Tit Vasili kundërshton Departamentin e Shtetit!
Dritare.net
Pasi rrezikon që mos të kandidohet si deputet pasi i është refuzuar viza amerikane, Tit Vasili i ka nisur letër Ambasadës Amerikane që të sqarojë pozitën e tij. Ja çfarë shkruan ai:
E nderuar ambasadore!
Kam mësuar se unë rrezikoj të mos regjistrohem në listat e deputetëve pasi nuk kam marrë vizën amerikane.
Unë mendoj që gabuat që nuk ma dhatë. Ju kanë keqinformuar e nderuar sikur unë jam i korruptuar.
Më radhë të parë, unë mohoj kategorikisht të kem blerë vota. E shumta që mund të kem bërë është që mos t’i kem shpërndarë lekët për blerjen e votave por t’i mbaja për vete. Ndaj edhe kur e diskutuam në parti që të shpërndanim lekë apo thasë me miell, unë këmbëngula për lekë. Ku t’i fusja maunet me miell. Le që edhe ai ishte i skaduar.
Unë edhe kur kam qenë zëvendësministër u mbaja punonjësve nga lekët e dietave.
Dhe mendoj se kam bërë mirë. Përndryshe me çfarë do t’i kisha paguar 4 milionë lekë në natë kur më ra kovidi.
Kryetari thotë që ti je aq i lig sa edhe kovidi u tremb nga ty. Por e thotë me shaka. Rroftë paraja e bardhë për ditën e zezë.
Por nga e gjithë kjo kuptohet sesa shumë dëm i kam bërë fenomenit të blerjes së votës.
Periudha kur kam qenë unë ministër mbahet mend edhe si një nga periudhat më pa korrupsion të ministrisë. Dihen që tenderët i merrte vetëm kushëriri im, kështu që nuk i lija mundësi të tjerëve të më korruptonin.
Nuk e di pse keni krijuar idenë që unë jam i korruptuar. Kush më njeh e di që lëviz me një Range Rover copë-copë. Nuk kemi 100 mijë euro ta zëvendësojmë.
Por ju po bëni një gabim të pafalshëm dhe që do t’ju kushtojë. Duke moslejuar për të më kandiduar mua, ju godisni rëndë kapacitetet intelektuale të LSI-së. Kjo do të sjellë demotivimin tim dhe si rrjedhim niveli intelektual i statuseve dhe komenteve në FB të bjerë ndjeshëm.
E nderuar ambasadore!
Ju bëni gabim që nuk më jepni vizë. Jo se më duhet, se unë nuk kam ndërmend të iki nga Shqipëria se nuk kam as zanat. Madje kjo më ka shtuar popullaritetin. Më kanë ngritur këngë që tani:
Dy luanë ka Shqipëria/
Një Gegëria dhe një Toskëria/
Në veri Sali Berisha/
Këndej teposhtë Petrit Mavria/
D.m.th më krahasojnë me Saliun. Kjo e ka xhelozuar presidentin. Se ai mendon që është vetë i pari i Toskërisë. Por kjo..... nejse se u bëra lëmsh fare. Si të duash./dritare.net