Nga Ermal Peçi
Në vitin 1975 historiani amerikan Russell Jacoby publikon librin e tij “Amnezia Sociale” duke shtjelluar në diskursin e tij intelektual termin amnezi sociale, e cila do të thotë një harresë kolektive. Autori në këtë libër përkufizonte termin si një kujtesë e shporrur prej mendjes nga dinamika sociale dhe ekonomike e kësaj shoqërie”, duke vënë në pah ndryshimin e sistemit tëvlerave, harresën e njërit dhe vendosjen e shpejtë të tjetrit.
Për shoqëritë, të cilat bien pre e këtij konsumi, si në rastin e Shqipërisë, vlen dhe paralajmërimi i Jacobyt, i cili shprehej: Saktësisht sepse e kaluara harrohet, ajo sundon e pakontekstuar; në mënyrë që të tejkalohet, ajo fillimisht duhet te mbahet mend.
Kjo është ajo që po ndodh në PD dhe ngjarjet që u zhvilluan në Shqipëri këtë periudhë shkaktuan aq propagandë të fortë sa vëmendja e shoqërisë shqiptare u fokusua tek Sali Berisha dhe Foltorja duke harruar se nga ana tjetërqëndron një grua e cila bëri historinë në Gjermani dhe na dha leksione jo vetëm demokracie por tregoi madhështinë e Perëndimit. Atë Perëndim të cilin kemi 30 vite që e kërkojmë me fjalë, por jo me vepra. Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa, parrulla e famshme që na shoqëron që nga vitet 90-të në cdo protestë politike por edhe kryefjala e çdo kryetari partie.
Angela Merkel, gruaja e cila bëri historinë e saj edhe të Gjermanisë zgjodhi të largohej edhe pse karriera e saj politike njihte vetëm maja. Gruaja, e cila gjatë rrugëtimit të saj politik kishte më shume vepra se fjalë, zgjodhi një largim pa bujë dhe lavde. Angela Merkel ishte njeriu i cili riktheu hegjemoninë gjermane në Evropë duke e bërë Gjermaninë pikën kryesore të rëndesës jo vetëm në Evropë por duke e hapur influencën edhe nëpër botë. Ndërkohë që Gjermania fuqizohej ekonomikisht në sferën kombëtare dhe ndërkombëtare dhe popullariteti i saj nuk po shikonte më rivalë, ajo zgjodhi të largohej me lavdi. Angela Merkel me largimin e saj tregoj madhështinë të cilën ajo përfaqësonte, u largua pa bujë, pa tamtame dhe në intervistën e fundit që dha para pensionit të saj politik, kur u pyet nga gazetari se si duhet të mbahej mend, tha vetëm dy fjalë: U përpoqa.
Le të rikthehemi tani tani në politikën shqiptare, në politikën ku karrigia politike është përjetësi ose e trashëgueshme brenda llojit por jo një post i cili t’i përkasi meritokracisë, sëmundje kjo e trashëguar nga regjimi komunist. Në Shqipëri kemi dy modele politikanësh të cilët partinë kërkojnë ta identifikojnë me vetveten: Sali Berisha dhe partia familjare LSI.
LSI me zhurmë po deklaron rikthimin e njeriut, i cili nuk u largua kurrë partia edhe pse ishte president. Ndërkohë në anën tjetër, dje u shpall zyrtarisht ajo që dihej që kur nisi Foltorja. Sali Berisha u rikthye e mesa duket ajo që flitej në korridoret e PD-së gjatë këtyre viteve paska qënë e vërtetë, ai iku për të mos u larguar kurrë. Fakti është që ai është rikthyer dhe ky mund të jetë një lajm i mirë për atë personalisht, por jo për PD-në.
Në 32 vite trazicion politik këta dy persona kanë pasur pushtet absolut në shoqërinë shqiptare. Historia jonë politike është lidhur fort me këto dy figura të cilët paskan një marrëdhënie simbiotike me karrigen e pushtetit. Për të treguar sesa se sa afër jemi me demokracinë mjaftojnë vetëm veprimet e Sali Berishës dhe Ilir Metës. Lidera, të cilët fjalët i kanë perëndimore por sjellja është tipike orientale për mos të thënë lindore.
Për të kuptuar sa larg jemi nga Evropa dhe sa demokratike janë partitë tona mjafton të shikojmë këto dy modele, modelin Merkel dhe modelin Berisha -Meta e pastaj fjalët e tepërta dhe teoritë e tjera janë përralla me mbret për “sovranistët” tanë./dritare.net