Privatizimi i INSIG, si korrupsion ekonomik dhe paaftësi politike.
Dritare.net
Sot, në fjalën e tij në Kuvend, kryeministri Edi Rama mbrojti një sërë iniciativash që ka ndërmarrë qeveria e tij në fushën ekonomike. Ndër të tjerat përmendi edhe rastin e privatizimit të INSIG-ut, ku theksoi se privatizimi i tij, bëhet për shkak se ai ka vetëm 5% të tregut të sigurimeve, duke i shtuar edhe fjalën “mizerabël”. Pra do të privatizohet një ndërmarrje sepse është e vogël.
Kjo është një gjetje në ekonomi. Një ndërrmarje privatizohet sepse është me humbje, dhe për të dalë nga kjo gropë, ka nevojë për modernizim, riorganizim apo rinovim teknologjik. Mund të jepet për privatizim total, nëse nuk është aset strategjik, ose duke ruajtur paketën kontrolluese, nëse është e tillë. Por asnjëherë sepse ka treg të vogël.
INSIG, është ndërmarrje pionere publike që u fut në tregun e sigurimeve. Me kalimin e viteve, nga subjekt lider i tij, u kthye në një depozitë ku politikanët punësonin të afërmit e tyre dhe me anë të cilës bënin ndere. Ndere që fillonin që me objektet ku do të merreshin zyrat e saj me qera. Kështu, kur ishte Berisha kryeministër, zyrat qëndrore të INSIG ishin strehuar me qera në ambjentet e Bashkim Ulaj, biznesmen mik i Berishës, ndërsa sot strehoen në ambjentet e Gon Papulit, mik i kryeministrit Rama.
Kjo është vetëm maja e ajsbergut i abuzimeve me të. Me qëllim, gjatë viteve, në vend që ti jepej frymëmarrje, është asfiksuar. Në vend që të menaxhohej si çdo ndërmarrje private, nëpërmjet CEO-ve të kualifikuar, nëpërmjet elasticitetit në veprimtarinë e saj, është lënë në fazën si ditën kur e nxorrën për herë të parë në treg.
Gjithsesi, sot INSIG vazhdon dhe ka një fetë të tregut. Në këto kushte një qeveri e majtë do të rikapitalizonte këtë ndërmarrje, krijonte legjislacion modern për atë dhe ndërmarrjet publike, ku pika kryesore të ishin hapësira e ligjit për manovra tregëtare, borde kompetitive, kontroll rigoroz për ecurinë e tyre. Në të kundërt, nëse vazhdohet me këtë ritëm dhe psikologji, do të jemi në kushtet kur do të privatizojmë çdo aset publik. Me këtë trend, nuk do të jetë e largët dita e privatizimit të OSSHE dhe KESH.
Në ditën që po shkruajmë, 93 % të të ardhurave të buxhetit të shtetit sigurohen nga sektori privat. Edhe sikur të ishim në kushtet e një shteti që ka mekanizma dhe inspektoriate të kualifikuar dhe pa korruptuar, kjo është një shifër e frikshmë që tregon sa i pa ndikim është shteti shqiptar mbi trendin e ekonomisë. E udhës do të ishte që ky revan të ndalojë. Pasi jo vetëm që po dorëzohet shteti shqiptar në duart e privatit nëpërmjet koncesioneve dhe privatizimeve, por po dizintegrohet në kuptimin e mirëfilltë ideja e shtetit tek shqiptarët./dritare.net