Rama do të negociojë vetëm kushtet e dorëzimit të Bashës
Dritare.net
Kur para 40 ditësh të gjithë thoshin që nuk do të ketë zgjedhje, personalisht deklarova që do të ketë, qoftë edhe me një kandidat, siç edhe po ndodh.
Tani establishmenti mediatik i afërt me krerët e opozitës i ka hyrë analizës se do të rinegociohen zgjedhjet dhe do të caktohet edhe data e zgjedhjeve të parakohshme lokale dhe politike.
Ngrenë realitete virtuale të cilat jo vetëm i krijojnë, por edhe i besojnë vetë. Nuk ka më infantilizëm politik se kaq. Pakkush po e kupton se një sistem i vjetër po shembet dhe po e shembin pikërisht ata që janë në katin e sipërm , pa e kuptuar.
Ëndrrat në diell fillojnë me presupozimin e Rama, erdhi si erdhi puna por do të rinegociojë.
Nuk do rinegociohet asgjë, sepse nuk negociohen me humbësin veçse kushtet e dorëzimit. Rama fitoi. Ka me vete numrat dhe ndërkombëtarët të cilët si rrallëherë shtypën brutalisht çdo pretendim opozitar.
Kundërshtarët e tij humbën dhe po rrezikojnë akoma me shumë. Kjo për faktin e thjeshtë se në strategjinë e tyre të përplasjes, ky copë vend iu duket kërthiza e botës. Ju mungon vizioni qofte edhe rajonal.
Kanë aq shumë në pushtet e para, saqë kanë humbur nuhatjen dhe instinktin.
Madje edhe sensin e masës dhe hapësirës.
Berisha është i justifikuar me moshën, por Meta po bëhet qesharak. Këshilltarët edhe Meta, si Basha i paska pasur mizerabel. Ky i fundit vërtetoi që as ka për t’u bërë ndonjëherë kryeministër dhe jo sepse nuk çoi revoltën në dhunë ekstreme, pasi kjo do ta çonte fishek dhe në burg, por sepse u tërhoq prej hunde nga Berisha dhe Meta tej çdo nevojë që kishte për mbijetesën e tij politike.
Nëse kundërshtarët e Ramës do të rrinin në breg të lumit dhe të prisnin, me siguri në vitin 2021 do të shikonin trupin e tij, duke pluskuar pasi problematika e qeverisjes qe e tillë, nuk kishte nevojë t'i jepje një të shtyrë te rrëzohej dhe mbytej. Por paranojat e Berishës dhe Metës, squlltësia e Bashës, mungesa e ekipeve me dy pare tru që t'i këshillonin apo paralajmëronin, e ringjallën edhe një herë njeriun i cili tashmë, jo me tepsi, por me filxhan po ju fiton 61 bashki duke i lënë në diell.
Pas kësaj mund të ketë një negocim për datë të re zgjedhjesh, por vetëm kur t'i interesojë Ramës që të marrë një mandat të tretë. Është ky një mandat që i duhet për egon e tij, por edhe për të mbaruar projektet që ka (të mira apo të liga qofshin).
Ndërkohë SPAK-u ka filluar e mpreh thikat. Dhe të jeni të sigurt që dashi i parë nuk do të jetë Rama dhe as Basha. I pari sepse ju duhet ende amerikanëve, ndërsa i dyti sepse nuk ia vlen as si kurban, pasi nuk bën lajm. Kusurin ose do t'i "therin" ose do t'i "tredhin". Varet nga oreksi që do të ketë atë ditë Palmeri. /dritare.net