Prej shkurtit të 2019 opozita shqiptare proteston në rrugët e sheshet e vendit, dhe pas çdo proteste, nga të gjitha selite e partive, artikulohet dhe dënohet përdorimi i dhunës nga të gjitha palët. Qeveria, akuzon opozitën për përdorimin e dhunës, ndërsa opozita akuzon policinë që me urdhër politik ushtrohet dhunë ndaj protestuesve. Shumëkush e bën avokatin e dreqit, duke parë video të prera e te montuara nga të gjitha palët dhe akuzon palën tjetër, për dhunë.
Por përdorimi i dhunës, nga cilado palë qoftë, nuk mund të gjykohet vetëm me disa video në rrjetet sociale. Vetëm prezenca në protestë dhe monitorimi i aktit te dhunës, para dhe pasi të ketë ndodhur ajo, çon në një gjykim të drejtë. Nuk mjafton të shikohet një goditje nga njëra palë në tjetrën, pa e parë me sytë e tu pse u arrit tek ajo goditje. Unë bashkë me të gjithë ata që i kanë ndjekur protestat nga dita e parë, kemi parë akte dhune, kërcënime, e lloj-lloj gjuajtjeje, nga të gjitha palët. Kam parë fëmijë me lëndë shpërthyese në duar, që një Zot e di si kanë përfunduar tek ai, por që posedimi i atyre lëndëve nga një i mitur, minimalisht, mund të shkaktonte një tragjedi tek ai. Kam parë të rinj të maskuar, vështirë për t’u identifikuar që mbushim çantat me lëndë plasëse dhe i lëshojnë ku të munden.
Është e sanksionuar në Kushtetutë dhe në ligjet e çdo vendi demokratik, që prekja e institucioneve nga kushdo sjell një reagim të ashpër të forcave të rendit, madje pa e ekzagjeruar, dhunimi i tyre, dhe në një situatë kaosi kur rrezikohet seriozisht një institucion, forcat e rendit mund të hapin zjarr mbi dhunuesin e institucionit! Kemi parë njerëz që përpiqen të hynë në kryeministri, por a e kuptojnë vallë këta qytetarë se ç’do të thotë hyrja ne godinën e qeverisë? Asgjë më pak sesa grusht shteti! Hyrja në institucionin ku qëndron kryetari i qeverisë, mund të interpretohet nga akt terrorist deri te grushti i shtetit, por mesa duket disa protestues as që ia kanë idenë për seriozitetin e këtij akti.
Kemi parë opozitën teksa dënon aktet e dhunës nga ana e policisë, por më duket absurde që opozita dënon dhunën e policëve mbi protestuesit, ndërsa protestuesit e kësaj të fundit, me ose pa lejen e udhëheqësve të opozitës janë gati të bëjnë grusht shteti! Në dhjetëra vende të botës kemi parë teksa turma shpërndahet me forcë nga policia, kur tubimet janë juridikisht të paligjshme, por kur qëllimi kryesor është rrëzimi i qeverisë, është jo normale që të bësh namin se policia paska arrestuar, apo edhe gjuajtur me shkopinj gome 20 protestues, që PO, mund të jenë edhe të dhunshëm, dhe duket që janë të dhunshëm! Kur policia ka përdorur dhunë të paarsyetuar, ajo është dënuar edhe nga vetë qeveria, por as nuk mund të pretendosh që çdo shkop mbi protestuesin është me urdhër të Edi Ramës dhe i paligjshëm. Prandaj, në këto kushte, nëse kauza është e kaq e fortë, dhe rrëzimi i qeverisë duhet të bëhet me çdo mjet, siç kanë thënë liderët e opozitës, atëherë le të durojnë disa shkopinj gome mbi shpinë!/Dritare.net