Rama në Slloveni: Turp për BE-në që populli i çliruar i Kosovës nuk lëviz pa viza
Dritare.net
Kryeministri Cerar vlerësoi rolin e kryeministrit Edi Rama në arritjet e vendit në procesin e integrimit në BE dhe theksoi se Sllovenia mbështet aktivisht që sa më parë të caktohet data për çeljen e negociatave. Në këtë kontekst, Kryeministri slloven vlerësoi reformën në drejtësi si një hap të rëndësishëm të hedhur drejt integrimit të Shqipërisë në BE dhe ofroi gatishmërinë për bashkëpunim në këtë drejtim. Në takim u diskutua ndër të tjera edhe për zhvillimet në rajon, me theks Kosovën.
Kryeministri Edi Rama theksoi se qeveria e Shqipërisë ka mbështetur dhe mbështet fuqimisht dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ndërsa shprehu bindjen se njohja sa më e shpejte e Kosovës nga Serbia do të jetë në dobi të vetë Serbisë, si dhe do të lehtësojë proceset bashkëpunuese. Ndër të tjera, Kryeministri Rama nënvizoi rëndësinë e një vendimmarrjeje sa më të shpejtë nga ana e BE për liberalizmin e vizave me Kosovën, “pasi fakti që ka vetëm një popull, i cili nuk lëviz dot lirisht si të gjithë të tjerët në Evropë, – për shkak se duhet të lëvizë me vizë në çdo vend, dhe ky është populli i çliruar i Kosovës, – është një turp për BE.” – u shpreh Kryeministri. Pas takimit mes tyre, të dy kryeministrat dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp.