Pasoja e pallogaritur e ç’dekretimit të zgjedhjeve!

Nga Dritan Hila

Presidenti ishte institucioni i fundit qoftë edhe formalisht, i papleksur në përplasjen mes pozitës dhe opozitës. Gjithë aktet e mëparshme të tij, si ai për teatrin apo dekretimet e ministrave, ishin veprime politike por pa pasoja të rënda.

Dje, presidenti Meta ka ndërmarrë një akt i cili shkon përtej precedentëve. Kështu, nëse në të shkuarën paraardhësit e tij me marrëveshje mes palëve politike kanë shtyrë datën e zgjedhjeve, Meta ka shkuar përtej duke ç’dekretuar datën e caktuar pa kërkesë nga asnjëra palë dhe duke mos caktuar një të re.

Me këtë akt, presidenti ka shmangur një përplasje hipotetike të 30 qershorit. Socialistët dukeshin të vendosur që të bënin zgjedhje ndërsa ndërkombëtarët po bënin presion që opozita mos t’i prekte ato. Në këtë këndvështrim heqja e mundësisë për votim ka shkuar në favor të opozitës, e cila ishte në cep të ringut dhe ose duhej që mos të merrte pjesë në zgjedhje, por humbiste elektoratin e saj ose i prishte ato duke marrë mbi vete tërbimin e perëndimorëve.

Pas këtij veprimi pak rëndësi ka që presidenti Meta u rreshtua me opozitën. Problemi është që nuk kemi më një institucion të pavarur qoftë edhe formalisht. Aktin e tij e paragjykon rëndësishëm pozita dhe nuk ka asnjë shkallë gjyqësori që të mund të ndajë vlefshmërinë e këtij akti. Ndërsa caktimi i një date tjetër është gati i pamundur. Opozita pranon vetëm pa Ramën kryeministër. Ndërsa Rama vetë as dëgjon nga ai vesh. Ndërkohë që data e re kërkon konsultën mes palëve.

Me ç’dekretimin e djeshëm Presidenca mund të ketë shmangur një përplasje fizike, por ka humbur shansin të jetë mediator. Për më shumë e ka nxjerrë tërësisht nga shinat institucionale procesin. Dhe në kushtet kur ndërkombëtarët as që e pranojnë ta marrin këtë rol, mbetet në dorë të politikës shqiptare. Dhe këtu duhet parë se kush është në pozicion më të fortë. I pari që të vjen në mend është kryeministri. Ai tashmë thotë se e ka ndarë mendjen për zgjedhje. Në një mendim me të ishin edhe ndërkombëtarët. Moskrijimi i precedentëve ishte arsyeja më e fortë që ata mbështesnin Ramën. Me këtë zhvillim të ri, ata do të  tregohen edhe më agresivë. Ka shumë mundësi ta konsiderojnë si një shuplakë kundër tyre. Për fat në Mal të Zi dhe Maqedoni presidenca është properëndimore. Përndryshe efekti domino mund të ishte shkatërrimtar.

LEXO DHE :  A do të ketë sezon të ri për serialin e famshëm “La Casa De Papel”?

A mund të ndodhë që Rama të vazhdojë rrugën për në 30 qershor? Mundet. Por nëse nuk i bindet KQZ-ja e cila kontrollohet nga opozita, shteti mund të konsiderohet përfundimisht i rënë në të gjitha shtyllat e tij.

Nuk dihet nëse Ilir Meta i ka pasur parasysh gjithë këto variable politike. Por akti i tij i djeshëm ose do të shërbejë si rrugëzgjidhje nëse ka pasur më parë konsultime me Ramën, ose e njeh aq mirë Ramën sa e di që me këtë akt e ka trembur dhe do ta detyrojë të shkojë në kushtet e opozitës, ose e ka futur vendin në përplasje civile ku të gjithë do të dalin të lagur, Meta përfshirë./dritare.net

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.