Ka qenë një nga leksionet e kapitalizmit, kur pedagogu Niko K. na jepte mësim dhe në entuziazëm e sipër të shpjegimit të krizave të ekonomisë na tha se kapitalizmi i sotëm karakterizohet nga stagflacioni, term të cilin u ngut profesor Nikoja ta përcaktonte, e kishte shpikur nga studimet e veta profesor Pashkoja.
Më ka mbetur në mendje pasi ishte një term i padëgjuar nga unë, që në fakt e kishin zbuluar nja 50 vjet më parë të tjerët, por që mund t’iu shitej kollaj studentëve të shushatur nga mbyllja hermetike të Fakultetit të Ekonomisë së Tiranës, si zbulim i Pashkos.
Ca vjet më vonë, nga entuziazmi të dukej më katolik se Papa, me teorinë e çekut të bardhë dhe atë të shokut, që jam i bindur se vetëm i kishte lexuar titullin, nga pikëpamja industriale profesor Pashkoja na çoi në epokën e gurit.
Përveç këtyre dy ngjarjeve, nuk i njoh meritë tjetër zotit Pashko, që shpirti i pushoftë në amëshim. Dhe zaten, çfarë mund të zbulohet në ekonomi në një vend të prapambetur si yni. Por zoti Çili mund të ketë arsyet e veta të PR t'i verë institutit të tij këtë emër. Gjiithsesi deri këtu jemi brenda rregullave të lojës ku Çili bën si nëna e libertizmit pavarësisht se e gjitha përmblidhet në teorinë plaçkit publiken, kur gjen budallenj apo dembelë që përtojnë të qeverisin.
Por kjo lojë merr karakter politik kur aty shkon kryetari i opozitës dhe bisedon për ekonominë. Sikur Basha të kishte zbuluar vezën, sesi do dalë ekonomia botërore nga kriza, nuk kishte pikë nevoje të shkonte në sallat e një universiteti privat. Sepse çfarëdo arsye të ketë patur, në sytë e publikut kjo vizitë nuk ka lidhje fare me ekonominë por është një suport i hapur për sponsorin e ligjit për universitetet.
Basha nuk duhet të ishte aty, pasi ne jemi në mes të një krize që po përjeton sot sistemi i lartë arsimor. Është pikërisht pronari i atij instituti arkitekti i këtij ligji që kemi sot, dhe nuk la studio pa e mbrojtur. Që të jemi koherentë, ka pasur edhe të tjerë që janë përfitues nga ky ligj, të cilët janë deputetë të maxhorancës dhe opozitës, por ky ishte kryesori.
Ndërkohë, ka qenë vetë ky kryetar opozite që në kohën e çadrës betohej që ligji do të hidhej poshtë dhe Henri Çili përmendej me emër e mbiemër nga liderët e çadrës. Sot, pa asnjë arsye, shkojnë e futen në çadrën e Henrit.
Mirëpo këtu ka ca njerëz që kujtesën e kanë më të gjatë dhe fjalët i marrin seriozisht. Dhe kur në mes të një krize, kryetari i opozitës ndërmerr një hap i cili është përkrahje e hapur për autorin e këtij ligji, atëhere kemi një problem jo vetëm të koherencës politike por edhe të së ardhmes që do ketë sistemi i arsimit të lartë. Pasi në një moment kur edhe vetë qeveria ka dyshime për hapin që ndërmori, shefi i opozitës i bën spalë autorit, atëhere kemi një problem i cili nuk ka lidhje me Henrin por me opozitën, e cila ose nuk mban mend se çfarë thotë, ose merret me qera nga ata që kanë hall./dritare.net