Mbi librin më të ri të Ylli Polovinës, “Komunizmi, siç e pashë”
I porsadalë nga shtypshkronja ky publikim në 240 faqe i “Botart” duket tërësisht ndryshe prej shumicës së rasteve të tjera, ku intelektualë të thjeshtë apo protagonistë të njohur të periudhës së quajtur “Diktatura e Proletariatit” (ose Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë), kanë minimizuar apo mohuar çdo bashkëpunim me të, madje kanë sajuar epope disidence dhe kundërshtimi të vetëdijshëm e të organizuar ndaj saj.
Polovina, tashmë duke shkuar drejt 71-vjeçarit të jetës së tij, i ka dhënë të drejtë vetes më në fund, ndoshta jo vetëm me këtë botim, që pas 29 librave për të tjerët, të shkruajë edhe për veten. Aspak në kuptimin ngushtësisht personal, sepse kjo nuk i duhet askujt, por për atë që ai ka parë e përjetuar sinqerisht, duke qenë nga afër dëshmitar në jetën politike, shoqërore dhe kulturore të vendit. Prandaj ai citon dhe rrëfen për studentë e profesorë të njohur, për italianë, francezë apo çekë, për ministra e udhëheqës shqiptarë, për shkrimtarë dhe artistë të shumënjohur në vendin tonë, por edhe për të tjerë jashtë tij.
Ylli Polovina ka mbajtur një ditar me shkrim dhe zë që prej moshës 17-vjeçare dhe deri tani. Në librin “Komunizmin siç e pashë” ai ka paraqitur një të tetën e asaj çfarë ka shënuar që prej 10 janarit 1965 deri në 23 mars 1992. Në pjesën hyrëse të librit ai garanton se çdo gjë është shkruar në korrektesë me ditarin dhe për këdo që mosbeson, vihet në dispozicion t’i paraqesë faksimilen e tekstit origjinal.
Polovina ndërsa pohon se e ka dashur Partinë e Punës dhe Enver Hoxhën, saktëson ndërkohë që “Kam shpresën, por ndoshta vetëm iluzionin, se me çfarë po bëj, do të jetë një shërbim për të njohur të shkuarën e ndërlikuar të realkomunizmit shqiptar”. Ai vë në dukje po ashtu se “E di fare qartë që duhet të zbatohet parimi i kohës më të keqe të historisë, asaj të totalitarizmit dhe të demokraturave, kodi themelor i të cilës mbetet: “Atë që e mendon, mos e fol; po e fole, mos e shkruaj; po e shkruajte, mos e firmos; po e firmose, mohoje!”
Më poshtë po japim disa pjesë nga ditari, nëntitujt janë të mijtë (Z.H)
Shënime dite mbi librat
11 prill 1965, Berat
…Ndeshja Shqipëri Zvicër përfundoi 0-2. T’i marrë dreqi këta tanët! Penallti kundër nesh në sekondat e fundit.
Tjetër, asgjë me rëndësi.
E diela për mua është një ditë e lodhshme, plot rrëmujë, por jo pa frymëzime.
12 prill
…Mbrëmë lexova libërthin e M. Gorkit “Shkatërrimi i personalitetit”. Tani u binda plotësisht se M. Gorki është i madh.
Ai arsyeton, ai thjeshton situatat e vështira të krijuara nga degëzimet e mijëra mendimeve, tezave dhe gjykimeve dhe gjen shkakun kryesor të shkatërrimit të personalitetit dhe në zhdukjen e individit.
Me sa kuptova unë këto shkaqe janë:…
Është ora aty afër 12 e natës. Për nja dy orë lexova novelën e Dh. Xhuvanit “Midis dy netëve”. Ajo më pëlqeu. Po mundohem të përcaktoj disa nga mendimet e mia rreth kësaj novele…
14 prill
Dje mbasdite vajta në bibliotekë. Im at më kish blerë biletë për tek filmi “Kurrizua”, por fatkeqësisht për orën 5-7. Mirëpo unë gjatë kësaj ore desha të lexoj diçka në bibliotekë. S’kisha ç’bëja. E ndërrova me një biletë për 7-9.
………..
Në bibliotekë mora librin “Shënime letrare” të Razi Brahimit. Nuk më pëlqejnë aq shumë kritikat e tij. Unë mendoj se kritika nuk duhet të jetë një raport, apo diçka gazetareske pa art e pa gjallëri artistike. Mirë se mund të vendosësh terma dhe fjalë shkencore, mund të nxjerrësh konkluzione të drejta e të rëndësishme, por përsëri atë unë akoma nuk e quaj të plotë. Ajo kështu do të mbetet e thatë dhe gjithmonë mbas atyre shkronjave do të dalë fytyra e vrenjtur dhe e zymtë e kritikut. Pra, ai duhet t’i japë gjallëri kritikës me figura dhe mjete letrare. Kështu mendoj unë, por ndoshta e kam gabim…Megjithatë ndoshta.
Ndesha rastësisht në këto citate të Juli Putramentit (s’e kisha dëgjuar ndonjëherë): “Shkrimtari marksist nuk duhet të shkruajë për çështje aktuale…Nëqoftëse arti u shërben disa parrullave politike të çastit, një gjë e tillë është harxhim i artit”.
Shumë e çuditshme!
Në qoftë se shkrimtari marksist nuk duhet të shkruajë për çështje aktuale, përse atëhere të shkruajë?…
Në qoftë se ai (shkrimtari marksist) nuk do të shkruajë për aktualitetin, ç’rëndësi do të kenë veprat e tij?…
Lexova Leninin…
15 prill
Tani ora duhet të jetë afër 11.30 e natës. Lexova “Leninin” dhe u mundova të përqendroj vëmendjen atje, por sukses të madh nuk arrita dot në këtë drejtim. Më mbysin mendime të tjera. Kam ndërmend të shkruaj një novelë satirike për të ironizuar tipin mikroborgjez modern të kohës sonë…
Tani do të lexoj pak “Proza antike greke”. Më duhet të studjoj lashtësinë që të përpij mënyrën e të pasqyruarit artistik të heronjve dhe ambjenteve (pluhurosur, sigurisht, me thërrime modernizmi).
22 prill
Sot bisedova me profesorin e letërsisë, Luan Myftiu, për disa gjëra të letërsisë. I shfaqa mendimin tim për krijimin e novelës humoristike “Ka krimba të tillë” dhe i tregova shkurtimisht si do të shtjelloj veprën. Ai në fillim u entuziazmua dhe pastaj tregoi se mund të ishte interesante.
Sa i thjeshtë është ai njeri dhe sa e pamëshirshme është të ndrydhet talenti i tij për faj të një të kaluare të hidhur! Ndoshta thjeshtësinë, çiltërsinë dhe padjallëzinë e tij unë s’do ta kem kurrë. Ai studion, punon shumë….
Në këto çaste dua t’i thurr një hymn të madhërishëm, një apoteozë!
Mua më duhet të lëviz, të dal, të jetoj.
………………
Rrofshin komunistët!
16 shkurt 1970, Tiranë
Ora 12.00. Restoranti “Durrësi”. Kritika ime për shfaqjen e Institutit të Arteve “Vajza pa prikë” do të botohet tek gazeta “Studenti” të enjten.
Ora 16.15. Auditori 4. Presim shkëlqesinë e tij Jakov Xoxa prej gati gjysëm ore.
Ora 22.30. Auditori 4. Kolokiumi i stilistikës u shndërrua në provim. Ndodhem brenda në auditor bashkë me 12 vetë të tjerë që presim radhën. Më ra raportimi me Jakov Xoxën. Ky bile më përshëndeti.
17 shkurt
Ra borë si mbrëmë ashtu dhe sot në mëngjes.
23 shkurt
Pashë filmin “I teti në bronx”. Qava në fund. Gati një orë s’më është shkëputur i gjithë ai film. Kam një ndjenjë të tillë admirimi për të sa s’mund të shkruaj asgjë përveç lavdërimit.
Përqafoj Driteroin, Mevlanin, Sandër Prosin.
Përqafoj Partinë.
Rrofshin komunistët!
Nga gur miniere, metal i pastër për Partinë
22 shtator 1971
17.30, Zhvillohet konkursi i Historisë së PPSH-së. Situata është e qetë. Duhet që të përmbahem dhe ta zhvilloj punën në heshtje. Fituam? Jo, barazuam me gjimnazin e Korçës. U la vendimi 3:3.
Ora 18.05. Më bën përshtypje një shënim shumë i bukur për Frrok Kol Kaçorrin që u vra në minierë: “S’keni të humbur me këta djem që na i merrni gur miniere, e na i ktheni metal të pastërpër Partinë”.
Në majë të karrocerive të makinave
E hënë, 6 tetor 1980
Jemi në zyrën e shkollës së lirë ushtarake të Tërpanit dhe po shohim lajmet në televizor. Po tregojmë se si lëvizim ne fatkeqët nëpër makina. Alqi (oficer-shënimi i tanishëm) përmend një rast kur ka zbritur në Berat bashkë me lopë e viça, është bërë me bajgë e pizga deri në mes, e pastaj është detyruar të lahet në lumë para se të hyjë në qytet.
Pastaj Alqi më përshkruan mua nëpër karroceritë e makinave, futur në fësh-fëshen rrjepacuke bojëqielli e me kokore të ngjeshur në kokë. Kurse Byni tregon se një tjetër herë kanë takuar tek bishti i urës së Goricë një shofer që iu tha: “Do t’u marr se e kam për detyrë, por ja sa të pi një kafe”. Ai karrocerinë e makinës e kish mbushur me voza, të cilat i kishte pasur të mbushura me djathë e gjizë. Tani ishin bosh dhe nëpërto u futën mësuesit. Deri në fshatin Drobonik që të mos i shihte policia apo vullnetarët e saj, i kishte porositur të rrinin të fshehur brenda tyre dhe u lejohej të nxirrnin vetëm kokën. Pas Drobonikut kishte nxjerrë kokën nga gabina dhe u pati thirrur: “Çohuni tani!”
Një herë tjetër, tregonte Byni, tek kamioni i Ndërmarrjes së Grumbullimit, me shofer Et’hemin, kishte hipur bashkë me cjepë. Në Qafë të Kumbullave shoferi kishte marrë edhe mësueset e Plashnikut. Nga lëvizjet e makinës që ikte si e krisur, një cjap me brirë të mëdhenj i futet nën shalë një mësueseje. Ajo klithi. Një mësues u hodh dhe bëri të tërhiqte cjapin prej bishti. Por cjapi nga zemërimi ngriti kokën duke ngritur kështu edhe fustanin e mësueses. Kësaj here klithmat në karroceri kishin bërë që të frenonte në vend makina.
E gjen nga s’e panden!
E diel, 24 maj 1981
Tërpan. Para disa kohësh një lukuni me “kuadro” të tregtisë, një pjesë komunistë bashkë me të plotfuqishmin, polic Xhemilin, vajtën për darkë tek N. Z. Atje pinë sa u frynë, nga mesnata një kafshar i tregtisë nga Lilaj tha ta pimë këtë gotë për Beqir Ballukun. Kaq idiot sa nuk dinte ç’kishte ndodhur!
Ky fakt u nënvleftësua. Pija vazhdoi, njerëzit vollën nga pija e tepërt. Ndaj të gdhirë N. na kishte marrë në telefon punonjësin B., operativin e Sigurimit. Plasi skandali dhe fundi: disa komunistë bërë kandidatë partie, N. e pushuan nga puna, Ll. e zhveshën si ushtarak dhe e çuan një vit në prodhim.
Pastaj ndodhi një histori tjetër: Dy nxënësit tanë të vitit të katërt prishën komunikatën e emulacionit në një aksion në Tozhar dhe vunë një “komunikatë” të tyre me disa dembelë e parazitë. U bë problem i madh.
Ngjarja e tretë: B. S. i sapodalë nga burgu për vjedhje kish thënë në zbor ”ç’mut ushtrie është kjo, kjo s’është ushtri!” E kishin lidhur menjëherë.
Ndodhia e katërt: një banor në Tozhar kishte thënë: “Ç’na duhet me Kosovën”. Iu vunë prangat.
E pesta ngjarje: një tjetër në Plashnik, i cilësuar kulak, e kishte nisur diskutimin e tij në brigadë me fjalët: “Unë Partinë nuk e dua, por disiplinën e dua”. U arrestua!
Ndodhia e gjashtë brenda pak ditëve: të shtunën, pra dje, duhet të kenë bërë edhe një arrestim tek Ballinjtë në Vokopolë.
Është eufori në punën politike kjo, apo vigjilencë e lartë me pak sektarizëm? Janë që të dyja.
Thonë se dy të arrestuar në nxitim e sipër vetë Dega e Punëve të Brendshme i liroi.
……
Në Tërpan: llokume që u pranova në Parti!
E enjte, 12 nëntor 1981
Vetëm dy orë kanë ikur nga çasti kur organizata bazë e partisë aprovoi kërkesën time për t’u pranuar anëtar partie. Isha i gëzuar? Shumë. E ca më shumë i tronditur edhe pse rrotull kisha ata shokë fshatarë fjala e të cilëve, si dhe vepra e tyre, jo gjithnjë më kishte pëlqyer.
Veçse me mua kanë qënë dashamirës e unë ca më shumë me ta. Pyetje nuk pati asnjë. Për të folur ngritën duart njëherësh xha Jaupi dhe xha Ganiu. Por foli xha Jaupi, natyrisht mirë. Pastaj të tërë thanë: “S’kemi ç’të themi tjetër”. U aprovua kalimi im nga kandidat në antar partie.
Pas mbledhjes u ndava të gjithëve nga një llokume.
Radhë të gjata vajguri dhe festa jubilare partizane
E mërkurë, 4 janar 1984
Muajin e fundit, në dhjetor, radha e vajit të gurit arriti kulmin, katër ditë rresht për të marrë dhjetë litra. Doemos TEC-et konsumojnë, me naftën jemi defiçit, por ka diçka që s’vete në psikollogjinë dhe opinionin e mbarë njerëzve, të cilët socializmin e kanë parë të japë çfarë të dojë.
Doemos që është mosorganizim.
Radha për mish e për kaposh deti arriti kulme të papara, u bë boks e shumë njerëz gdhiheshin e ngryseshin në radhë. Më datën 31 dhjetor ende një pjesë nuk kishin marrë kaposh apo pulë deti. Ndërsa në frigorifer, nga vitrina u pa se s’kishin të mbaruar “miqtë” që ishin mbi të gjithë shefa. Ata e merrnin kaposhin me çmim të ulur, se ishte “me defekt”.
Ndërkohë në 31 në mëngjes tregtarët tanë (punonjësit e tregtisë së vetme, shtetërore, në atë periudhë-shënim i tanishëm) vërtiteshin në Lushnjë apo Tiranë dhe sollën ca mish.
Më 1 dhe 2 janar, me dyer të mbyllura tashmë, dyqanet u gdhinë me mish e kaponj.
Megjithëse urdhëri është dhënë në kohë që energjia elektrike mos u pritet banorëve, Komiteti Ekzekutiv dhe ndërmarrja elektrike ka marrë fuqi të pakufizuara dhe ul e ngre levat si të dojë. Askush nuk u ndal dorën. Vetadministrojnë.
Administratat dhe në përgjithësi aparatet tregohen të ngathët, mezi i zgjidhin problemet, i zvarritin ato, më shumë pijnë kafe se punojnë.
E premte, 16 mars
Festohet 40 vjetori i Brigadës së 7-të Sulmuese. Berati ka ndezur kurorë dritash tek këmbët e Urës, mbi Komitetin Ekzekutiv dhe Komitetin e Partisë… Një projektor ndriçon Ajet Xhindolen (bust), vepër e Vangjel Papës, e përuruar dje.
Për drekë do na vijë një partizan.
Partizani erdhi. Ishte njeri i një dëshmori të Brigadës. Rreth 35 vjeç, i thjeshtë…
Por partizani i parë në shtëpi për vajzën tonë Albën ishte im at, gjysh Bani. Ajo nuk e priste që të vinte me shallin e partizanit. Prandaj shtangu kur ai erdhi dhe iu hodh në qafë.
……
Lajm i hidhur: Vdiq Oris Sheqeri!…
14 Janar 1990
Ç’thonë njerëzit për situatën politike?
Në NPN, Drita Xh.: “Nuk tërhiqemi nga vija e Enverit. Më tha roja pasi doli shoku Foto: “Mos do plasi lufta?” Luftar.O.: “Kemi bëre aksion për pastrimin e transheve”.
“Më pas do të na japin lopët, me siguri do të lirohet kjo punë”, thonë disa fshatarë.
Çaush R.: “Kemi forcuar gadishmërinë. Në Osmënzezë janë hequr armët dhe kanë ardhur në Velçan”.
16 janar
Në Bogdan si edhe në një fshat tjetër të asaj zone, afër, ka këto dy raste të bukura…: Në një godinë të muzeut, hequr tabela, stendat dhe vendosur një familje e internuar. Në një muze tjetër dykatësh, në katin e dytë ishte muzeu dhe tabela, në katin e parë një familje tjetër e internuar.
…..
10 dhjetor 1990
Ndodhi në Fier: Lenka Çuko për 28-29 Nëntor porositi të bëhej banket. Nja 100 huliganë (dhe mirë bënë) vajtën e ia prishën atë darkë të asaj dite.
Si është e mundur që bëhen bankete në një kohë të tillë?
13 dhjetor
U hap kisha në 12 dhjetor, sot u vu shpallja për hapjen e xhamisë.
Krizës ekonomike beratasit iu përgjigjën me një lajmërim vdekje në dy pjesët e hotelit në qendër të qytetit, ku thuhej se “Me hidhërim të madh lajmërojmë se vdiq Oris Sheqeri. Presim ngushëllime”./Gazeta Dita/