Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Seks, para, famë dhe… arrogancë

Seks, para, famë dhe… arrogancë

Nga Ana Shkreli Lisi

A ia ka idenë njeri se, me çfarë dreqin “ushqehen” këto vajzat e Instagramit? E kam fjalën për këto bukuroshet e silikonit, ndonjëra syresh që shfaqet edhe në ndonjë ekran televiziv? Janë ato gocat që arritjen më të madhe në jetë kanë ditën që janë gdhirë në krevatin e shtëpisë së babit dhe natën e kanë ngrysur mbi një makinë qindra mijë euroshe. Çfarë ju thotë mendja valle? Në çfarë dimensioni e realiteti jetojnë?

Si është e mundur dhe nga vjen gjithë kjo arrogancë që ato prodhojnë?

A e ndoqët Ilda Bejlerin këto dy ditët e fundit? Do thoni ju kush është kjo? Një spikere emisionesh sportive televizive. A është e bukur Ilda? Po thonë disa… Çështje shijesh…

E pra Ilda dy ditë më parë u përfshi në një aksident automobilistik. E ndoqa më vëmendjen rastin e saj sepse nuk doja të arrija në përfundime të parakohshme. E vërteta është që në rrugët e Tiranës dhe Shqipërisë, nuk janë vetëm shoferët fajtorë. Edhe këmbësorët, ata që presin rrugën me semafor të kuq a në mes të rrugës apo autostradës, janë arsyeja kryesore e aksidenteve. Një rast i tillë mund të ishte dhe ai i Ildës. Lajmet thonin se Ilda kishte goditur një grua dhe ia kishte mbathur nga vendi i aksidentit. Për fat gruaja (rreth 60 vjeçe) kishte shpëtuar vetëm me një thyerje dhe trauma të lehta trupore.

Por a ishte vërtetë fajtore Ilda, ajo vajza e sportit?

Ja versioni i saj:

E di.. keni mllef per kedo sidomos per njerezit qe dalin ne ekran! A u shfryt o shqiptar?! Apo keni akoma?? Ju vjen keq per zonjen qe si ndodhi asgje, thjeshte nje shembje sepse po nxitonte dhe u rrezua, po fundja edhe per kalimtaret ka ca rregulla?! Prandaj ekzistojne vijat e bardha! Apo jeni te lumtur sa mire ju be ksaj qe u gjend rastesisht afer nje zonje qe endej mes makinave?! Po kur makina ishte e ndaluar si valle zonja qenka perplasur!?

Apo po kerkon demshperblim tani qe i thane “ mund te perfitosh noj gje”?! Shum shpejt do publikojme dokumentat e spitalit qe zonja ska pas asgje, pervec nje shembjeje ne kembe por pa kontakt me makinen, thjeshte nga nxitimi me kalu sikur jetojme ne Afganistan!! E rendesishme eshte qe zonja ka dal nga spitali dhe uroj ti vijne dhe mendte me ate rast e mos te degjoj njerezit qe po perfitojne prej saj per disa klikime me shume. Cdo gje qe ka thene ne ate telefonate ajo zonja eshte mashtrim. Dhe per kete ka deshmitar!

Shfryni gjithe mllefin o njerez por nese ju vjen kaq keq blijini nje shpi asaj zonjes qe eshte demtu nga termeti, ashtu sic kam ndihmuar un te tjere. Stop lajmeve fake! Me gjithe respektin per moshen e zonjes ne fjale, por dhe mashtrimi eshte krim! Ndoshta mendojne se do i jap disa leke zonjes per te mbyllur gojen, por jo! Dje vajta vete ne polici, pashe videon, lashe makinen pa asnje shenje ne te dhe u ktheva ne shtepi njesoj po vete, shume e qete me veten!

E di, Shqipria ka shume halle po nje nga hallet me te medha eshte qe njerezit pa pune e qe skane jete merrem me jeten e tjerve. Lerjani policise te bej punen e vet, nese ka nje ceshtje!

E përkthyer në një gjuhë më te thjeshtë Ilda na qenka nevrikosur shumë. Ka parë një grua të ketë rënë në rrugë por mos o zot se ka zbritur për ta ndihmuar. Le ta kishte fajin ajo, le të ketë kaluar kundër rregullave, ka rënë dhe është lënduar. Një njeri normal (me makinë të fikur a të ndezur qoftë), do të ndalte, të pyeste e po të ishte nevoja të dërgonte në spital.

Po si mund ta bëjë një vajzë si Ilda (dhe shumë të ngjashme të saj), një veprim të tillë? Si mund të ndalet një “bukuri hynore” si ajo dhe të merret me njerëz të thjeshtë, të vdekshëm? Si mund ta humbasë kohën e saj të çmuar një vajzë si Ilda?

Lexoni me tej… llda nuk ndalet. Drejton gishtin nga të gjithë, “ju njerëz, ju mllef”, “a e dini se ajo (gruaja), po e bën të gjithë këtë për para”! Dhe qershia mbi tortë: “Blijini një shtëpi meqë ju vjen kaq keq dhe ajo (gruaja), qënka e dëmtuar nga tërmeti?

Ku të çon mushka moj Ilda? Kush dreqin jua ushqen arrogancën deri këtu?

Pak orë më vonë, policia njoftoi se makina e bukuroshes ishte sekuestruar për hetime të mëtejshme. Ndoshta Ilda do të dalë fajtore, ndoshta jo. Ose ndoshta, edhe sikur të jetë fajtore, do ta mbyllë këtë histori. Pastaj do të shfryjë prap në profilin e saj, akoma më shumë.

Sepse me të tilla bukuroshe kështu funksionon. Mund t’ju përmendim me dhjetra raste të tjera VIP-esh Instagrami që çfarë nuk iu nxjerr goja në publik. Që fluturojnë nga një hotel në tjetrin me garipa në krah dhe (për çudi) fillojnë të besojnë se çfarë fluturon hahet.

Sindroma e të “paprekshmit” ka arritur deri në të tilla nivele në vendin tonë. Dhe jo aq pa të drejtë. Kur sheh të parin e vendit që thotë, “bëj çfarë dua dhe rri me kë të dua”, pse duhet të presësh që ta flirtojë realitetin një bukuroshe? Një nga këto vajzat që Zoti ua dha bukurinë për ta përdorur si mos me keq. Që ditën e kalojnë duke bërë selfie dhe natën duke dëgjuar përrallat e të dashurve që iu premtojnë yjet? Që prej lidhjeve të veta dashurore, shohin tu kalojnë para syve droga të ngjyrave të ndryshme, atentate e vrasje, të cilat i harrojnë sapo shohin dhuratën e çmuar të radhës apo dhomën e hotelit të radhës?

Arroganca vetëm arrogancë mund të sjellë.

Po a e dini atë shprehjen e Francisco de Quevedo: Arkitekti i shkatërrimit është arroganca, me themelet përpjetë dhe tjegullat përtokë./Pamfleti