Na ndiqni edhe në

Opinione

Partia që ende ka kriter për karrierën, Gërdecin

Partia që ende ka kriter për karrierën, Gërdecin

Nga Mero Baze

Partia Demokratike ka skualifikuar nga gara për kreun e KQZ-së, Ilir Rusmalin, ish- zëvendëskryeministrin e saj, për t’i hapur rrugë Ilirjan Celibashit, ish- ministër socialist, për shkak të mërisë që familja Berisha i mban ish- zëvendëskryeministrit, se nuk firmosi kontratën e Gërdecit që kërkonte djali i Berishës. Për ironi të fatit, Celibashi në atë kohë u angazhua si avokat i të akuzuarve për Gërdecin, për shkak të kunatit të tij, Fatmir Mediu.

Kjo nuk vlen për të krahasuar personalitet e atyre që janë në garë, por për të kuptuar kriteret mbi të cilat mund të bësh karrierë në PD.

Ilir Rusmali dhe Ilirjan Celibashi janë të dy të aftë të drejtojnë KQZ-në. Rusmali është ndoshta eksperti më i mirë kushtetues që ka Shqipëria, dhe me një histori të gjatë të kontributit në ndërtimin e ligjeve pas viteve ‘90. Do të mjaftonte seanca dëgjimore për ta votuar, dhe nëse nuk e njihje.

Ilirjan Celibashi po ashtu ka një përvojë të gjatë si gjyqtar, avokat dhe drejtues KQZ-je, edhe pse shumë i anatemuar nga Berisha, sidomos për zgjedhjet e vitit 2001, duke mbyllur sytë para manipulimit flagrant të procesit nga Ilir Meta dhe fenomenit të “Dushkut”.

Sipas procedurës së përzgjedhjes, Komisioni i Posaçëm duhet t’i ofronte përfaqësusit të PD, tre kandidatura të seleksionuara nga ata që janë vetë-ofruar, dhe Partia Demokratike kishte të drejtë të skualifikonte një prej tyre.

Treshja ishte Ilir Rusmali, ish- zëvendëskryeministër i PD, ministër i Drejtësisë i PD dhe dy herë deputet i saj. Ilirian Celibashi, ish- ministër Shteti i Partis Socialiste, ish- zëvendësministër i Brendëshëm i Partisë Socialiste, ish- kryetar KQZ-je, i Partisë Socialiste.

Adrian Myslymaj, ish- deputet i Partisë Socialiste, ish- gazetar i “Zërit të Popullit”.

Mes këtyre të treve, pra mes dy socialistëve të shquar dhe një demokrati, Partia Demokratike skualifikoi Ilir Rusmalin.

Ky ishte një vendim shokues për shumë demokratë, që shpresonin se këto zgjedhje do të jepnin sinjale afrimi me njerëz që kishin kontribuar në Partinë Demokratike.

Vendimi ishte i prerë dhe pa asnjë mëdyshje. Dy ditë më pare, Sali Berisha inskenoi para Sonila Meços një skenë, ku Sonila bënte sikur i kishte ardhur një mesazh me një foto të Rusmalit me Damian Gjiknurin, duke pirë kafe në mjediset e Këshillit Politik, ku Rusmali është ekspert i OSBE për reformën zgjedhore.

Berisha e lejoi Sonilën ta përsëriste tre herë pyetjen, derisa ai ta vizatonte Gjiknurin si sekser bandash dhe njeri që ka vjedhur zgjedhjet, për të treguar se Ilir Rusmali që pi kafe me këtë, duhet të skualifikohet.

Por ka një super-arsye, përse Gërdeci ka diktuar këtë vendim.

Ilir Rusmali është ish- zëvendëskryeministri që ka refuzuar të firmosë kontratën e Gërdecit dhe ka bërë debat zyrtar në mbledhje Qeverie, sic provohet dhe nga procesverbalet e botuara të mbledhjes së Qeverisë.

Pas kësaj, karriera e tij mori fund dhe ai u detyrua të dorëhiqej me makinacionet alla Berisha në nëntor 2007.

Ndërkohë Gërdeci shpërtheu ne mars 2008 dhe Ilirjan Celibashi, edhe për shkak të lidhjes familjare me Fatmir Mediun, u bë avokat i kësaj tragjedie.

Natyrisht që ai krim makabër, ku u vra për të vjedhur, kërkonte avokat të zot, dhe Celibashi është i tillë, por u lodh kot, se në finale atë histori nuk e mbrojtën avokatët, por Berisha, që terrorizoi gjithë shtetin që të mos hetohej dhe mos ndëshkohej askush.

12 vite më pas, kur Ilirjan Celibashi dhe Ilir Rusmali janë në karrierën e tyre profesionale, jo politike, dhe PD-së i bie shansi të zgjedhë mes të dyve, ajo zgjedh Ilirjan Celibashin.

Kjo nuk ka lidhje me personalitetin e Celibashit. Ai është një kandidat serioz për KQZ-në dhe besoj do ta drejtojë mirë. Problemi është se në PD, ende Gërdeci është një vijë e kuqe, që nuk mund të kalohet.

Kush ka dalë një herë kundër të birit të Berishës në Gërdec dhe kush nuk ka mbështetjen e familjes Berisha, është ende një armik i asaj partie.

Ndaj ky vendim ishte i sinqertë dhe reflekton atë që është në të vërtetë sot, Partia Demokratike. Kjo e ashtuquajtura parti, është thjesht një mburojë politike e krimit më të rëndë të familjes Berisha, i cili e ka ndarë historinë e PD-së në dy kohë, në para dhe pas Gërdecit.

Pas Gërdecit, çdo gjë në atë parti, bëhet duke u nisur nga kriteri se çfarë qëndrimi ke mbajtur ti ndaj Gërdecit dhe krimit të varrosjes së gjallë të 26 vetëve, për të cilin akuzohet Shkëlzen Berisha.

Ajo që ka ndodhur dje provon gjithçka dhe diskretiton përpëlitjet e Lulzim Bashës, për gjoja hapje partie. Na i kurseni tani këto spotet e inçizuara me teta Verën, me Komisionin “Luli- Ruli”, me të rinjtë e të vjetërit, dhe akoma më keq, me votime që nuk skualifikon asnjë.

Ka vetëm një kriter për karrierë në atë parti. Thjesht a je gati të jesh ushtar i Shkëlzenit, Argitës, Lirisë dhe Saliut. Mund t’u shtohet dhe Armina pas ca kohësh.

Të tjerat janë një farsë qesharake. Kushdo që ka iluzione, ka ditën të bëhet i kthjellët. Ata që janë brenda dhe bëjnë sikur nuk e shikojnë këtë gjë, të bëjnë provë dhe të flasin për Gërdecin. Është testi që duhet të pranosh krimin e familjes, për t’u bërë pjestar i asaj Familje kriminale që quhet Partia Demokratike.

Ah po, se harrova! Plotëso formularin e dekriminalizimit dhe skualifikohesh po njeh dikë që ka bërë krim. Dhe ngrihesh në karrierë po njeh dikë që ka vrarë 26 veta./tema.net