Pas 25 vitesh, varka e parë shqiptare/ Nga Erseka në Liqenin e Butrintit, në shërbim të Mbretëreshës
Dritare.net
Kishte bërë edhe herë tjetër varka, por me rezinë, këtë herë është e gjitha dru.
Është 6 metra e gjatë, mban 8 + 2 dhe quhet Dallga.
Sepse e vetmja pengesë e liqenit, që herë herë të pengon të futesh, janë dallgët. Ndaj një dallgë, për të mundur dallgët- thotë Soraldo, që më në fund ka varkën e tij, për turin e famshëm të midhjes.
"Kemi përdorur varkat e midhjarëve, deri tani. Janë prodhuar të gjitha në Durrës, para ‘90. Kur fabrika u mbyll, në Liqen nuk hyri më asnjë varkë e re. Kjo është e para, e gjitha në dru, 100% shqiptare, thotë Soraldo për dritare.net, ndërsa bën provën e parë të varkës në liqen, bashkë me mjeshtrin nga Erseka.
Tani Soraldo dhe djemtë e tij do e bëjnë Turin e Mbretëreshës me Dallgën. Do shkojnë çdo pasdite të marrin midhjet, pastaj t'i pastrojnë vetë dhe në buzëmbrëmje, kur dielli të bjerë mbi liqen, do ulen në varkë dhe do rrufisin mbretëreshën me vaj ullinjsh e limona Ksamili. Midhjarët thonë dhe pak rigon, i zonës, sigurisht, sepse Mbretëresha nuk pranon asgjë që nuk e njeh, që nuk është shqip. Ndaj kur të kaloni ato anë, mos harroni të takoni Soraldon dhe djemtë. Ju presin bashkë me Dallgën, në takimin me Mbretëreshën. / dritare.net