Nëse pas 10 ditesh protestë në mënyrën më shembullore të mundshme, ka akoma veshë që nuk arrijnë të kuptojnë se çfarë duan këta qurrashë e dembela të padisiplinuar, atëherë s’mund të quhet ndryshe përveçse shurdhëri selektive.
Sepse këta të rinj që kanë shfaqur një artikulim të përsosur kudo kanë folur, kanë arritur të errësojnë komplet gagaçërinë duke ndriçuar mbi paaftësinë e një klase të tërë politike që si ushqim për ta ka veç propagandën.
Kushdo prej tyre, apolitik, neoliberal, konservator, i inflitruar ose sufllaqexhi që del në rrugë ka bërë zgjedhjen e vështirë për të qenë në krahun e duhur të historisë në një moment krize morali kombëtar.
Sepse nëse akoma nuk është e qartë për ndokënd, ata po shkruajnë historinë, dhe po e bëjnë më së miri. Pa dhunë, pa djegur goma, pa u perçarë por veç me buzëqeshje dhe kërkesa modeste.
Modestia është përkufizimi i duhur për kërkesat e shtruara nxitimthi në kor pasi nuk janë asgjë tjetër përveçse vënia në vend e dinjitetit të tyre të përdhosur që në djep.
Nuk është më çështje tarifash, as batanijesh por varfërie , ekonomike dhe kulturore që shumë të rinj e ndjejnë si peshe mbi shpinë kur dalin në tregun e punës si mish për top.
Kjo e bën thellësisht politike thelbin e protestës dhe vë përballë përgjegjësisë politikën që fatkeqësisht e ka të pamundur të kuptojë se ka përballë një brez në moshën më të pabindur dhe që mbi të gjitha, nuk ka asgjë për të humbur.
Politika u ka mbyll dyert në parlament përmes listave zgjedhore të mbyllura e ndërkohë pushton me ligj autonominë e brishtë të universiteteve duke u infiltruar dhunshëm në shtëpitë e studentëve përmes shumicës nëpër borde.
Ndaj edhe studentet po i japin leksione demokracie politikës duke kërkuar ta përcjellin atë nga rruga, brenda auditoreve, senateve dhe bordeve.
Ata kanë krijuar vetdijen se ky rrethi i mbyllur vicioz i korrupsionit nëpër universitete përçahet vetëm nëpërmjet demokracisë direkte.
Aq më tepër kur çështja ka mbërritur në pikën e demaskimit publik të anëtarëve të bordeve, pasurive lebetitëse rektorëve e dekanëve, të ekselentëve të dyshimtë, të perversiteteve të profesorëve shushunja me rrezikun që të kthehet në një gjueti shtrigash.
Në momentin kur ke në rrugë një masë kompakte dhe të vendosur për kërkesat e tyre, kjo minimalisht rrëzon ligjin për arsimin.
Dhe politika s'duhet të kompleksohet nga krijimi i precedenteve por duhet të mësojë të rishikojë qëndrimet e veta, duke rihartuar njē ligj për arsimin, kësaj here pa monolog me veten.
Ky është i vetmi dialog në të cilin studentët janë të gatshëm të ulen. Ndërsa të 8-të kërkesat janë veç detyrime rutinë që çdo shtet me frymë perëndimore ia ka borxh rinisë së vet dhe këtu s'ka nevojë për dialog, negociata apo një kafe makiato.
Një ditë frika trokiti në derë, kurajo shkoi ta hapte por pa se aty nuk ishte askush. Studentët e shqyen derën, është koha që politika të hapë të sajën./ Dritare.net