“Thonjtë e 30-vjeçares që duhet të na kapin prej fyti”
Dritare.net
Nga Andrea Danglli
Sërish një kronikë e zezë, gjak i derdhur, keqardhje virtuale, ekspertizë kolektive, shkrime kortezie, moral patetik, e më pas thjesht një segment harrese në pritje të kronikës tjetër.
Përsëri jemi mes radhëve të një shkrimi të ngjashëm ku të duket sikur përsërit ato që ke thënë më herët për krime të paralajmëruara të cilat të japin ndjesinë e bashkautorit: jo nga ata bashkëfajtorë që rrëmbejnë thikën, por prej atyre që nuk rrëmbejnë në kohë lapsin për të folur, gjersa sot, çfarëdo të thuash, është tepër vonë për jetën e një nëne që la me kokë mënjanë tre fëmijë të vegjël.
Këtë herë plumbat i kanë lenë vendin thikës, bashkëshorti i ka lënë vendin babait, kriminalistika i ka lënë vendin vjehrrës që kreh me shtupë skenën e krimit, punonjësit socialë u kanë lënë vendin fqinjëve skandalozë, policia u ka lënë vendin të afërmve, ndërsa elementet e tjera të kronikës janë po njëlloj si herët e tjera.
Mbase ndryshim përbëjnë thonjtë e viktimës të cilët dëshpërimisht e fatkeqësisht, në ngjarje të rënda si këto, dominojnë më shumë sesa vetë krimi.
Ndërkohë, teksa vëmendja jonë fokusohet te gjatësia e tyre, manikyri apo boja e flokëve, vijon të vegjetojë mentaliteti i mykur vitesh, e bashkë me të edhe ata që duhet të kujdesen për të parandaluar krime të sinjalizuara si këto.
Këtu është fjala për rolin e punonjësit social, të psikologut, policit të zonës dhe agjencive ligjzbatuese lokale, të cilat duhet të marrin seriozisht denoncimet e vogla për të ndaluar në kohë krimet e mëdha. Këto pozicione pune, në dukje të papërfillshme, nuk duhen konsideruar më si qoka partie, por si karrige përgjegjësie që duhet ta meritojë më i afti që përkushtohet, më i miri që trajnohet, më i papërtuari që zbret në terren, më seriozi që evidenton problematikat, më i dituri që sugjeron zgjidhjet, pra ai/ajo që praktikisht shmang këtë lemeri gjaku ku të gjithë ishin përgatitur për vdekjen e nënës së tre fëmijëve përveç saj.
Pjesa dërrmuese e detyrëmbajtësve që përmenda më lart, në zona të caktuara kanë fituar imunitet ndaj problematikave sociale të cilat u kanë ngrirë empatinë, u kanë zvogëluar shkallën e reagimit dhe u ka ambientuar me të keqen duke e pranuar si normalitet.
Për këtë nevojitet një strategji emergjente, profesionale dhe me angazhim gjithëpërfshirës për t’u implementuar nga të aftit, me qëllimin për të kontribuuar drejtpërdrejt në analizimin e problematikave dhe ndjekjen e rrugës së sensibilizimit dhe humanizmit.
Edhe pse vonë, përherë është koha për të folur hapur mbi arsyet reale se pse erdhëm deri këtu ku gjithnjë e më shpesh familja shqiptare po kthehet në poligon qitjesh.
Mungesa e komunikimit, informacionit, edukimit, varfëria, pafuqia e ligjit dhe dhjetëra plagë të tjera sociale të patrajtuara në kohë, kanë krijuar një lloj inkubatori për rritjen e monstrave që janë gati të të marrin jetën për egon dhe pseudonderin e tyre. Monstra të padukshëm mund t’i kesh aq pranë sa nuk e mendon, në të njëjtin qytet, fshat, lagje, pallat apo qoftë edhe në shtrat, duke frymuar aty ngjitur teje.
Ashtu si e ndjera Merushe, nëpër Shqipëri gjenden me dhjetëra gra të tjera që në pavetëdije presin vdekjen me shpresën se marrëzia e mendjeve të sëmurura nuk do t’u marrë jetën.
Askush prej tyre nuk duhet lënë vetëm të ushqejë këtë shpresë, kur ka rrugë të tjera parandaluese për të cilat do të ishte mirë t’u flisnim sa më shpejt e thjesht.
Kjo mbase është më e dobishme sesa të merremi më thonjtë e 30-vjeçares të cilat sot duhet të na kapin të gjithëve prej fyti, e më së pari, frymorët si ai i ashtuquajturi bashkëshort pa gjak, pa formë, pa ngjyrë, që me duart e veta e çoi 30-vjeçaren drejt lajthitjes së babait të tij.
Së dyti, ata thonj duhet të kapin për fyti turmën e gjarpërinjve që krejt natyrshëm thoshin në intervista paturpësisht, pa frikë prej ligjit e prej moralit, se e prisnin të ndodhte ky krim dhe se agresori ua kishte bërë të qartë planin e tij të sëmurë dhe vinte rrotull me sëpatë në dorë.
Së treti, thonjtë e Merushes duhet të mbërthehen tek ata qyqarë që nxituan t’i bëjnë biografinë të ndjerës për të amnistuar medoemos vrasësin përmes justifikimeve bajate të mentalitetit të mykur brezash duke inkurajuar të tjerë shembuj vrasësish. Të gjithë këta në marrinën virtuale, paturpësisht marrin guximin të përdhosin moralisht kufomën për t’i bërë gjyqin nën qefinin e arkivolit.
E së katërti, ata thonj duhet të kapin për fyti heshtjen tonë përballë këtij realiteti që pret ngeshëm klithjen e viktimës së radhës.
Mbase janë thonjtë ato për të cilat kemi nevojë, për të provuar njëherë të vetme vendin e viktimës së skizofrenisë sociale që lufton vetëm për pak oksigjen. Pse duhet të kushtojë kaq shumë ajri në këtë shoqëri?/Dritare.net