Nga Moza Boletini
Në spitalin Mount Sinai në Manhattan, në detyrën e Shefit të Kardiologjisë Pediatrike dhe Drejtorit të Shërbimeve të Aritmisë si dhe Bashkëdrejtor i Qendres Pediatrike te Zemres po tek ky spital, punon mjeku human Robert Pass.
Eshtë mjek me emër dhe renditet tek më të mirët në Amerikë. Eshtë dashamirës edhe me komunitetin tonë, ka realizuar ndërhyrje kardiake me shumë sukses edhe tek pacientë shqiptarë (fëmijë e te rritur).
Duke qenë i suksesshëm, ka patur edhe pacientë të ardhur nga Shqipëria e trojet shqiptare me ndërmjetësimin e Organizatave Shqiptaro Amerikane – Gift of Life, etj. Disa prej pacientëve që Dr. Pass ka operuar jetojnë në Bronx.
Dr. Pass ka kryer studimet në Harvard me rezultate të shkëlqyera. Përpara spitalit Mt Sinai në Manhattan, ka punuar si Zv/Shef ne Departamentin e Kardiologjise se femijeve ne Montefiore Medical Center ne Bronx.
Si mjek, jo vetëm që tregon kujdes të jashtëzakonshëm për pacientët e tij, por edhe në fundjavë shkon në spital për të ndjekur pacientët pas operacionit.
Sot në këtë situatë kritike përveç punës si mjek kardiolog, kuron edhe pacientë me COVID-19.
Duke operuar me sukses edhe fëmijë shqiptarë Dr. Pass ka marrë falenderime nga pacientët e prindërit e tyre, ku në disa raste vajza ime Merlini ka asistuar si përkthyese (Një familje nga Vlora i dërgoi llokume me postë, pasi që fëmija kreu me sukses operacionin nga Dr. Pass ata u kthyen në atdhe).
Dr. Pass është i lidhur edhe me aktivitetet e komunitetit tonë. Si artëdashës i muzikës klasike, ndër artistët që ai ndjek në skenat e Manhattanit, rradhiten edhe Saimir Pirgu, Inva Mula, Ermonela Jaho e të tjerë.
Merlini – vajza ime, si violiniste e angazhuar në dy orkestra simfonike në New York, në një koncert që ka patur me orkestrën simfonike të Albert Einsten University Hospital në Bronx, megjithëse dimër e kishte rënë shumë borë erdhën për ta parë shumë shqiptarë, stafi mjekësor i Departamentit të Kardiologjisë nga Montefiore Hospital në Bronx, mes tyre edhe Dr. Pass.
Në një Podcast që ka hapur për mjekësinë ku interviston personalitete të kësaj fushe, në sfond episodet i shoqëron me muzikë klasike, shpeshherë edhe të këngëtarëve operistikë shqiptarë.
Eshtë intervistuar nga revista prestigjoze amerikane U.S. News, televizione e revista të ndryshme.
Nga natyra e karakteri i tij ai është tepër modest. Si komunitet i jemi mirënjohës e duke qenë se, sot në kohë epidemie të rëndë, në fokusin e ditës janë sakrificat e mjekëve për të shpëtuar jetë njerëzish, ky shkrim të shërbejë si një duartrokitje për punën e mirë mjekësore e humane të Dr. Robert Pass./Illyriapress