Për namuzllinjtë e çadrës dhe sedërlinjtë sallaksë
Dritare.net
Pas 48 orëve të një veprimi je i qetë të gjykosh nëse hapi i ndërmarrë ishte i drejtë apo jo.
Tashmë që ka kaluar afati i mjaftueshëm kohor, mendoj se kam bërë mirë që shkova në çadër dhe fola me ata që protestojnë aty. Ishte një hap i mirë dhe serioz, në kundërshti me homologë të mi gazetarë, që protestën e përdorën për të bërë spektaklin e rradhës, për ta karikaturizuar apo nxjerrë në dritë të keqe. Vajtja aty shërbeu për ti thënë ballas shqetësimet që ka sejcili, ku protestuesit janë gabim apo çfarë mund të bënin më mirë. Asnjeri nuk m’u sul të më godiste pavarësisht se i thashë të gjitha çfarë kam thënë në shtyp: për nevojën që të harrojnë Berishën, të sjellin frymën e re, të bënin një betejë më fisnike si ajo për ndryshimin e sistemit zgjedhor, etj.
Bëra mirë që pranova ftesën e organizatorëve pasi atyre ju duhej si dëshmi hapjeje ndërsa unë për të treguar që dialogu është gjithmonë i mundshëm. Një arsye që e shton bindjen time për dobinë e vajtjes është sepse siç mësova më vonë, organizatorët kishin pasur probleme në prapavijë pasi disa eksponentëve të tyre ju dukej sikur po shkoja t’iu merrja vendet e deputetllëkut. Madje për këtë nuk ngurruan të më bënin edhe biografinë. Dua t’iu them të sikletosurve: Qetësohuni! Nuk kam ndërmend as të vij tek PD dhe as t’iu marr ndonjë vend deputetllëku. Për momentin di të them se keni ende kohë të vini në pushtet dhe e vetmja gjë që ju morra për një orë, ishte një karrige plastike. Ju jap falas dhjetë të tilla kur të doni. Erdha aty sepse mendoj që ky vend ka nevojë të dëgjojë njeri tjetrin ashtu siç unë dëgjova dhe demokratë brenda çadrës më dëgjuan.
Isha aty edhe si një kujtesë për pushtetin që rri si mur kundër murit por edhe militantët që bëjnë korin e sedërllinjve që më kujtojnë rreshtimin. Personalisht i kam provuar pushimet nga puna timin dhe të familjarëve, sharjet dhe ofendimet, kështu që mi lini denglat të shoqëruara me saze apo me bejte. Isha aty sepse më vinte maraz kur dikur Saliu i’a u bënte me dorë nga dritarja e zyrës grevistëve të urisë, ashtu si protestuesve Rama me Zahon në duar nga cepi i trotuarit. Është një spektakël që tallet me problematikën tonë që ka 7 vjet që zgjat dhe nuk i shërben askujt. Pasi nëse i pari e çoi PD-në dhe qeverisjen e saj si kovë në fund të pusit me rezultat elektoral më të dobët në jetën e saj, ky tjetri nuk mbeti femër që ka punuar në bashki apo klient pa e bërë ministër duke rrezikuar që në 2021-shin të japim edhe shtetin me koncesion se s’ka për të mbetur asgjë. Nëse opozita ka nevojë për reformim pasi udhëheqës të saj kanë vjedhur e vrarë, në të njëjtën derexhe ka arritur edhe pozita e sotme që për të vjedhur nuk lë gje mangut dhe për të vrarë, vret por me lezet. Mos harroni se Arditi në Sharrë dhe katër të djegurit e dializës në Spitalin Amerikan janë “meritë” kësaj pozite, shpërdorimeve me pushtetin dhe klientelizmin.
Nëse ka gjë më komode sot në Shqipëri, është të shash opozitën e cila ka një mijë probleme. Duke harruar se njëri krah është trashëgimtar i Saliut, ndërsa tjetri i Enverit, ku asnjëri prej tyre nuk do përfundojë në parajsë me breroren e ëngjëllit. Kjo është pak por e sigurtë. Por ja që këtë opozitë kemi, mirë apo keq. Ndaj deri në momentin që të importohet nga Kina një opozitë me porosi, duhet që të dëgjohet kjo që kemi. Ta shash, margjinalizosh apo eleminosh opozitën, nuk eleminon problemin por vetëm i ke dhënë një shans pushtetit të bëhet më autoritar, hajdut dhe ç’njerëzor./dritare.net