Mëngjes vere në fundjavë. Nga dritaret e shtëpive, të gjitha të hapura, dëgjohen tinguj këngësh të Festivalit të pranverës. Silueta grash vejevijnë nëpër ballkone duke ujitur mullagat. Të tjera, me flokët lidhur me një shami, pastrojnë rrugicën përpara portave të shtëpive të ulta. Shkallëve të pallateve zëra fëmijësh përzihen me zhurmërimën e kokrrave të kafes që dikush po i pjek, me një dollap, me siguri mbi zjarrin e kaltër të një furnele vajguri. Aroma ka mbushur lagjen duke i dhënë një lloj sharmi orëve të para të ditës.
Me shumë gjasë shumëkush është futur sakaq në atmosferën e kohës tek e cila kam qëndruar. Fundja, është e pangatërrueshme zhaurima e ekspresit të sapondezur të bareve të sotme, me atë të mullirit të blojes së kafes turke në duar të shkathëta gjyshesh. Mjaft kaq për të na çuar në kohën e përcaktuar. Larg prej këndej. Le të themi në vitet ’80 të shekullit të shkuar. Ndoshta edhe më parë. Tani gjithsekush mund ta plotësojë vetë panoramën me kujtimet personale. Për shembull me imazhin e furrxhiut të lagjes, me përparësen gjithë gjurmë bloze dhe me skufje në kokë që me një lopatë të madhe druri jep e merr me zjarrin e furrës së sapondezur dhe tavat e byrekëve, pulës me patate, specave të mbushur, peshkut me qepë… që kanë mbërritur e presin në radhë në një tavolinë të stërmadhe veshur me një cipë metalike. I ngulur mbi byrek apo mbi barkun e pulës një trekëndësh alumini mbi të cilin është gdhendur një numër që shërben për të mos i ngatërruar tavat. Amvisat janë zgjuar herët sado që është ditë pushimi. E kanë bërë drekën dhe u kanë dhënë fëmijëve tavat që t’i çojnë në furrë se është verë dhe sobat me dru nuk ndizen. Shtëpitë janë pastruar e madje edhe shkallët apo oborret, zakonisht nga gratë me ndihmën e ndonjë burri të rrallë.
Plotësimi i panoramës vijon, ka ende detaje për të shtuar. Sidoqoftë, sado pak, e përshkrova një copëz të përditshmërisë sonë të djeshme teksa më çoi në atë kohë një libër: “Magazina e komunizmit shqiptar” i Elektra Haxhia Çapalikut.
***
Gjithnjë e kam menduar se përditshmëria jonë e viteve të diktaturës ka qenë e keqdokumentuar. Nëse duam tani ta vizatojmë hollësisht panoramën, na duhet të mbështetemi në kujtesë. E kotë të mendojmë se diçka mund të nxjerrim duke gërmuar revistave të kohës, bibliotekave, fondeve të galerive, arkivës së televizionit të vetëm apo të përqendrohemi në filmat e Kinostudios. Tjetër panoramë paraqitet aty. Asokohe përditshmëria ishte e manipuluar. Përpara se të dokumentohej një moment çfarëdo i përditshmërisë sonë, trukohej. Duhej që imazhet që mbeteshin, të ishin të bukura. E duke qenë kështu, kush nuk e ka kujtesën çfarë mund të rrëfejë vërtetësisht për atë kohë? Si mund ta njohin atë periudhë 30-vjeçarët e sotëm? Po brezat që do të vijnë?
Vite më parë përktheja librin “Dashnorja polake e Napoleonit”. Ishte kaq i lehtë krijimi me mendje i përditshmërisë së Marie Valevskës. Shtëpia e saj, mobiliet, veranda para banesës së fshatit, rruga e përbaltur që i stërpikte fustanet e gjatë, sallat e ballove dhe menyja, modelet e veshjeve që nxirrnin në pah bustet femërore, kordelet, krehjet e flokëve, bizhuteritë, sandalet me rripa si të grekeve të lashta… Bëhet fjalë për fundin e viteve ‘700 dhe fillimin e viteve ‘800, koha kur Napoleon Bonaparti ishte perandor i botës. E sado larg në kohë, Parisi, Varshava, Shën Bruni, Versaja… deri edhe ishujt e Elbës apo Shën Elenës, të kalojnë si në një film përpara syve falë përshkrimit që autorja i ka bërë 200 vjet më pas. Arsyeja: dokumentimi i kohës, i përditshmërisë së saj ka qenë realist: pikturave, ditarëve, gazetave... Një dokumentim i munguar tek ne.
Kësisoj, në të tilla kushte, duke menduar për të ardhmen, ia vlen të përpiqesh ta kapësh kohën e humbur. Ka ende detaje të mbetura. Ndaj, sa pa humbur gjithçka, ta kërkojmë e ta gjejmë përditshmërinë e djeshme, herë të ruajtur vetëdijshëm, nga individë në mënyrë private, herë falë rastësive, e tjetërherë për shkak të të qenit ende në përdorim të ndonjë objekti. Herë-herë dokumentimet është e mundur të jenë të plota e herë-herë gjenden veç pjesëza të së tërës së dëmtuar. Në të gjitha herët, krejt si copëzat e një pazlli, nëse gjetjet bëhen bashkë, munden të ndërtojnë figurën e kompletuar: panoramën e përditshmërisë së djeshme shqiptare.
***
Një muze i përditshmërisë së djeshme kishte për të qenë interesant. Hë për hë kemi në dorë një “muze prej letre”, përditshmërinë e djeshme të mbledhur në faqet e librit MAGAZINA E KOMUNIZMIT SHQIPTAR një ide e materializuar hnga Elektra Haxhia Çapaliku. Libri që më ngacmoi vëmendjen dhe më provokoi kujtesën e pashmangshëm më nxiti të shkruaj për të.
Si kemi jetuar dje?
Si i mobilonim shtëpitë tona gjatë viteve të diktaturës?
Cilat ishin format e divanëve a kolltukëve, tapiceritë që përdoreshin, dizajnet e tyre, modelet e karrikeve prej druri, bufetë, raftet e rrobave…?
Si i shtronim tryezat e ngrënies? Cilat ishin serviset, takëmet, enët e kuzhinës, furnelat e gatimit apo sobat e ngrohjes?
Si funksiononte apo çfarë forme kishte një tavë korenti për pjekje, një reflektor për ngrohje, një hekur për hekurosje, një lavatriçe me centrifugë të ndarë, një elektrik dore, një llampadar tavani, një dritë nate mbi komodinën pranë shtratit?
Si ishe një furnelë gatimi me fitila pambuku, një fener për ndriçim në mungesë të dritave apo një dush… që të gjitha me vajguri?
Si i paketonim ushqimet, si i dizajnonim etiketat?
Cilat ishin radiot apo televizorët, ku prodhoheshin apo ku montoheshin pjesët?
Cilat ishin modelet e palltove, fustanet e grave, mushamatë e shiut, çadrat mashkullore apo femërore?
Çfarë formash e materialesh kishin lodrat e fëmijëve?
Mes objekteve të djeshme, siç thashë, tek tuk ka në përdorim. Të tjera e kanë humbur funksionin e ndoshta për këtë është më e vështirë të gjenden. Të tjera akoma mund të jenë me interes si dekore antike edhe për mjediset moderne apo mund të konsiderohen joshja e pashmangshme e koleksionistëve. Dhe të tjera mbartin nostalgjinë e zotëruesve që nuk i kanë hedhur e nuk duan t’i hedhin sepse lidhen me momente të rëndësishme të jetës së tyre.
Pas çdo objekti ka një histori për gjithsecilin prej nesh. Pas çdo objekti ka një jetë.
Një orë me kurdisje, që bënte zgjimin mëngjeseve të viteve ‘50 ‘60 ‘70 a ‘80, kishte për të qenë interesante ta kishim sot në shtëpitë tona. Sigurisht, krejt ndryshe janë orët e sotme, më funksionale, më praktike. Ama një orë e vjetër, me sfond të zverdhur nga koha, mund të jetë pa dyshim pengu i kujtdo që e ka nxjerrë duarsh duke e konsideruar një hedhurinë. Nëse nuk e ka hedhur, do të thotë se pikërisht ajo orë me kurdisje, ku në vend të akrepit të sekondave lëviz koka e pulës që çukit në tokë, në mungesë të shpirtit të koleksionistit, duhet të ketë vlerë të pakrahasueshme emocionale për atë që e mban ende. Mund të jetë një dhuratë e çmuar, me të cilën të lidh diçka apo dikush. Mund të jetë thjesht objekti i trashëguar që të nxjerr të kthjellët para syve siluetën e një prindi a gjyshi tek e kurdis në mbrëmje para gjumit, bashkë me gjithë aromën e dashur familjare të fëmijërisë.
Një aparat fotografik me film, Minolta, Zenith, Olympus trip apo Smjena, askush nuk e mban më në qafë udhëtimeve të tij turistike. Nuk vlen më për të dokumentuar çaste jete. Ama, nëse dikush e ka ruajtur, në mos për tjetër, me shumë gjasë e ka bërë për të mbajtur të gjallë kujtimin e udhëtimit të rrallë që mund ta ketë pasur fat në rini, në Rusinë e adhuruar apo gjetiu.
Një televizor Adriatik apo Iliria nuk është e lehtë të gjejë vend në shtëpitë e sotme, ama, kushdo mund të jetë përkujdesur për një radio Sonra, Sanneberg apo Mivar, të cilat për shkak të përmasave të menaxhueshme lehtësisht janë kthyer në objekte dekori për sallonet moderne të shekullit XXI. Pastaj, mjafton veç një çast, ecejakeve të pavëmendshme nëpër shtëpi që sytë të të ndalin te radioja e vjetër dhe të të duket sikur i ndizen llambushkat dhe valët emetojnë zërin e spikeres që prezanton “Radio postën” e të hënave në mbrëmje, programin e preferuar të hallës a tezes me të cilën ishe fort e lidhur në vogëli…
Krejt njëlloj edhe me një aparat telefoni të viteve ’80. Edhe ky objekt me numrator rrethor, në kohën e aparaturave smart, ka dalë nga përdorimi. Për brezat e rinj përmbush kureshtjen për të ditur se me çfarë mjetesh komunikonin në distancë prindërit a gjyshërit e tyre. Kurse këta të fundit mund të mos e kenë të lehtë të ndahen nga aparati me të cilin lidhen copëza rinie të pakthyeshme: biseda dashurie a malli, copëza dialogësh mes motrash, thirrje të shkurtra fqinjash sa për të lajmëruar se kafja është gati, detyra shtëpie fëmijësh… të gjitha me një receptor në vesh pas formimit të një numri katërshifror, 37-42 apo edhe me tre shifra 339 e ndonjëherë të lidhura nëpërmjet çentralit me një telefon akoma të të vjetër që për ta gjetur duhen kushedi ç’përpjekje. Për të gjitha emocionet, telefoni i rëndë mund të jetë ende aty, në cepin e dikurshëm, edhe pse tingulli i ziles është harruar. Po përfytyroj që shumëkush nga lexuesit e këtij shkrimi po thotë pa zë: po, edhe në dhomën e ditës së shtëpisë sime e kemi telefonin e vjetër gri të zbardhur nga koha, të bardhë, të zi apo të kuq…
Koha rrjedh veç në një drejtim. Dhe për ta “ritakuar” lipsen emocionet. Objektet i mbartin ato, i përcjellin madje.
Dhe lista e objekteve vazhdon, të harruara shpesh, të ruajtura ndonjëherë: një kupë sheqeri, një komplet filxhanësh çaji prej porcelani të pikturuara, një mulli bloje për kafen, një supjerë, një sallatjerë, një kanë uji me luledielli, një tavëll duhani transparente, një gotë rakie, kripore të formave të ndryshme… prodhime të fabrikës së qelqit të Kavajës, një llullë druri apo një kuti e gdhendur për të mbajtur cigare mbi tryezën e sallonit, prodhime të ndërmarrjeve artistike, një tenxhere me presion krejt e ndryshme nga të sotmet, një termus mbërritur nga Kina për ta ruajtur çajin të ngrohtë, një shtrydhëse limoni apo një havan piperi, një makinë grirëse mishi… objekte pa fund të cilat shkruajnë në mënyrën e tyre, historinë tonë të djeshme. Informojnë, ngjallin kureshtje te të rinjtë, provokojnë nostalgji tek më të vjetrit. Dokumentojnë tek e fundit që harresa të mos fitojë.
Padyshim, ka edhe një pjesë tjetër: pjesa që më shumë se me nostalgjinë lidhet me vështirësitë, problemet, shqetësimet, vuajtjet e së shkuarës. Është, për shembull, pjesa e triskave të ushqimit e veshjeve të viteve ’40-’50, e tollonave të viteve ’80, e fletërrufeve, fletëve të kampit apo rekomandimeve për kabinat e plazhit, autorizimeve të pajisjeve elektroshtëpiake dhe plot të tjerave kësisoj. Të gjitha për t’u njohur. Domosdoshmërisht. Është pjesë e jona tek e fundit. Jeta jonë.
***
Teksa kam në dorë librin MAGAZINA E KOMUNIZMIT SHQIPTAR dhe shoh objektet e fotografuara në të, dekori më bëhet i plotë.
Elektra Haxhia, siç më ka thënë, ishte e mësuar me objektet që më pas i përfshiu në librin e saj. Në shtëpinë e prindërve në Shkodër ishte e rrethuar prej tyre. Dhe, siç natyrshëm ndodh, objektet e përditshmërisë tënde e humbin çudinë. Mësohesh me to. Të përkasin dhe kaq. Por Elektra do ta vinte re se nuk ishin kaq të zakonshme për të tjerët. Për ata që i kishin “harruar” tashmë, ishin çmësuar me to, e për të tjerë akoma që kurrë nuk i kishin njohur. Për të parët dhe të dytët, ia vlente t’i nxirrte jashtë mureve të një banese vetjake: radion, televizorin, serviset e ngrënies, revistat e modës… E plotësoi kuadrin me plot detaje të tjera përgjatë një pune jo të lehtë kërkimore.
Më në fund panorama mori formën që ka në libër. Një e shkuar në 360 gradë, një përditshmëri e një kohe që nuk është më, por që ia vlen të ruhet, ia vlen të tregohet, ia vlen të komentohet, për të ditur rrugën nëpër të cilën kemi ecur, hapat që kemi hedhur…
Me objektet që kanë shoqëruar hapat tanë, si një kontribut i vyer informues dhe dokumentues, vlen MAGAZINA E KOMUNIZMIT SHQIPTAR, i Elektra Haxhia Çapalikut, libri i të djeshmes sonë të cilës disi i është fshirë pluhuri që i kish vënë sipër koha, shpërfillja, pse jo edhe një dëshirë e arsyeshme për distancim./dritare.net