Basha grumbulloi qytetarët në Kavajë, policia: Shqetësim për thyerjen flagrante të rregullave anticovid!
Dritare.net
Në kuadër të fushatës politike për zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit, kreu demokrat Lulzim Basha zhvilloi sot takime në qytetin e Kavajës. Ajo që u vu re gjatë takimit, ishte grumbullimi i shumë personave duke thyer kështu rregullat e vendosura në kuadër të pandemisë së Covid-19. Pas publikimit të pamjeve Policia e Shtetit përmes një njoftimi shprehu shqetësimin për thyerjen e rregullave anticovid ndërsa kërkoi mirëkuptim dhe bashkëpunim.
“Bëjmë thirrje për respektimin e këtyre rregullave nga të gjithë dhe shpresojmë në mirëkuptimin e të gjithëve. Deri kur rregullat në fuqi do ta ndalojnë grumbullimi e mbi 10 personave, Policia e Shtetit është e detyruar të penalizojë shkelësit. Por, njëkohësisht duke mos dashur në asnjë mënyrë të hapim shtigje për keqinterpretime, u kërkojmë subjekteve politike bashkëpunim dhe mirëkuptim. Në të kundërt penalizimet me gjobat përkatëse do të jenë të pashmangshme”, njofton policia. /L.F-dritare.net