Për ëndrra netësh të bardha

Nga Arta MARKU

Qe një natë e mrekullueshme, një nga ato net që vetëm kur jemi të rinj na qëllojnë, i dashur lexues. Aq yje dhe drita kishte në qiell sa tek i shihje nuk mund të mos pyesje me vete: si mund të jetojnë nën një qiell të tillë lloj-lloj njerëzisht zemërakë e tekanjozë?

Pyetje prej të riu është edhe kjo, i dashur lexues, prej të riu njomëzak, por dhëntë zoti që këso pyetjesh t’ia bësh edhe ti vetes, sa më shpesh”.

***

NET TË BARDHA, titullohet libri që kam tërhequr nga rafti për t’jua rrëfyer. E qartë që bëhet fjalë për DOSTOJEVSKIN. Një libërth i vogël, në 74 faqet e të cilit rrëfehet historia e një ËNDËRRTARI. Një djalë i ri, një vetmitar që endet rrugëve të qytetit të madh në shoqërinë e ëndrrave dhe fantazive të tij.

Ëndërrtar e quan veten edhe ai. Krejtësisht i shkëputur nga realiteti i shijon çastet e pafundme të pështjellimit nëpër ëndrra, e njëkohësisht vuan vetminë. Thellë brenda vetes, edhe pse e ka kokën mes reve, është në kërkim të një shoqërie. Në fakt nuk është e thjeshtë të shpjegohet personazhi, as mënyra e ekzistencës së tij. S’ka si të jetë e thjeshtë përderisa ai, teksa flet për veten, bën një depërtim në thellësitë e psikes, bën një autoanalizë psikologjike që më shumë se sa me thelbin e vet, ka të bëjë me thelbin e errët të njeriut në përgjithësi…

***

Kisha frikë të mbetesha vetëm dhe tri ditë radhazi u enda qytetit me atë brengë pa e kuptuar asfare se ç’po ndodhte me mua. Kaloja nëpër shëtitoren e Nevës, ia mbaja nga kopshti, i bija nga bankinat e lumit dhe syri nuk më zinte asnjë nga ato fytyra që qeshë mësuar t’i shihja po në ato vende e po në ato orë gjatë gjithë vitit. Ato, s’do mend që nuk më njohin, por unë i njoh. I njoh mjaft mirë a thua se ua kam mësuar përmendësh tiparet dhe kënaqem kur ato janë të gëzuara dhe pikëllohem kur janë të ngrysura…”

***

Është kryepersonazhi i librit NET TË BARDHA. Me pak fjalë, për të mund të themi se është një djalë i ri me kryet në re. Nuk ka njohje por beson se të gjithë njerëzit që sheh rrugëve gjatë ecejakeve të tij të përditshme nëpër të njëjtat vende e orë janë të njohurit e tij. Dhe njëkohësisht është një vetmitar me V të madhe.

Përballë tij NASTJENJKA. Krejt e kundërta e tij. Vetmitare edhe ajo. Ëndërrimtare gjithashtu por ndryshon kryekëput me Ëndërrtarin.

NASTJENJKA është 17 vjeç, e bukur. Diçka e mundon. Në një orë të shtyrë të natës, e mbështetur në një bankinë buzë lumit, qan. Ëndërrtari e pikas vajzën dhe i bën përshtypje ngashërima e saj. Në fakt nuk është i sigurt që e ka dëgjuar ngashërimin. Më shumë e ka ndjerë se vajzën diçka e mundon. Dëshiron t’i ofrojë ndihmë. Më mirë le të themi se çfarë më së shumti dëshiron, është një prani për veten e tij. Shoqëria e dikujt pra. Sikur kjo prani të ishte kjo vajzë e bukur akoma më mirë. Fillon ta ndjekë pa guxuar t’i flasë. Por diçka ndodh papritmas: një i dehur i vihet pas vajzës duke e shqetësuar, atëherë, ëndërrimtari i Dostojevskit ka rastin që ta shpëtojë vajzën nga kthetrat e të dehurit. Ajo, mirënjohëse, e lejon ta përcjellë deri në shtëpi. Por nuk ndahen te dera. Ulen në një stol e bisedojnë, duke rrëfyer secili për veten…

***

Ka në Petërburg Nastjenjkë ca skuta mjaft të çuditshme. A thua se në ato nuk hyn po ai diell që ndrin për të gjithë Petërburgasit, por një diell tjetër, i posaçëm si i stisur me porosi për ato skuta… Kam për t’ju rrëfyer Nastjenjkë se në ato skuta jetojnë ca qenie të çuditshme: Ëndërrtarët. Ëndërrtari, po t’i bëjmë një përkufizim nuk është një njeri, por si me thënë një krijesë e gjinisë së mesme. Gjallon në të shumtën e kohës në ndonjë kënd të humbur a thua se i fshihet ende dritës dhe me t’u kthyer në shtëpinë  tij, ngjitet si kërmilli pas guaskës. Ose së paku, i ngjan më shumë në këtë drejtim, asaj kafshës interesante që është kafshë dhe shtëpi njëherësh e që quhet breshkë. Si thoni ju, pse i do kaq shumë ai muret e veta, të lyera medoemos në të gjelbër, të nxira bloze e të tymosura duhani në mënyrë të papërshkrueshme?”

***

Ëndërrtari teksa rrëfen veten, e përshkruan me ngjyrat e njeriut që nuk është aspak me këmbë në tokë. Përshkruan vetminë  tij, përshkruan pasionin e tij për të mos u marrë më gjërat lëndore. Përshkruan gëzimin e orës kur mbaron puna, që i lejon futjen në botën e ëndërrt… Përshkruan trishtimin por edhe emocionet e botës joreale që e krijon me mendjen e vet.

Teksa Nastjenjka rrëfen për veten ka një histori krejt të ndryshme. Një histori të vërtetë prej mishi e gjaku që e bën njeri real. Është e vetmuar edhe ajo. Gjyshja e saj e verbër, nga frika se mos mbesa bën ndonjë prapësi, ia ka kapur me kapse fustanin e saj pas të vetit e kështu vajzës s’i mbetet veç të rrijë gjithë ditën e mbyllur në shtëpi pa takuar askënd, pa u njohur me askënd, pa patur mundësitë të ketë as edhe një shoqe të vetme. Nastjenjka është e trishtuar dhe ëndërruese po aq sa edhe ËNDËRRTARI. E megjithatë është ndryshe nga ai. Është e trishtuar nga dashuria dhe ajo çfarë ëndërron është dashuria. Dikur kishte ëndërruar me kokën mbi re edhe ajo, sikurse ëndërrtari. Kishte ëndërruar, për shembull, sikur bëhej gruaja e një princi kinez. Por më vonë gjërat kishin ndryshuar. Ishte rritur tek e fundit. Qiraxhiu në shtëpinë e saj e paskësh bërë për vete, e ka bërë të bjerë në dashuri, edhe pse heshturazi, fuqishëm.

LEXO DHE :  Një natë tensioni për Europën/ Çfarë thonë rezultatet e para!

Historinë e saj të dashurisë rrëfen Nastjenjka, teksa Ëndërrtari flet për ëndrra dhe fantazi…

Nastjenjka nuk ia tregon historinë e vet ëndërrtarit qysh ditën e parë. I lë takim të nesërmen në të njëjtën orë, sërish natën vonë, në orarin kur gjyshja e saj ka rënë të flerë e mbesa nuk është e kapur me kapse pas fustanit të saj. Ëndërrtari nis e ëndërron çastin e ritakimit me Nastjenjkën. Edhe ajo e ka ëndërruar të njëjtën gjë, ama arsyet janë KRYEKËPUT TË NDRYSHME… në pritje të natës së dytë të bardhë ndërsa rrëfimi i vajzës së re vijon:

***

…Qiraxhiu i papafingos është një djalë i qetë e i mbarë që nuk i shqetësonte gjyshe e mbesë. Një ditë i kish thënë kamarieres se nëse Nastjenjka dëshironte të lexonte libra ai mund t’i jepte nga biblioteka e tij. Dhe vajza, me lejen e gjyshes padyshim, filloi të lexojë librat e qiraxhiut. Pastaj ky e fton në teatër, në fillim vetëm Nastjenjkën por pasi ajo refuzon i fton të dyja, gjyshen dhe mbesën. Pastaj asgjë.

Një vit në papafingo, papritmas e lajmëron gjyshen se duhej të largohej. Nastjenjka më parë nuk e kish kuptuar, por në këtë çast vuri re se ky ishte lajmi më i keq që mund të dëgjonte. Papritmas bën diçka të papërfytyrueshme. Me ta zënë gjumi gjyshen, mbledh plaçkat e veta në një bohçe, i shkon qiraxhiut në dhomë dhe i lutet që ta marrë me vete, të mos e lerë përgjithnjë të kapur me karficë pas fustanit të gjyshes së verbër…

Rrëfente Nastjenjka, thoshte se si i lutej me lot në sy qiraxhiut teksa dridhej, se si qiraxhiu e pat dëgjuar me vëmendje dhe jo vetëm që nuk e pat zbuar por pat filluar t’i fliste ngadalë. Me logjikë të ftohtë i kish thënë se ishte i varfër dhe nuk e merrte dot me vete. Ama i bëri një premtim: pas një viti, nëse do t’i zgjidhë gjërat do të vinte e ta merrte. Nëse ndonjëherë martohej, gruaja e tij do të ishte vetëm Nastjenjka. Kaq dhe të nesërmen iku duke shënuar për Nastjenjkën fillimin e pritjes së saj gjithë ëndrra dhe shpresa.

Tashmë një vit ka kaluar. Pikërisht atë natë kur Nastjenjka kish dalë jashtë e shëtiste bregut të lumit duke ngashëryer. Atë natë kur u takua me ËNDËRRTARIN. Ai me kokën në re e ajo duke ëndërruar që qiraxhiu i papafingos t’i dilte përpara nga çasti në çast. Siç i kishte premtuar tek e fundit.

***

Me atë takim rastësor buzë lumit filluan netët e bardha: katër net njëra pas tjetrës. Ai i fliste për vetminë e tij të thellë e ajo për të sajën. Ai për ëndërrimet e tij e ajo për të sajat. Ama të sajat e kishin një emër. Aq i qartë lexohej emri, sa Nastjenjka me një kthjelltësi të habitshme i di arsyet pse netët e bardha po i kalon me Ëndërrtarin: ka shkruar një letër për qiraxhiun e papafingos dhe do që Ëndërrtari, ky njeri kaq i mirë dhe i dashur, t’ia çojë në destinacion. A do të pranojë ai?

Ëndërrtari ka tjetër qëllim që del me Nastjenjkën. Ka rënë në dashuri me të. E megjithatë bëhet pjesë e shqetësimit të saj, e merr letrën dhe e çon aty ku duhet. Papritmas u bë praktik: i duhet një arsye ta takojë sërish Nastjenjkën. Ajo duhet të dalë sërish natën me shpresën që qiraxhiu i papafingos do të shfaqet para saj nga çasti në çast. Ai duhet të dalë sërish natën me shpresën që qiraxhiu i papafingos nuk do të vijë më kurrë… Nëse ndodh kështu Nastjenjka do të jetë e tij. Dhe ja tek e dëgjon vajzën të thotë se e do qiraxhiun e papafingos por përderisa ai e ka gënjyer ndjenja do të kalojë, s’ka si të mos kalojë. Madje e ndjen se po kalon… se tani po fillon ta urrejë atë… po fillon të ndjejë dashuri për Ëndërrtarin… Në terrin e thellë të natës së katërt të bardhë, Ëndërrtari ndjen lotët e gëzimit t’i rrjedhin.

Por nuk zgjat shumë, vetëm sa koha e ca pak ecejake nëpër natë…

***

A ka ëndërruar Nastjenjka diçka të mundshme? Apo e mundshmja është ëndrra e Ëndërrtarit? Çfarë është shpresa? Çfarë vjen pas shpresës për njeriun? Mund të ndodhë që pas shpresës të vijë zhgënjimi. A nuk ishte shpresa tek e fundit një prej të këqijave të kutisë së Pandorës? Sidoqoftë, ekziston mundësia që pas shpresës të ndizen dritat, pas një copë here në një tunel të errët të pikasësh njollën e bardhë që sa vjen e bëhet më e madhe, të daljes… Ama në historinë e Dostojevsktit shpresa e njërit nuk është edhe e tjetrit.

Historia e librit “Net të bardha” është krejt e paparashikueshme.

Ëndrra dhe ëndërruesi janë në qendër të saj aq sa edhe vetmia rrëqethëse apo përpjekjet njerëzore për ta larguar vetes.

Dy protagonistët e librit përfaqësojnë dy kategori të jetës njerëzore: njeriun me këmbë në tokë dhe njeriun me kokën mbi re. Jo më kot, vajza që jeton në realitet ka një emër, ndërsa personazhi tjetër nuk ka… është thjesht dhe vetëm ËNDËRRTARI. Një ëndërrtar pa të cilin ndoshta realiteti nuk do të kuptohej aq mirë, tek e fundit. Ëndërrtari i lumturisë, ai për të cilin lumturia zgjat një çast…

Cili prej të dyve është personazhi i vërtetë?

Vështirë të përcaktosh, shkrimtarët si Dostojevski nuk janë të thjeshtë…

“Net të bardha”, i Fjodor  Dostojevskit është një nga perlat e krijimtarisë së tij. Unë, kam në dorë përkthimin e Aurel Plasarit, i sigurt padyshim, që ia vlen ta zgjidhni mes përkthimeve të shumta. Është koha për pak aromë dostojevskjane nëpërmjet librit NET TË BARDHA./dritare.net

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.