Ndryshimet në Kodin Zgjedhor/ Ruçi: Reflektojnë kërkesat e qytetarëve!
Dritare.net
Sot në seancën parlamentare, pritet të miratohen ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Drafti i ri, i propozuar nga PS, u miratua pak ditë më parë në Komisionin e Ligjeve, ku opozita bojkotoi mbledhjen. Sot në nisje të seancën, kryeparlamentari Gramoz Ruçi, tha se ky është stacioni i fundit i një rrugëtimi të gjatë.
"Kjo seancë është stacioni i fundit i një rrugëtimi të gjatë, që nisi me ngritjen e Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore, në fillim të kësaj legjislature. Miratimi sot i ndryshimeve në Kodin Zgjedhor dhe i institucioneve të reja të administrimit të zgjedhjeve do të ndikojë në mënyrë kapilare dhe pozitive në proceset zgjedhore të ardhshme në Shqipëri.
Me këto ndryshime, Kuvendi iu afrua maksimalisht, natyrisht aq sa e kishte të mundur, alternativave të forcave politike për ndërtimin legjislacionit e infrastrukturës zgjedhore që u shërbejnë zgjedhjeve të lira e të ndershme. Kryesorja është se plotësuam pritshmërinë e qytetarëve shqiptarë, të cilët i kanë artikuluar qartë kërkesat për rregulla zgjedhore që nuk deformojnë e anashkalojnë, por garantojnë vullnetin e tyre.
Falënderoj opozitën parlamentare që pranoi sfidën e bashkëpunimit me opozitën jashtë-parlamentare. Natyrisht, falënderoj shumicën parlamentare, e cila në këtë proces nuk u soll si triumfatore, por si një shumicë dorështrirë. Ju ftoj të gjithëve të votojmë pro ligjeve dhe vendimeve që janë në rendin e ditës të kësaj seance", tha Ruçi./L.F-dritare.net