Paketa e Drejtësisë/ “Shkrihet” Komisioni i Reformës, pakt i ri PS-PD
Dritare.net
Kryetari i Komisionit për Reformën në Drejtësi, Fatmir Xhafaj, shprehu bindjen se, pavarësisht volumit të madh që paketa e ligjeve ka, ato do të miratohen në Kuvend përpara zgjedhjeve të vitit 2017. Megjithatë, Xhafaj në fjalën e tij nuk ishte optimist për bashkëpunimin që opozita do të ofrojë në këtë proces, duke u bazuar në sjelljen e saj gjatë muajve të fundit. “Viti që vjen është një vit zgjedhor dhe qenia në një Komision të Posaçëm mund ta politizojë më tej atmosferën e debatit rreth këtyre 27 projekteve, ndërsa kalimi në normalitetin e punës së Komisionit të Ligjeve mund ta bëjë ashtu siç edhe është, një debat më shumë teknik sesa politik. Opozita hynte, dilte, vinte, ikte, kështu që mbetet për ta parë”, tha Xhafaj.
Paketa me 27 ligjet e reja për reformimin e sistemit të drejtësisë, pas një konsensusi në komision do të kalojë për diskutim nga Komisioni i Posaçëm i Reformës në Komisionin e Ligjeve, edhe për shkak të natyrës teknike që ato përmbajnë. “Nëse me paketën kushtetuese hodhëm bazat e reformimit të sistemit të drejtësisë, me 27 ligjet prioritare ndërtuam arkitekturën e re të sistemit të drejtësisë, me këto 27 projektligje i japim mundësi sistemit për të funksionuar me efikasitet. Në thelb, edhe qëllimi kryesor i Komisionit të Posaçëm ka qenë hartimi i kësaj pakete dhe me paraqitjen e këtyre 27 projektligjeve po them përmbushet përgjithësisht funksioni i Komisionit të Posaçëm dhe kjo mund të jetë një procedurë që mund t’i kalojë normalisht Komisionit të Ligjeve”, sqaroi kryetari i Komisionit.
Ndërkohë që për demokratët, me rëndësi është qasja që maxhoranca do të mbajë në raport me ligjet e reja dhe të mos ripërsërisë farsën e diskutimit të parë të ligjeve për reformën. Nënkryetari i Komisionit për Reformën në Drejtësi, Oerd Bylykbashi, theksoi se provën për këtë çështje Kryeministri e ka në tavolinë, shkarkimin e Vangjush Dakos.
“Ajo që ne kërkojmë me ngulm është të mos përsëritet farsa që u përdor gjatë gjithë kësaj kohe. Reforma në Drejtësi është shumë e rëndësishme. Por ajo që është më e rëndësishme sot, madje më e rëndësishme edhe 27 ligjet që shumica do të sjellë në Parlament, është kërkesa që Kryeministri ka në tavolinën e tij për shkarkimin e kryebashkiakut të Durrësit. Edi Rama ka mbi tavolinën e tij testin për dekriminalizimin dhe Reformën në Drejtësi”, tha Bylykbashi.