Prapaskenat e protestës me tym pa flakë: Kush e ndali yryshin e opozitës drejt marrjes së Kuvendit?

Nga Ylli Pata

Tensioni tashmë është lënë pas dhe njerëzit janë shpërndarë. Arta Marku është zgjedhur Kryeprokurore e përkohshme ndërkohë që PD dhe LSI tashmë janë një grupim i përbashkët politik. Gruaja e zbritur nga Shkodra, tashmë do hyjë në zyrën e Llallës, njeriun që si PD e si LSI e deshin sërish në detyrë, në harmoni të plotë me faktin se e zgjodhën vetë 5 vite më parë.

Pati një moment që protesta e opozitës po arrinte kulmin, pikërisht kur deputetët dolën nga séanca dhe shkuan përpara turmave. Ndryshe nga çfarë ishte parashikuar në miting nuk foli asnjë deputet i PD-së, por vetëm Luan Rama, numri dy i LSI-së dhe Monika Kryemadhi kryetare e ësaj force politike. Luan Rama i kërkoi Gramoz Ruçit të moz guxonte që të vazhdonte séance, ndërsa u kërkoi kandidatëve për Kryeprokurorë që të tërhiqeshin. Pas Luan Ramës, plani paraprak ishte të fliste Lulzim Basha, kryetar i PD-së. Por nuk ka ndodhur.

Sipas burimeve, atij i ka ardhur një telefonatë e rëndësishme, që ia bënte të ditur se nëse njerëzit e tij do të hynin në Kuvend, përgjegjësia do të binte mbi të. Në atë moment Basha nuk është ngjitur në tribunë dhe fjalën e ka marrë Monika Kryemadhi, e cila ka bërë thirrje që njerëzit të hynin në Kuvend. Kryemadhi ka zbritur dhe ka udhëhequr turmën që nisi konfrontimin me policinë. Kordoni i parë u ça dhe turma po përparonte. Por në çast aty mbiu një grup i koracuar i Forcave Speciale që ndalën njerëzit.

Ajo që ra në sy ishte fakti që turma u ndal në mesin e saj. Madje edhe njerëz të njohur të PD-së nëpër mitingje ndaluan si me “magji”. Kryemadhit i shkuan prapa një numër i vogël deputetësh të LSI-së, ndërkohë që asnjë deputet i Partisë Demokratike nuk u përpoq që të përplaset me policinë. Mësohet se kishte një urdhër që do të arrestohej çdo deputet që do e bënte një akt të tillë. Pikërisht në këtë moment nisi një shi fishekzjarresh tymuese nga ish-selia e SHQUP-it, pra e PD-së aktuale drejt sallës së seancave plenare. Sheshi përpara Kuvendit u pushtua nga tymi.

LEXO DHE :  30 qershori si fundi i mendësisë antishtet dhe i angështisë opozitare!

Nuk dihet kush i urdhëroi këta njerëz që të sulmonin Kuvendin, por siç mësohet objekti ishte që të ndalohej transmetimi i drejpërdrejtë në TVSH ndaj u sulmua autobusi i transmetimit direkt. Pas këtij moment, deputetët e Partisë Demokratike lanë turmën dhe hynë në Kuvend ku përsëritën skenarin e Vetëvendosjes në Kosovë, jo me bomba tymuese por me një imitim me efekt më të vogël. Në fund, rendi i ditës arriti të përfundojë dhe Arta Marku u zgjodh Kreprokurore e përkohshme.

Pikëpyetja pas kësaj situate është: a ishte ky një skenar që dihej nga të dy palët? Po të vihej te, kishte një farë qetësie në radhët e mazhorancës. Prej saj nuk pati asnjë fjalim. Trupa qeveritare së bashku me deputetët, qëndruan të ngrirë. Lexohej jo vetëm një strategji e brendshme e përcaktuar për të “mos i fryrë zjarrit”, por dhe një lloj direktive diplomatike për të ndenjur urtë. Dhe kur dihet se këto të fundit, në raste ekstreme nga direktiva kthehen në ultimatime, nuk është e vështirë të kuptohet se dhe në këtë rast, diktati është vendosur nga Rruga e Elbasanit.

Logjikisht, është e pashpjegueshme ndalja e yryshit për ta përndezur më tej situatën, gjykuar si nga përbetimet e bëra e si nga detaji i pazakontë i fillimit të seancës, ku dhe vetë Berisha moshëthyer u përlesh me forcat e gardës, sinjal dhe frymëzim njëherësh.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.