Pse mungoi Ilir Meta në koncertin e Carla Brunit!
Dritare.net
Ndërsa opozita zhvillon në Tiranë një protestë e cila pretendon të jetë më e madhja në radhën e të nëntave, Edi Rama është në Butrint në shoqërinë e ish-presidentit francez Sarkozy, i cili merr pjesë në koncertin që bashkëshortja e tij jep në amfiteatrin e këtij siti arkeologjik. Është prezent edhe djali i ish-presidentit Miteran.
Bruni vetë është modele italiane mjaft e njohur në të shkuarën, brezi i Claudia Shifer dhe Noemi Kempbell, e adoptuar në Francë. Martesa e saj me presidentin e sapozgjedhur Sarkozy tërboi shtypin rozë të botës. Ku edhe ai ishte një hebre Selaniku i adoptuar në Francë. Në kreshtën e këtij suksesi, Bruni bëri edhe diskun e saj të parë i cili publicitetin e kishte të garantuar ndërsa suksesi ishte diskret. As sot këngët e Brunit nuk mbahen mend pasi i ke dëgjuar. Ndaj edhe elita e Tiranës vështirë se kishte mbushur shkallët e amfiteatrit antik për t’u çmallur me këto këngë. Për tiranasit ishte më shumë një rast për të treguar se janë në pjacë dhe në rrethin e vëmendjes së kryeministrit, i cili ishte edhe sponsori dhe pjesëmarrësi.
Por tej komentit mbi efektet në provincë, efekti ndërkombëtar është një operacion i shkëlqyer marketingu.
Së pari për të ulur efektin e protestës së opozitës dhe treguar se ajo pak ka ndikim në masën e shqiptarëve. Nuk është balloja e fundit në Havanë për vetë praninë e personaliteteve të huaja ku Sarkozi ende bën lajm, pa cituar trupin diplomatik.
Por është edhe një operacion mbështetës për turizmin. Vetë pronarët e hoteleve janë të trembur për një anulim të prenotimeve. Saranda, Meka e polakeve të cilët tashmë kanë filluar vijnë edhe me makinat e tyre dhe kanë blerë shtëpi, është e frikësuar se mos ata dhe prenotimet largohen. Ky sherr në kulmin e sezonit është një goditje pas shpine për operatorët shqiptarë që mezi marrin frymë nga presioni grek. Por prezenca e Carla Brunit është një siguri për perëndimorët se në Shqipëri nuk po ndodh asgjë e jashtëzakonshme. Carla është ende e bukur dhe Sarkozy ende shumë i rëndësishëm që Franca t'i lejojë të shkojnë në vende të rrezikshme. Dhe mbase ky koncert ndikon edhe tek ai që quhet deep state francez, në mënyrë që të zbusë refuzimin e tij ndaj hapjes së bisedimeve me Shqipërinë për pranim në BE./dritare.net