Romeo Gurakuqi: Pse i thashë po, listës së kryeministrit të ardhshëm Basha!

Një ndër surprizat e listave të PD, ishte edhe Romeo Gurakuqi, si bartës i listës së demokratëve në Shkodër. Gurakuqi është një njeri që tërë jetën e tij ia ka kushtuar botës akademike, arkivave, historisë së Shqipërisë.

Por, ka qenë ngaherë një qytetar aktiv dhe intelektual i angazhuar, një shqiptar që thotë se i përket shtresës së mesme, asaj që sipas tij Rama e ka shkatërruar. Ndaj ai është në këtë listë, për ata si vetja që besojnë se çelësi është ekonomia dhe Basha do të dijë ta ndryshojë.

Romeo Gurakuqi, në një intervistë për gazetarin e dritare.net Isa Myzyraj rrëfen, pjesëmarrjen e tij në politikë aktive tanimë dhe problemet kryesore me të cilat po përballet sistemi politik shqiptar që duhet ndryshuar dhe përshtatur me republikën e re./dritare.net

Intervistoi Isa Myzyraj

Zoti Gurakuqi, ju keni gërmuar në arkivat e Londrës dhe Beogradit për të zbardhur historinë e Shqipërisë dhe themelimin e shtetit modern shqiptar. Hyrja në politikë si kandidat i sigurt për deputet a do të thotë që e keni lënë pas karrierën akademike, për të nisur tanimë karrierën politike?

Është e vërtetë unë kam studiuar në arkivin e Londrës, dhe kam punuar me dokumentacion parësor arkivor, italian dhe amerikan. Përsa i përket shkëputjes nga bota akademike, absolutisht jo, ajo është një punë që unë nuk e prek për asnjë lloj arsye.

Aktualisht veç përfshirjes në fushatë, unë punoj 4-5 orë në ditë, natën dhe herët në mëngjes, është një punë që do të kurorëzohet brenda pak muajsh me një histori të re të Shqipërisë nga viti 1939 deri në fund të vitit 1946.

Pra, veç angazhimit politik, unë do të vazhdoj të jem pedagog, pranë studentëve.

Zoti Gurakuqi, si u lajmëruat se jeni kandidat për deputet?

Unë nuk e dija që isha  kandidat, e kam marrë vesh në orën 00:35 minuta, pas disa telefonatave që më kanë ardhur nga miqtë të cilët e kishin parë në media.

Nuk keni komunikuar me Bashën?

Po, më ka marrë Basha në telefon nga mesdita, thjesht më ka pyetur nëse isha dakord për të qenë në listat e PD, por nuk kam pasur asnjë lloj informacioni tjetër, ku do isha dhe cili numër do të isha në listë.

Ju keni kërkuar disa herë reformimin e së djathtës në Shqipëri, a mendoni se tanimë është reformuar e djathta dhe partia, ku ju tanimë jeni kandidat për deputet?

Unë kam kërkuar reformimin e Republikës së Shqipërisë, që është një Republikë Parlamentare, me kompetencat e Presidentit të republikës të reduktuara në minimumin e pangjashëm me vendet të cilat duan të ecin në rrugën e progresit, si një vend pa kriza.

Pra jemi në një Republikë parlamentare të kontrolluar nga Parlamenti, të kontrolluar saktësisht nga partitë politike që nuk janë demokratizuar.

Kur flisni për mos demokratizimin e partive në Shqipëri, e përfshini edhe PD?

Unë bëj pjesë në listën e kryeministrit të ardhshëm, zotit Basha, i cili ka treguar mjaftueshëm seriozitetin për t’i thënë gjërat drejtë dhe ndershëm dhe unë këtë gjë e besoj, ashtu sikurse disa profesorë të rëndësishëm të botës akademike shqiptare e besojnë se ai do të bëjë çfarë është e mundshme për të ndërruar kuadrin ligjor, pra; kuadrin ligjor të partive politike shqiptare, që do të thotë si duhet të funksionojnë partitë në Shqipëri. Ndoshta do të merret  modeli spanjoll. Spanja e ka të vendosur në kushtetutë se cili është statuti model i një partie politike, në mënyrë që një parti politike të mos jetë bandë, që të jetë realisht demokratike, që të ketë  programe politike të bazuara në koalicione të gjëra interesash, dhe kjo do të jetë një prej reformave që do të vlerësojë PD dhe kryeministri Basha do të bëjë.

LEXO DHE :  Sot votohet për Presidente, ja premtimet e para të Ursula von der Leyen!

Pjesa e dytë ka të bëjë me reformimin e sistemit konstitucional. Shqipëria është një Republikë Parlamentare me spikatje të asamblesë dhe nuk ka një pushtet kundër balancës së parlamentit.

Unë e kam thënë por e ka përsëritur edhe zoti Ben Blushi që duhet reformuar  institucioni i Presidentit, jo vetëm të zgjidhet nga populli se nuk mjafton.

Pra ju jeni pro idesë që Presidenti të Zgjidhet nga populli?

Unë jam pro një presidenti me fuqi monokratike, që do të thotë pushtete për të zgjidhur krizat, pushtet për të zgjedhur kryeministrin për partitë që konfliktojnë njëra-tjetrën, një president që është garant i popullit dhe jo një president i një partie politike. Ju e shihni presidenti  i zgjedhur e ka shkelur kushtetutën, sepse vazhdon të bëjë fushatë, në një kohë kur ai duhet shkarkuar, sepse e ka shkelur kushtetutën dhe siç duket e ka të qartë se nuk do të jetë president republike, nuk do ta marrë mandatin, sepse radha i vjen shkarkimit të tij. Kushtetuta e ka përcaktuar se që në momentin e zgjedhjes ai duhet të bëjë dorëheqje nga aktivitetet politike, por atë e ke në çdo aktivitet.

Duhet ndryshuar kushtetuta tek pjesa e presidentit, që të marrim modelin e Sllovenisë, Rumanisë apo edhe Italisë, ku nuk zgjidhet nga populli.

Zoti Gurakuqi a mund të më thoni se cila është puna ose reforma më e mirë e qeverisë “Rama” në 4 vite qeverisje, p.sh reforma në arsim?

Rama çdo gjë e ka bërë mbrapsht, që do të thotë, se duhej reformuar sistemi arsimor në vend, duhej, në fakt ca ndërhyrje klienteliste në momentin e fundit e kanë shformatuar projektin e disa prej profesorëve të nderuar, kryesuar nga profesor Arjan Gjoncaj dhe Ardian Civici, që bënë një model ekselent të risistemimit të reformës në sistemin arsimor, të cilin e ka dëmtuar politika. Por, për të mbajtur pushtetin, duhet të bësh kompromise të paprincipta me palë të tjera, ato kanë shtrembëruar sistemin dhe gjithë sistemi në arsim është dëmtuar nga qokat bashkëqeverisëse të Edi Ramës.

A do të jetë Basha lideri që do të sjellë ndryshimet në Shqipëri, dhe a besoni tek lista Basha?

Patjetër, unë besoj sepse bëhet fjalë për dikë që ka folur drejtë. Unë kam dëgjuar të gjithë fjalimet e tij dhe kam bërë një analizë, Basha ka folur thjeshtë, ka kërkuar falje ku duhet kërkuar. Dhe unë besoj tek programi ekonomik i tij, sepse Edi Rama nuk e ka kuptuar kurrë që ajo që e mban shpresën gjallë është shtresa e mesme, dhe të dëmtosh shtresën e mesme për të bërë rregullimin e ministrive dhe fasadave kjo është ndër gjërat më të dëmshme. Unë jam një përfaqësues i klasës së mesme dhe në 4 vite që  ka ardhur Edi Rama, gjendja ime ekonomike ka rënë në masën 40%./dritare.net

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.