Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Shenjtërisë së tij Papa Franceskut!

Shenjtërisë së tij Papa Franceskut!

Nga Rexhep Qosja

Shenjtërisë së tij Papa Franceskut!

Marrë nga romani i sapobotuar, "Të fshehtat e treguara"!*

SHENJTËRISË SË TIJ PAPA FRANCESKUT

PALLATI APOSTOLIK, VATIKAN

PRISHTINË

Më 18 korrik 2017

Shenjtëri, Papa Francesku,

Po ju drejtohemi siç iu drejtoheshin besimtarët shenjtorëve, papëve të tjerë para jush, edhe pse ju dalloni me shumëçka prej atyre të tjerëve.

Ju dalloni prej tyre me diçka edhe në veshjen tuaj papnore.

Ju dalloni prej tyre me diçka edhe në dhomat papnore në të cilat kaloni ditë e natë.

Ju dalloni prej tyre me diçka edhe në mjetet dhe në mënyrat e udhëtimeve zyrtare e jozyrtare.

Ju dalloni prej tyre me diçka në mënyrat se si i pritni dhe në mënyrat se si i përcillni besimtarët e shumtë që vijnë t’ju takojnë.

Ju dalloni prej tyre me diçka, më të vogël a më të madhe, në meshat, në meshat e shenjta dhe në meshat e tjera të zakonshme fetare.

Por, Ju, dalloni me shumëçka, ju dalloni me ide e me mendime thelbësore që dëshironi, kur e kur, madje, dhe kërkoni, që të bëhen pjesë përbërëse e Etikës fetare sot.

Ju po kërkoni çka nuk ka kërkuar asnjë shenjtëri papnore para jush: ju po kërkoni ndëshkime të klerikëve që cenojnë etikën fetare me mëkate ndaj fëmijëve dhe ju po kërkoni liri më të mëdha, më të gjera në Dogmën fetare.

Ju dalloni prej të gjithë të pushtetshmëve fetarë e shtetarë me një përkushtim, të themi të perëndishëm ndaj të varfërve e ndaj të gjithë fatkëqijve të Botës pa dallim feje, race, ideologjie, pra edhe ndaj të gjithë atyre që janë më ndryshe.

Ju dalloni prej të gjithë të pushtetshmëve fetarë e shtetërorë me një përkushtim të jashtëzakonshëm ndaj pajtimit, mirëkuptimit, bashkëpunimit të të ndryshmëve, të të mospajtuarve më parë në Botë, qoftë për arsye racore, fetare, ideologjike dhe politike.

Ju jeni bërë kështu zëri më i njerëzishëm, më human në planetin e Tokës.

Ju me të gjitha këto risi i keni sjellë vetes shumë besimtarë të përkushtuar, por jo edhe pak kundërshtarë.

Në historinë e Revolucioneve kanë dështuar revolucionet shoqërore, por kanë ngadhënjyer historikisht, janë bërë të amshueshme, revolucionet letrare, artistike, shkencore dhe filozofike.

Prej jetës Suaj papnore, prej ideve dhe mendimeve Tuaja papnore, shihet se ju po bëni revolucion fetar që, prej adhuruesve Tuaj të shumtë, quhet i amshueshëm.

Pavarësisht prej fuqisë dhe vendosmërisë së kundërshtarëve, ju tregoheni i bindur se revolucionet e sipërthëna janë treguar gjithmonë më të fuqishme se kundërshtarët e tyre dhe janë treguar më të fuqishme, sepse ishin më jetësore, më të afërta e më të dobishme për trupin dhe për shpirtin e njerëzve, sidomos të njerëzve të privuar prej pushteteve politike, ekonomike, fetare e të tjera.

Të gjitha këto fjalë i shkruam, Shenjtëri Papa Francesku, sepse deshëm t’ju themi duke shpresuar se do ta na besoni: këtu ku jetojmë ne, “feja” së cilës i besohet më shumë se fesë së vërtetë është pushteti. Dhe, njerëzit të cilëve iu shprehet nderim e përkushtim më shumë se më të merituarve të Fesë janë sundimtarët!

Deshëm t’ju themi hapur se kjo “fe” e quajtur pushtet dhe këta, “besimtarë”, të quajtur sundimtarë, kanë bërë shpejt, shumë shpejt, në ketë shtet të ri:

që Djalli të tregojë çka po bën e çka do të bëjë duke qenë i rehatuar në gojën e pushtetarëve dhe militantëve të tyre,

që sundimtarët, prej të madhit e deri tek i vogli, të mos kenë aspak vetëdije për mëkatet që bëjnë,

që sundimtarët të mohojnë çdo ndëshkim për padrejtësitë që bëjnë vetë,

që të mohojnë çdo mospajtim me privilegjet që gëzojnë,

që, në sajë të pushtetit që kanë, të jenë të liruar prej drojës teologjike dhe shtetërore, edhe në qoftë se bëjnë mëkatet më të mëdha,

që të besojnë e të sillen të sigurt se fjala e tyre është më e rëndësishme se njëmendësia,

që të besojnë se Pasuria është më e adhurueshme se Perëndia,

që kurrë më tepër se tre muaj të mos jenë të njëjtit njerëz, domethënë të jenë njerëz pa të njëjtin identitet,

që të sillen, veprojnë e mendojnë të bindur se Sundimtarit, si Shejtanit, i hapen rrugët më shumë kur shihet në Dritë e në Terr se kur s’shihet fare,

që kurrë, nën kurrfarë kushtesh, nuk pranojnë të bartin Kryqin e vet, që, për të gjitha të sipërthënat, sot shihen si vrimë e madhe e zezë në jetën e përtashme dhe në historinë e popullit shqiptar!

Shenjtëri, Papa Francesku,

meqenëse pushteti Juaj janë Lutja, Falja dhe Mallkimi, ne po ju lusim që të vizitoni Kosovën dhe në Katedralen e Prishtinës Nëna Tereze të luteni që vendi ynë të lirohet prej këtyre mëkatarëve!

Me urime, Shenjtëri, që të jetoni sa më gjatë, sa më gjatë për të mirën e gjithë njerëzimit, prandaj edhe tonën.

GRUPI PREJ 21 BESIMTARËVE TË FESË KATOLIKE, MYSLIMANE E PROTESTANTE NË PRISHTINË

P.S.

Lejohemi t’ju bëjmë me dije, Shenjtëri, se kabineti i kryetarëve të Kosovës tani e sa vite stoliset me fotografinë Tuaj dhe stoliset jo pse ata që me postet e tyre e stolisin atë kabinet janë besimtarë të përkushtuar dhe jo pse e kuptojnë madhështinë e rolit Tuaj fetar, human e moral në Botën e sotme, por pse ashtu, duke përdorur politikisht Emrin dhe pamjen e Shenjtërisë Suaj shpresojnë të gëzojnë përkrahje të pakufizuar prej disa autoriteteve të larta politike e shtetërore botërore për ta zgjatur sa më shumë kohën e sundimit të tyre autokratik në Kosovë!

P.S. Jo pa keqardhje, Shenjtëri, ju bëjmë me dije se të frikësuar prej hakmarrjes së sundimtarëve këtë letër-lutje po e shkruajmë me ngjyrë të padukshme që mund të lexohet pas pesë vjetësh, por të cilën bashkëpunëtorët Tuaj, me mjetet e tyre teknike, mund ta bëjnë të lexueshme menjëherë.

*Pjesa e shkëputur nga romani “Të fshehtat e Treguara”, shtëpia botuese Toena!/dritare.net