“Panorama” ka siguruar një nga këto biseda të përgjuara, pjesë e dosjes së Prokurorisë, ku të dyshuarit flasin me njëri-tjetrin në lidhje me lëvizjet e Policisë. Ndonëse u referoheshin operacioneve antikanabis, në bisedë ata thoshin që “nesër pasdite kanë për t’ardhë një copë herë me pi kafe”.
Përgjimi
Mori ai miku …nesër, pasnesër mbasdite kan për t’ardhë një copë herë me pi kafe. (Do kalonin policë për operacion anti-kanabis)
– Si? Po a ka maru pun ai?
– S’di gja.
– A je tu e marr njiher n’telefon?
– Po e mar unë, por kur don me ardh trama, nesër?
– Po… nesër tha, jena për rrugë mjes, masi t’pimë kafe dikun tha..se kane punt e veta o burr..se kan për të shku me therr do kedha me i ven, edhe kur të kthejn kan për t’ardhe me pa ato tujet.
– Dmth nesër vijn aaaa?
– Për Zotin masdite tha…po pa merak o burr tha se ska pse me u ashtuna…!
– Për siguri mere e thuj se nesër nuk bohemi për kafe, se nuk kena mundsi me ik shpejt. (Pra, të gjendej mundësia të shtyhej operacioni policor në zonën e tyre)
Operacioni
Të arrestuarit e operacionit të finalizuar mbrëmjen e së hënës ishin Zan Kasmi, oficer policie dhe Luftar Nelaj, Hashim Nelaj, Elton Haxhia, Bashkim Kodra. Sami Balloku e Aldo Xhaferri ishin arrestuar më herët në kushtet e flagrancës.
Sipas Prokurorisë, në formën e një grupi të strukturuar me role të ndara, ata ishin përfshirë në kultivimin e kanabisit me qëllim trafikimin e tij jashtë vendit. Droga kultivohej në parcela në malësitë e Kurbinit, apo në vende të mbyllura të përshtatura me ndriçim dhe llamba ngrohëse.
Referuar hetimit, organizator dyshohet të jetë Luftar Neli, i cili kishte marrë “garanci” se bimët e mbjella prej tij nuk do të cenoheshin nga forcat e Policisë së Komisariatit të Kurbinit.