Parajsa në tokë, qyteti spanjoll që ndalon makinat
Dritare.net
Ajo që tashmë dëgjohet në rrugët e Ponteverdës janë zëra njerëzish, cicërime zogjsh, tinguj të lugëve të kafesë. Tani rrugët e këtij qyteti i kalon pa frikë, sepse aty s’përdoren më makina.
Miguel Anxo Fernández Lores, kryetarit të Bashkisë së qytetit, i janë qetësuar veshët po ashtu.
“Dëgjo, thotë ai teksa hap dritaren e zyrës së tij buzë rrugës, në rrugë dëgjohen zëra njerëzish. Para se unë të bëhesha kryetar Bashkie këtu poshtë kalonin qindra makina në ditë. Makinat që kalonin ishin më të shumta se vetë popullsia e këtij qyteti.”
Cesar Mosque, kreu i infrastrukturës së zonës, e hodhi këtë ide vetëm duke menduar për të moshuarit dhe fëmijët. Po ashtu ai mendoi sesi të bënte hapësirën publike, tamam publike.
Lores sapo u bë kryetar Bashkie, brenda muajit, në 300 mijë metra katrorë, ai hoqi lëvizjen e makinave.
“Qendra historike ishte e vdekur, ishte plot makina, ishte transformuar në një zonë të padobishme. Qyteti ishte në rënie, i ndotur dhe aksidentet ishin shtuar shumë”, tha ai.
Fillimisht ishte menduar të përmirësoheshin kushtet e trafikut, por plani nuk funksionoi. Kështu u vendos të rimerret hapësira publike dhe u hoqën makinat.
Qendra e qytetit tani nuk ka më makina, dhe lidhja me periferinë bëhet nëpërmjet rrugëve nëntokësore.
Përfitimet janë të shumta. Në të njëjtat rrugë ku kanë vdekur 30 persona nga aksidentet me makina nga viti 1996-2006, dhe që prej vitit 2009 asnjë. Dioksidi i karbonit ka rënë shumë, dhe gati ¾ e rrugëve që bëhej me makina, bëhet me këmbë.
Natyrisht, jo gjithçka ka shkuar mirë dhe pa asnjë pengesë. Njerëzve nuk u pëlqeu ideja të mos përdornin makina, por kryebashkiaku tha që njerëzit e panë më vonë si një vendim të drejtë, si privilegj.
Heqja e makinave në qendrën historike ka sjellë ngjeshje në zonat periferikë dhe nuk ka mjaftueshëm vend për parkim.
“Qyteti është i përkryer për të ecur me këmbë dhe për 25 minuta mund ta shëtitni gjithë . ka gjëra që mund t’i kritikoni, por jo t’i refuzoni”, thotë arkitekti Rogelio Soler.
Problemet që janë më të shpeshta në këtë zonë, vijnë nga rrugët me trafik në periferi, mospërdorimi i transportit publik, por qyteti është shumë i thjeshtë për t’u jetuar.
Njerëzit që kanë jetuar në qytete tjera, por tani jetojnë në Ponteverda, e krahasojnë me parajsën dhe si një vend të sigurt për fëmijët.
Një gjë tjetër që shqetëson banorët, është mospërdorimi i makinës në ditë me shi, sepse ditët me shi janë shumë të shpeshta në këtë qytet të Spanjës.
Pavarësisht të gjithave, kjo vepër publike duhet kthyer në një projekt global. Qyteti spanjoll e bëri, sa mirë do ishte të aplikohej një projekt i tillë dhe në Tiranë! /Përshtati nga The Guardian, Enkeleda Bodini-dritare.net