ORIANA, fuqia e gruas

Nga Arta Marku

“Shkruan tamam si burrë”, i thoshte xhaxhai, Bruno Fallaci. Kurse Oriana s’e kuptonte. Pse duhej bërë ky dallim? Ajo ndjehej shkrimtare dhe pikë. Kaq mjaftonte. Por do të hasej sërish me këtë shprehje derisa, vite më pas, takoi një shkrimtare të madhe, të cilës do t’i kërkonte përgjigje për “pse-në” e saj.

Natalia Ginsburgun e kish adhuruar faqeve të një libri. Oriana kish qenë nxënëse kur iu desh të hiqte dorë nga blerja e tabelës së logaritmeve që t’i shpenzonte ato para për librin e Ginsburgut. Nuk kishte para ato kohë. E mori librin e Ginsburgut dhe e përpiu.

Vite më vonë trokiti në derën romane të shkrimtares, ashtu siç, me këmbëngulje, kish trokitur (pa e pranuar refuzimin) në dyert e të gjithë njerëzve me emër të kohës së saj, në të gjithë cepat e globit, deri edhe në dyert e të “fuqishmëve të botës”. Do ta kapërcente pragun e shtëpisë së Ginsburgut pasi, me të, e lidhnin shumë gjëra: ishte e veja e Leon Ginsburgut që kishte vdekur në burg nga torturat naziste në moshën 34-vjeçare; letërsinë e saj e kishte zbuluar dhe adhuruar qysh herët; ishte një prej emrave të famshëm dhe ajo s’mund ta shpërfillte. Por jo vetëm historia e shkrimtares, jo vetëm letërsia e saj apo dëshira e gazetares për t’i ndërtuar portretin një gruaje të veçantë do ta nxiste Fallacin drejt shkrimtares. Mes të tjerash donte t’i bënte pyetjen që e mundonte prej kohësh. Vetë Ginsburgu kish thënë: “Dëshiroja pafund që të shkruaja siç shkruanin burrat, por më tmerronte ideja se mund ta kuptonin që ishte dora e një gruaje ajo që i kish shkruar ato rreshta”. Fallaci jo, nuk kishte ndjerë ankthe të tilla, por të tjerët kishin dashur ta përcaktonin si burrërore mënyrën e saj të të shkruarit. Atëherë pse? Autorja e librit “Fjalë familjare”, i tha se mënyra burrërore e të shkruarit ishte e ftohtë, se pikëvështrimi i tyre qëndronte më tej dhe më larg prej fakteve dhe gjërave, se gratë nuk janë të zonjat t’i mbajnë ndjenjat.

A e kish zbuluar Fallaci enigmën për veten? A shkruante si burrë? A mos ndoshta burrat shkruajnë më mirë ngaqë profesioni i të shkruarit si dhe burrat vetë, nuk pajtohen lehtësisht me martesën, me fëmijët?… Ka të ngjarë të ketë këtu një shpjegim për shumëçka, ndoshta të mbështetur edhe nga vetë jeta e Fallacit. Ka të ngjarë që kyçi i suksesit të saj të ketë qenë pikërisht ashpërsia që shpesh shkonte deri në agresivitet. Një lloj egërsie shpesh herë arrogante, një lloj shpërfilljeje e pjesës femërore të vetes.

Të jesh grua është kaq tërheqëse. Është një aventurë që kërkon kurajë, një sfidë që nuk mbaron kurrë”, është e mendimit Fallaci. Tashmë ajo e kishte kuptuar se sfida nuk është e lehtë të përballohet nga cilado grua. Sakrifica ka një çmim shumë të madh. Kuraja duhet të kapërcejë kufij të paparashikueshëm. Funksionon nëse gjithçka vjen natyrshëm. Diçka duhet të jetë brenda vetë njeriut si një prirje individuale. Duhet të jetë një rrugë nëpër të cilën njeriu të ecë natyrshëm, në mënyrë që sakrificat të mos jenë sakrifica, pengesat të mos jenë të tilla.

***

Oriana Fallaci ishte përballur me ashpërsinë qysh në fëmijëri, kur shihte cinizmin në fytyrën e dyqanxhiut të lagjes ku shkonte të blinte vetëm 50 gr. djathë, vetëm 50 gr. gjalpë… Kur u bë partizania e vogël me pseudonimin Emili; kur mori dëftesën me nota të mira dhe kënaqësisë së provoi, mamaja iu përgjigj me shprehjen e ashpër “ke bërë detyrën”; kur filloi studimet për mjekësi dhe studentët më të mëdhenj kërkonin, palogjikshmërisht para prej saj; kur filloi të botonte e xhaxhai gazetar i përplasi batutën e pakëndshme “mos kujton se je Hemingueji!”… Edhe më pas, kur vejevinte redaksive të gazetave të rëndësishme në Romë pa mundur të fusë këmbët në njërën prej tyre, edhe pse kishte tashmë 6 vjet karrierë mbi shpinë, duke jetuar atë që vetë e quajti më pas “periudha e urisë”. E ndoshta për këto fragmente të jetuara, ashpërsia do t’i bëhej pjesë e natyrës. Nuk do të mund të mos ishte edhe vetë e ashpër, deri edhe cinike qoftë edhe përballë njerëzish të mëdhenj që shkruanin historinë e botës së kohës së saj. Do të shndërrohej ca nga ca, pa bërë mirëfilli një sakrificë, në një lloj burri, të ashpër dhe të fortë. Diçka ishte formuar brenda saj me rritjen.

LEXO DHE :  Zgjedhjet Europiane/ Dy blloqet më të fuqishme humbin kontrollin në parlament

Shkruante si burrë, ngase jetonte e punonte si e tillë. E vështirë, ndoshta pothuaj e pamundur për një grua të shkojë në front, të përballojë kërcënimet me vdekje, të ecë nën shiun e plumbave, të përballet me kriminelët. Ama, e vështirë edhe për një burrë: a nuk ishin meshkuj kolegët e saj të kapluar nga ankthi dhe fobitë që nuk i shkuan deri në fund rrugës, drejt vendit ku luftohej? Por, mesa duket, Fallaci ishte më shumë se një burrë, ishte një grua e fortë.

***

“Një italiane e madhe” e quan Maria Giovanna Maglie në biografinë që shkruan për të, nën titullin “Oriana”, duke zbuluar gjithë detajet e jetës së saj që e bënë të meritojë këtë epitet, duke e paraqitur gjithaq njerëzore. Sepse Oriana Fallaci në të vërtetë, ishte mbinjeriu që gjithsesi, kishte gjithë tiparet, karakteristikat, cilësitë, veset, dobësitë e njeriut.

Rrëfimi i jetës së saj, nuk është rrëfimi i sheshtë dhe pa cepa i një njeriu të zakonshëm. Të tillë do t’ja blatonte fillimisht fati: vendi ku kishte lindur, familja prej të cilës rridhte, jeta që destini e kish bërë të jetonte, koha kur i takoi të lindte e jetonte, ngjarjet e mëdha që shënjuan kohën e saj… E mandej, të tillë do ta bënte ajo veten. Fatin, do ta kanalizonte siç vetë dëshironte. S’ishte nevoja të merrte një udhëzim nga redaksia për t’u nisur për në luftë. Një thirrje e brendshme e nxiste të merrte avionin e mandej, brenda disa orëve ishte atje ku vetja e kishte nisur të shkonte… pasojë e mënyrës së të qenit, të shkruar në kodin e saj gjenetik. Ishte Oriana Fallaci. Një karakter i vështirë, që, ndoshta pikërisht për këtë, është tejet tërheqës.

E tillë rezulton të ketë qenë Fallaci, gjithnjë qysh në fillime, e deri në fund të jetës së saj; qysh kur ishte fëmija jo edhe aq i dëshiruar i nënës së saj, kur dha e mori me qelizën që kishte brenda vetes; kur u dashurua marrëzisht me burrin më të rëndësishëm të jetës së saj; kur urrente fashizmin; kur shkonte për gjah me të atin; kur iu kthye e rikthye luftës tashmë gazetare me përvojë; kur takonte “të fuqishmit e botës”, kur…

Maria Giovanna Maglie, do ta “ndiqte” hap pas hapi gazetaren apo italianen e madhe, siç e përcakton ajo, për t’ia dhënë portretin e saj lexuesve, adhuruesve të penës apo të mendimit fallacian.

Libri “Oriana” është i shkruar me një stil ritmik, dhe qëndron mirë edhe në gjuhën shqipe. Me këtë libër, për Fallacin ka tashmë një lloj dokumenti plus, kësaj here të shkruar prej tjetërkujt, të parë nga distanca (pa e shmangur adhurimin ndaj figurës madhështore), përveç dokumenteve të firmosura nga vetë gazetarja dhe shkrimtarja italiane, të cilat prej kohësh kanë mbërritur në duart e lexuesve shqiptarë. Kësisoj figura e Fallacit, plotësohet…/driatare.net

Arta Marku

 

TITULLI Oriana
AUTORI                Maria Giovanna Maglie

PERKTHEU           Yllka Beshirja
BOTUES                Dudaj

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.