Rasti “Paloka”, si keqtrajtim i politikanëve nga mafia

Nga Mero Baze

Nënkryetari i Partisë Demokratike në opozitë, deputeti Edi Paloka, është përdorur zyrtarisht në një skemë të pastrimit të parave nga një familje nën hetim zyrtar, të cilës i janë bllokuar 5.5 milionë euro në Lezhë. Familja e cila ka tentuar t’i paraqesë të ardhurat, si dhuratë nga një miliardier suedez, në fakt ka përdorur nënkryetarin e PD, Edi Paloka, dhe vëllain e një deputeti tjetër të PD, Bedri Hoxha, i cili ka bërë sikur ka shitur tre apartamente dhe garazhe me vlerën rreth 700 mijë euro në Shëngjin, vlerë që nuk është as në Bllok në qendër të Tiranës.

Prokuroria dyshon se vlera anomalisht e lartë e përdorur në këto shitje, është një ushtrim i zakonshëm i pastrimit të parave nga personat në fjalë.

Por le të mbetemi tek deputeti Edi Paloka.

Nga kontrolli i deklaratave të pasurisë prej vitit 2012 deri në vitin 2018, rezulton se Edi Paloka nuk ka pasur ndonjë pronësi apartamenti në Lezhë, pra nuk i ka deklaruar ato.

Shitja e apartamenteve të pablera fiktivisht, dhe me një shumë anomalisht të lartë, është konsumim i ndërgjegjshëm i veprës së pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë.

Por ka një detaj tjetër edhe më dyshues në deklaratat e pasurisë së tij.

Në vitin 2016, Edi Paloka ka deklaruar se ka prishur një kontratë apartamenti, për të cilën i janë kthyer mbrapsht 38 mijë euro. Mjafton të verifikohet se kujt ja ka blerë dhe shitur ato dy apartamentet që bëjnë diku tek 150 mijë euro fiktivisht, dhe kujt ja ka kthyer këtë apartament për të cilin ka marrë 38 mijë euro, për të arritur në një përfundim edhe më të rendë të pritshëm, që ai është përdorur në këtë operacion kundrejt një pagese 38 mijë euro, e cila i është dhënë në formën e kthimit mbrapsht të një kontrate për një apartament, të cilin po ashtu nuk e ka deklaruar kur e ka blerë.

LEXO DHE :  "Gjithmonë paqe, ne nuk duam luftë!", flasin turistët që ishin të shtunën në Tiranë

Prokuria me siguri që do të bëjë punën e saj për një hetim të thelluar në këtë pikë, por nga aq fakte sa kemi përpara, Edi Paloka ka konsumuar dhe veprën e fshehjes së pasurisë, dhe atë të përdorimit si subjekt në një proces të pastrimit te parave në favor të një familje që është vënë zyrtarisht nën sekuestro konservative për këtë akuzë.

Ajo që duhet të sqarojë Edi Paloka tani e tutje, është së pari kontrata që ka blerë dikur dy apartamente në Lezhë dhe kujt ja ka blerë, kontrata që i ka shitur dhe kujt ja ka shitur, dhe cila është diferenca mes dy çmimeve.

Pas kësaj, duhet të sqarojë përse nuk i ka në deklaratat e pasurisë këto apartamente dhe në fund, kush është kompania që i ka blerë dhe pastaj i ka kthyer apartamentin me vlerë 38 mijë euro në vitin 2016.

Por më e rënda e kësaj historie nuk është se Edi Paloka është përfshirë në këtë histori pastrimi parash. Ka plot raste të ngjashme në botë që politikanët e bëjnë këtë dhe marrin përgjegjësitë e duhura.

Rasti i Palokës është poshtërues, se këtu duket që e kanë përdorur për pastrim parash gati si argat. Dhe kjo është poshtëruese për standardin ku ka rënë politika shqiptare.

Pas kësaj është mirë të marrë avokat të zotin, se Berisha nuk e mbron dot. Aq sa kishte në dorë, e ka bërë nënkryetar të PD. Këtë pozicionin e argatit e ka zgjedhur vetë./tema.net

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.