia kthejë me të njëjtën monedhë atyre mediave që duan me patjetër ta nxinë, si The New York Times, apo CNN. Kjo e fundit tentoi të hapte dosjen e divorcit tim me Donald vetëm që të bënin zhurmë në kohë fushate, që të ndikonte tek elektorati. Por Amerika e votoi, i besoi dhe kanë bërë zgjedhjen e duhur sepse Donald është vizionar dhe qëllimet i kthen në punë e kryevepra. Jam gëzuar shumë për fitoren e tij, madje pas rezultatit disa ditë më vonë, më ka ofruar një post diplomatik, të jem ambasadore në vendlindjen time, Republikën Çeke. E kam vlerësuar, por jetën time e kam më të bukur sesa aq, të shkoj të mbyllem brenda katër mureve, kur kam një pasuri marramendëse për të shijuar, një shtëpi në Nju Jork, një në Majemi e një në Saint-Tropez. Pse më la mendja mua t’i them lamtumirë gjithë këtyre? E çfarë dua unë më shumë nga jeta?! Por gjesti i Donaldit mbetet fisnik dhe e kam falënderuar. Ai tani është një shok i imi shumë i dashur dhe ka në krah një grua dinjitoze, sharmante, siç është Melania. Unë me atë nuk kam asgjë, asnjë problem, ajo nuk më ka prishur familjen. Ne kudo që takohemi në raste familjare, përshëndetemi përzemërsisht. Në vjeshtë të 2015-ës, ndërsa Donald ishte drejtë rrugës për në Shtëpinë e Bardhë, unë organizova një darkë në shtëpinë time me 40 femra, mikesha të njohura, të cilat i pyesja për kë do votonin, si do shkonin zgjedhjet, këto muhabetet e politikës.
I vetmi koment që bëra për Melaninë gjatë darkës ishte: “Melania, është një femër e qetë, private, nuk i pëlqen të duket e të flitet për të pa motiv, dhe që nuk do i pëlqenin fjalimet nëse do bëhej Zonjë e Parë”. Të nesërmen u bë nami. Gazeta Daily News kish nxjerrë sikur unë kisha thënë për Melaninë që ajo nuk di të flasë, që nuk i pëlqen të jetë e përfshirë në aktivitete, e shumë thashetheme të tjera. Më telefon Ivanka, e më thotë se Melania është mërzitur shumë me atë artikull. Si mund të thuash gjëra të këtilla, mami, më tha ajo. I tregoj vajzës që nuk isha në dijeni për këtë shkrim, sepse askush nuk më kish telefonuar për t'më pyetur për këtë gjë, siç një gazetar profesionist duhet të bëjë në të gjitha raste dhe unë u mërzita më shumë. Direkt i shkruaj këtë mesazh Melanisë: “Ti nuk më ke bërë gjë të keqe, e as unë ty. Ti je pjesë e familjes sime dhe unë kurrë nuk bëj gjëra kundër familjes sime. Me dashuri, Ivana”. Ajo është shumë pozitive dhe Donald është i lumtur me të. Aq sa isha e bindur që Donald do ishte një President i denjë, po aq e bindur isha dhe për Melaninë që do bënte rolin e Zonjës së Parë për mrekulli e që do impresiononte shumë njerëz me thjeshtësinë e saj. Kujt ia merrte mendja se Melania e veshur në xhinse, me dorashka e çizme do mbillte pemë e fruta në kopshtin e famshëm organik të Michelle Obamas, një mision që vazhdoi e surprizoi këdo që mund ta paragjykonte Melaninë si një modele që s'di asgjë tjetër veç imazhit, por na befasoi të gjithëve. Dhe pse unë nuk do doja kurrë të isha në vend të saj, sepse jetën e kam të mbushur plot me dashuri” shkruan në librin e saj Ivana, informon dritare.net.
Ivana, përveç jetës së saj ka rrëfyer edhe disa episode nga jeta sentimentale e vajzës së saj, Ivanka:
“Jeta ka qenë bujare me mua, për aq kohë sa kam tre fëmijë si drita, që më bëjnë krenare çdo moment të jetës. Vërtetë janë fëmijët e Donald Trump, por dijen, edukatën, virtytet, nuk ia ka falur askush, i kanë meritë të vetat. U kam thënë gjithmonë, paratë nuk bien as nga qielli e as nga pemët, punoni, studioni, dhe martohuni me ata që ju meritojnë. U kam kërkuar gjithnjë të ishin të hapur me mua për jetën private. Doja të dija më kë kishin të bëjnë. Ivanka më tregonte çdo gjë, por nuk ka qenë e lejuar të sillte në shtëpi të dashurit e saj, derisa ajo të vendoste për njërin. Pas studimeve, kish ardhur koha që do njihte dikë. Për mua dhe Donald ideja që vajza do na prezantonte një ditë njeriun e zemrës, ishte e tmerrshme sepse për ne mbetej akoma vogëlushja jonë." shprehet Ivana, informon Dritare.net
"Për disa vite, Ivanka ka qenë në një lidhje me një djalë tepër të mirë, i pashëm, i suksesshëm. Ishte bankier në Wall Street, gjithë të mirat i kishte. Kërkova ta takoja një ditë, e kështu dolëm për darkë. Ai ishte shumë më i shkurtër se vajza ime, e kjo gjë me thënë të drejtën aspak nuk më kënaqi. Në një moment, më pyet me zë të ulët: “Hë mami, si të duket”. I përgjigjem: “Sigurisht që nuk e pëlqej, apo do marrësh shkallë që ta shohësh në sy”. Unë prita që ajo të qeshte, por në fakt u prek aq shumë sa për dy javë nuk më ka folur. Jo shumë larg nga ajo natë, ata ndahen për arsye që nuk e kam pyetur dhe mirë kanë bërë, se vajza ime nuk kishte arsye të kalonte gjithë jetën me kokën poshtë, se ishte i shkurtër nuk e mbërrinte dot. Jo, dhe jo. Në këtë aspekt kisha shumë pretendime për Ivankën. Më pas nisi të dilte me një djalë tjetër, ai nga një familje e mirë dhe e pasur, por ky një dembel, pa asnjë vizion për jetën. E pyes njëherë, se çfarë bënte në jetë, me se merrej. Por çfarë të më thoshte i shkreti, do fliste për pasurinë e babait, të vetmen gjë që dinte. Ishte dhe nipi i një mikeshës sime, dhe mendova se do e pëlqeja, por larg o Zot, ai ishte një dështak." shkruan në librin e saj Ivana, informon Dritare.net.
"Unë doja të dija çdo gjë për Ivankën, dhe të njihja çdo djalë që dilte me të sepse mosha e re nuk e dallojnë të mirën nga e keqja. Për Ivankën doja një djalë të kompletuar, mbi të gjitha një mashkull ambicioz. Nuk zgjati shumë, fatmirësisht u ndanë. Dhe vetëm pak kohë më vonë kur shfaqet në media që e kishin arrestuar për përfshirje të punëve të pista dhe shpërndarje droge. Dhe kjo na duhej, thashë. Mirë që u largua prej tij. Ivanka, ka qenë fëmija i preferuar i Donald, si baballarët për vajzat dhe njëherë të vetme mbaj mend që dëshironte shumë t’i prezantonte Tom Brady, yllin e futbollit amerikan. Por Ivanka as e konsideroi si rast fare, nuk është tipi im tha, e nuk pranoi as ta takonte.
Por fati deshi që të takonte djalin më të mirë në botë kur ishte vetëm 26 vjeçe. Ajo njohu Jared Kushner nga disa miq të përbashkët. Një djalë i mrekullueshëm, nga një familje me emër të mirë në Nju Jork, të njohur për biznese, e pronar i kompanisë New York Observer. Që me herën e parë e kam pëlqyer. Ky po, këtë meriton Ivanka, një djalë inteligjent, i pashëm, i gjatë, i kulturuar, i dashur deri në dritën e syve të Ivankës dhe ajo e donte shumë, e adhuronte pafund. Dashuria e tyre ishte e madhe dhe e sinqertë, por kishte dhe pengesa jo të vogla. Familja e tij nuk do e lejonte kurrë që të martohej me vajzën time, sepse ata janë çifutë të devotshëm e vajza ime nuk ishte e tillë. Kjo qe dhe arsyeja e vetme që u ndanë për disa kohë nga njeri-tjetri. Pas 1 viti, u kthyen sërish bashkë më të dashuruar se kurrë. Një ditë më pyet vajza nëse ishte problem të ndryshonte fenë. “Shiko Ivanka, ti ke lindur katolike dhe rrënjët e tua nuk i ndryshon dot, por nuk më bëhet vonë aspak çfarë feje je, kur bëhet fjalë të zgjedhësh mes saj dhe dashurisë. Nëse kjo është ajo çfarë të dashurin tënd do e bën të lumtur, mos u mendo, por bëje” i thashë asaj. Ivanka u konvertua në çifute dhe u martuan në vitin 2009 e sot janë të lumtur me familjen e tyre. Ivanka, mban emrin tim, Ivana, por me përkëdheli ne e thërrasim Ivanka sepse për ne ajo mbetet ende ajo goca e vogël dhe e ëmbël. Jam nëna më e lumtur kur i shoh sa të dashuruar janë bashkë sepse Jared Kushner është dhëndri ideal.
Kam pasur fat dhe me djemtë që kanë zgjedhur vajza të mira. Të dyja nuset i kam të mrekullueshme dhe jemi si shokë e shoqe kur takohemi. Mi dëgjojnë dhe këshillat që u jap, kemi një raport fantastik.
I falënderoj nga thellësia e zemrës fëmijët e mi të dashur, e gjithë pjesën tjetër të familjes, nuset, dhëndrin, nipërit e mbesën që ma mbushin jetën plot kënaqësi.
Një falënderim të veçantë e kam për ish-bashkëshortin tim, Donald Trump, që ka qenë një shok i shkëlqyer në këto vite, për mbështetjen e tij, e për çdo kujtim të bukur prej tij.”
Ndër të tjera Ivana, tregon se Donald nuk ka qenë në dijeni për këtë libër, as e ka pyetur sepse libri flet për jetën e saj e jo të Donald. Në fund të librit, nuk ka harruar të falënderojë dhe tre bashkëshortët e saj Massimo Gargia, Riccardo Mazzucchelli, dhe Rossano Rubicondi, të cilët Ivana i konsideron miqtë e saj më të mirë./dritare.net