Përkthimi i Vetting-ut/ Maja Kocijançiç: Dënojmë akuzat e rreme, kanë si qëllim bllokimin e ligjit
Dritare.net
Koçijançiç, zëdhënëse për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë e BE-së dhe për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatave të Zgjerimit ka deklaruar se përgjegjësia në përkthimin e gabuar është e institucioneve shqiptare që e kanë përcjellë dokumentin në fjalë në Komisionin e Venecias, pavarësisht se kush e ka kryer procesin e përkthimit që në këtë rast është EURALIUS.
Në reagim thuhet se BE dënon akuzat e rreme mbi EURALIUS dhe Delegacionin e BE për përkthim të qëllimshëm me gabime të Kushtetutës dhe ligjit të Vettingut.
Koçijançiç tha se deklaratat, të cilat në mënyrë artificiale synojnë të krijojnë konfuzion, duket se kanë të vetmin qëllim që të mundohen të vonojnë zbatimin e reformës së drejtësisë, përfshirë rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Reagimi i plotë:
Transmetimi i përkthimeve zyrtare të çdo dokumenti është përgjegjësi vetëm e atyre institucioneve shqiptare që i paraqesin ato para Komisionit të Venecias. BE dënon përhapjen publike të akuzave të rreme që pretendonin se EURALIUS dhe Delegacioni i BE-së janë përfshirë në gabime që supozohen të qëllimshme në përkthimin anglisht të legjislacionit shqiptar që i është dërguar për shqyrtim Komisionit të Venecias.
Shqiptarët mbështesin në shumicë dërrmuese reformën tërësore të drejtësisë që përfshin procesin e rivlerësimit (vetingun).
Veprimet apo deklaratat, të cilat në mënyrë artificiale synojnë të krijojnë konfuzion, duket se kanë të vetmin qëllim që të mundohen të vonojnë zbatimin e reformës së drejtësisë, përfshirë rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. BEja është e vendosur të vazhdojë të sigurojë gjithë asistencën e nevojshme që qytetarët e Shqipërisë të kenë qasje në një sistem drejtësie të besueshëm dhe të përgjegjshëm