Presidenti i Komisionit Europian tha të mbahen zgjedhjet me 30 qershor, Meta: Është i painformuar për Shqipërinë
Dritare.net
Meta tha se Juncer, nuk ka qenë i informuar se në Shqipëri po mbahen votime dhe jo zgjedhje pa opozitën.
Gazetari: Të flasim pak për aspektin evropian të dekretit tuaj për shtyrjen e zgjedhjeve. Ju keni deklaruar se do të mbronit kriterin kryesor të Kopenhagës për zgjedhje të lira dhe të ndershme, garantimin e funksionimit të duhur të institucioneve demokratike si edhe pjesëmarrjen më të madhe të mundshme të partive. Dhe më 9 qershor ju nxorët dekretin teksa i bëtë të qarta këto qëndrime. Më 10 qershor Kryeministri Rama shkoi në Bruksel dhe u takua me Presidentin e Komisionit Europian. Ky i fundit tha se ishte pro zhvillimit të zgjedhjeve më 30 qershor, pasi nëse nuk do të zhvilloheshin, kjo gjë mund të dëmtonte perspektivën europiane të Shqipërisë. Zoti Juncker ka një interpretim krejtësisht të ndryshëm të asaj se çfarë është në interesin më të mirë të perspektivës suaj europiane krahasuar me Ju. Si e shpjegoni këtë?
Presidenti Meta: President Juncker është gjithashtu një mik i mirë i imi dhe është demokrat i madh. Jam i sigurt se ai nuk është informuar siç duhet për faktin se zgjedhjet e 30 qershorit praktikisht, ose në thelb janë thjesht votime dhe jo zgjedhje, sepse janë zgjedhje pa opozitën. Jam i sigurt se ai nuk është plotësisht në dijeni të gjithë situatës.
Në këtë drejtim, ajo që ju thoni është korrekte, por tani nuk është më përgjegjësi e Komisionit Europian, sepse ky Komision e ka bërë tashmë një rekomandim pozitiv për Shqipërinë. Tani ky vendim do të merret në nivelin më të lartë të politikës europiane dhe mesazhet janë të qarta se zgjedhjet pa opozitën nuk ndihmojnë progresin europian të Shqipërisë./ I.M-Dritare.net