Nga të gjitha përrallat e Andersenit, ajo e një princeshe, që në fakt nuk ishte princeshë e vërtetë, por që kur e vunë të flinte mbi njëzet dyshekë arriti të ndiente ngacmimet e një kokrre bizele e të mos mbyllte sytë gjithë natën, duke u shpallur të nesërmen “princeshë e vërtetë”, ishte ajo që më vinte më shumë në mendime, sepse me dukej më e pamundura për t’u realizuar (ndërkohë që sirenat e vogla dhe mbretëreshat e dëborës ishin kollaj fare për t’u takuar).
Rrija e mendoja: nëse do më vinte ndonjëherë rasti të gjendesha përballë një prove të tillë, si t’ia bëja që të zgjohesha në mëngjes me sytë e fryrë, sepse më paskësh lënë pa gjumë një kokërr e vockël bizeleje?! Punë që s’bëhej! Vetëm mendimi i atyre njëzet dyshekëve më ndillte gjumin dhe mendoja që me këtë përrallë ai Anderseni ia kishte futur komplet kot. Nuk ka princeshë, të vërtetë ose jo, që të shqetësohej jo nga një kokërr pa qeder, por as nga një kile bizele…
Por ja që e kisha menduar gabim. Sepse nuk e dija që princeshat janë kudo. Madje dhe mes shoqeve të mia. Si ajo shoqja (jo tamam shoqe, por e dashura e shokut të Zemrës sime, me të cilën kemi dalë disa herë), tek e cila nuk kisha vënë re ndonjë gjë prej “princeshe” në sjellje, deri kur rastësisht, u gjendëm një të shtunë paradite, duke bërë pedikyr në të njëjtin sallon dhe ftesës së saj për të dalë për drekë bashkë iu përgjigja “po”, pa e vrarë shumë mendjen.
Detaji që ajo nuk më tha, bashkë me ftesën, ishte se e kishte lënë ndërkaq me shoqen e saj të ngushtë, që ishte “gocë flori dhe shuuumëëëë interesante”. Qëlloi pastaj që kjo “goca flori” ishte njëra, që kur ishim në fakultet punonte shitëse në një parfumeri te Rruga e Durrësit (nxitoi të thoshte që ai dyqani atëherë ishte i kunatës së tezes së saj, pra i familjes, dhe se tani ajo ishte “pronare” e një mobilierie, ku blinin çdo muaj gjithë VIP-at, që e ndërronin arredimin sipas tendencave) dhe kishte sjellë me vete një shoqen e saj të ngushtë, që shoqja ime, edhe pse shoqe e ngushtë me “gocën flori” nuk e kishte parë kurrë (mos jam dhe unë shoqe e ngushtë me këtë dhe nuk e kam kuptuar akoma?!).
Sjellja prej princeshash filloi bashkë me ardhjen e menysë në tavolinë. Shoqja ime ishte e mendimit se nuk kishte pse viheshin gjithë ato asortimente si “katunarët” në meny, mjaftonin disa specialitete të ditës, ndonjë gjë e veçantë: gourmet (kështu më dukej se ishte, se e thashë disa herë me vete, që ta mbaja mirë mend) dhe se duhej të na ofrohej patjetër një aperitiv bashkë me menynë. “Goca flori” ishte e mendimit të kundërt, se menyja ishte tepër e varfër dhe duhej të kishte dhjetëra antipasta, primi, secondi, deserte, specialitete dhe pjata të ditës.
Diskutimi vazhdoi gjatë dhe u gërshetua me informacione “mjaft interesante” të restoranteve nëpër botë (me “nëpër botë” nuk përshihet Greqia, Italia dhe largqooooftë ndonjë ish-Republikë e ish-Jugosllavisë). Ndërsa unë dhe vajza e katërt iu përveshëm pa bërë fjalë pjatave me pasta (po sikur të thosha makarona, a më nxirrnin jashtë?!), sallatës dhe një bifteku të hatashëm, shoqet tona u grindën dhe kthyen mbrapsht një pasta me vongole (guaskat nuk na ishin pastruar mirë dhe ndihej shija e rërës), perimet e pjekura (ishin të ndenjura), pennet arrabiata (ishin shumë pak djegëse), prapë pennet arrabiata (ishin tepër djegëse, mos ishte gjë me nerva kuzhinieri që po i përcëllonte ashtu?!), fileton e viçit (nuk ishte e pjekur diku mes sanguinatta dhe medium well), pastaj po fileton e mishit (sepse ishte bërë well done dhe të hiqte komplet urinë)… Një betejë treorëshe me kamerierin e shkretë, që s’dinte si t’i kënaqte, shoqëruar nën zë me kërcënime: “Të ishim jashtë shtetit, do na kërkonin të falur, e s’do na e sillnin fare faturën”.
Por meqë ishim brenda shtetit, kjo nuk ndodhi. Por, meqë këtu brenda shtetit kishim të bënim me çuna të mirë, na qerasën me nga një sorbeto, që në tryezë nuk u prek me dorë pasi nuk ishte e sapobërë, por ishte blerë e gatshme. Kaluan direkt tek kafet, kur njëra kërkoi një “korreto me grapa, por të shkurtër jo të gjatë dhe sheqer dietik” kurse tjetra “kapuçino gjysmëdekafeinato të karamelizuar e me lajthi të grira, me pak kanellë dhe me shumë panna magra”. “Ka mbaruar”, – tha shkurt kamerieri. “Çohemi urgjent e shkojmë në një vend përsëmbari”, thanë të dyja në një kohë, pa na lënë kohë ne të shkretave të porosisim ndonjë makiato me qumësht të ftohtë. Aahhh, nuk bëhemi dot princesha mbi bizele, ne joooo!!!! As me gjasme!/tiranapost.al