Pse ambientalizmi i Bashës bie erë?

Pas protestës tek liqen ku pati konfrontime mes protestuesve dhe policisë, Lulzim Basha ka mbledhur grupin parlamentar dhe ka kërcënuar për mosbindje civile.
Eshtë fakt pozitiv që PD ka gjetur frymën ambientaliste dhe ka vendosur të mbrojë resurset e qytetit. E shkuara e afërt na ka treguar se këtë komponent, partitë shqiptare e kanë për zemër vetëm kur janë në opozitë. Të gjithë e mbajmë mend referendumin që sponsorizoi PS në vitin e fundit të qeverisjes Berisha, kundër importit të plehrave. Ashtu si sot edhe atëhere, shoqëria civile ishte e pa fuqishme të kundërshtonte e vetme importin e plehrave dhe të mblidhte firmat për referendum. Ashtu si sot PD, edhe atëherë PS e kapi sensibilitetin e kauzës dhe e përkrahu. Ashtu si sot edhe atëhere shoqëria civile u sfumua nga politika. Sapo erdhi në fuqi, Qeveria Rama si akt të parë, bëri shfuqizimin e importit. Por për ironi të fatit, sot importohen nëpërmjet VKM-ve, më shumë plehra sesa lejoheshin më parë.
Ashtu si dje PS, edhe sot PD ka marrë në dorë kauzën ambjentaliste. Shumë, e akuzojnë protestën që po bën PD tek parku i liqenit për shou. Kanë të drejtë. PD është firmosësja e zgjerimit të bulevardit të ri që është në projekt. Erion Veliaj po punon me projektin e Lulëzim Bashës dhe po ju con të shpronësuarve letrat e firmosura nga Basha. Me koordinim pozitë-opozitë, tek fundi i digës së liqenit po ngrihen pallate të reja. E njëjta gjë po ndodh edhe përballë Fakultetit Ekonomik. Ndaj nëse PD vendos që të përqafojë kauzën ambjentaliste dhe të jetë e besueshme në të, duhet që protestën ta shtrijë edhe tek bulevardi i ri, edhe të pallatet që po kafshojnë parkun në zona të tjera. Pasi nuk mund të jesh e besueshme në luftën kundër oligarkëve kur ish ministrat e PD harrojnë të deklarojnë 500 mijë euro, pasi i konsiderojnë pare xhepi. Nuk mund të jesh i besueshëm në luftë kundër koncesioneve, kur këto i denoncon me figurat që deri para dy vjetësh firmosnin dhënien e koncesioneve. Nuk mund të jesh ambientalist i besueshëm, nëse denoncon vetëm një aferë, pasi bie erë sikur të ka mbetur hatri për prishje pazari.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.