Prezantohet plani urbanistik, Veliaj: Tirana do të ketë 7 qendra
Dritare.net
“Unë e di se si çdo ide e mirë, si çdo ide ambicioze do provokojë. Më thoni një punë që nuk ka pasur zhurmë, siç ishte parku i lojërave, që kaloi në histeri. Ishte shumë zhurmë për asgjë.
Është e rëndësishme që të marrim ide të drejta. Ju kemi dhënë një vit provë, ku gjërat nuk janë të komplikuara, por janë ato që kemi thënë. Ju kemi dhënë mjaftueshëm prova për të treguar se gjërat që themi janë realisht ato që bëjmë.
Tirana do të ketë 7 qendra. Tirana policentrike do të ketë qendër atë që ka sot, Kombinatin, Kinostudion, Laprakën, Bulevardin e Ri, në Shkozë dhe Qyteti Studenti. Tirana me 1 milionë banorë nuk mund të vazhdojë të sillet vetëm rreth sheshit ‘Skënderbej’. Shumë institucione duhen shpërndarë në këto qendra, në mënyrë që t’i jepet frymë qytetit dhe jo të gjithë të dynden në qendër kur kanë hall”, deklaroi Veliaj.
1 vit nga zgjedhjet, Veliaj falenderon qytetarët: Shpresoj të kem justifikuar besimin që më dhatë
Në 1 vjetorin e fitores së zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës, kryebashkiaku Erion Veliaj ka falenderuar të gjithë qytetarët që i besuan atij zhvillimin e qytetit. Duke folur gjatë takimit ku u bë edhe prezantimi i draftit te vizionit dhe strategjisw së Planit të Përgjithshëm Vendor, kryetari i Bashkisë së Tiranës ka gjetur rastin të shprehe mirënjohjen e tij për të gjithë ata qytetare që votuan për transformimin e Tiranës.
Ai ka theksuar se gjatë këtij viti është përpjekur që të justifikoje plotësisht besimin e dhënë dhe t’ua kthejë atë qytetarëve me punë konkrete për Tiranën. “Dua t’i falenderoj të gjithë ata qytetarë që ndoshta na ndjekin tani nëpërmjet ekranit, me shpresë që nuk i kemi zhgënjyer dhe me premtimin se ky ishte vetëm viti ynë i parë dhe më e mira ende s’ka ardhur”, shtoi Veliaj. Ai ka siguruar gjithashtu edhe ata që nuk e votuan apo ata që kanë qenë skeptik se Bashkia e Tiranës punon për të gjithë pavarësisht bindjeve politike të gjithkujt.