Nga Mero Baze
Ka shumë zyrtarë të lart politikë dhe të zgjedhur në krye të bashkive, të cilët e kanë mësuar vonë se në Marrëveshjen e 5 qershorit, janë futur disa kufizime të përdorimit politik të pushtetit katër muaj para zgjedhjeve. Marrëveshja shprehet parimisht për të mos keqpërdorur pushtetin duke shpërndarë certifikata legalizimi apo përurime rrugësh dhe aktivitete të tjera, por ajo që duhet të bënte KQZ dhe nuk e ka bërë ende, është një urdhër për ndalimin e veprimtarive që përshkruhen qartë cilat janë.
Kjo është detyrë e Komisionerit, jo diskutimet e Celibashit me Vukaj apo dikujt tjetër, që bëjnë deklarata në mbledhjet e punës së KQZ, se kush lejohet e kush nuk duhet të lejohet.
Komisioneri duhet të nxjerr urdhrat për ndalimin e veprimtarive dhe sanksionet administrative në rast se shkelen. Kaq është detyra e tij. Interpretimet politike dhe debatet që ushqehen nga mungesa e këtyre urdhrave tregojnë se ata janë duke mos bërë detyrën e tyre.
Një kryetar bashkie sot nuk ka një urdhër nga Komisioneri se cfarë duhet të mos bëj në fushatë, ndërkohë që Marrëveshja e 5 Qershorit ka parashikuar afat datën 25 dhjetor. Në vend të urdhrit ai duhet të dëgjoj muhabetet e kafeneve të Komisionierit, të antarve të Rregullatorit, apo atyre të CAS, që me sa duket u pëlqen të jenë më shumë debatues ekranesh se zyrtarë të zgjedhjeve.
E njëjta gjë mund të thuhet dhe për debatin e Pandeli Majkos me një anëtar të KAS për mundësinë e votimit të emigrantëve. Pandeli Majko ka të drejt kur thotë se votimi i emigrantëve është sanksionuar në Kod Elektoral dhe detyra e KQZ është ti jap zgjidhje mënyrës se si ata do votojnë. CAS (Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve) është një lloj gjykate e zgjedhjeve dhe anëtarët e këtij institucioni nuk mund të rrinë të bëjnë deklarata publike për cështje që presin zgjidhje dhe janë në proces, pasi pastaj do të ngatërrojmë vendimet me mendimet dhe nga nevoja për një KQZ jo politike, do kemi një KQZ që ngjan si paneli i Fevziut.
Kodi elektoral i ka dhënë të drejtën cdo shqiptari jashtë Shqipërisë që ka deklaruar adresën atje dhe gjendjen civile këtu, të marrë pjesë në zgjedhje. Detyra e KQZ është të miratojë rregulla si do votojnë këta shqiptarë dhe jo të bëj debate publike a bëhet a nuk bëhet kjo gjë.
Rregullatori tanimë duhet ta kishte miratuar procedurën se si duhet të votojnë ata shqiptarë që duan të votojnë, sipas rregullave që do ti vendos KQZ.
Katër muaj para zgjedhjeve, KQZ duhet të kthejë në urdhra dhe rregullore cdo gjë që u duhet zgjedhjeve dhe jo të komentoj publikisht Kodin Elektoral apo mundësitë apo pamundësitë për zbatimin e tij. Nuk janë aty për të bërë llogje dhe as për tu promovuar si figura politike. Janë për të administruar zgjedhjet dhe për të zbatuar Kodin Zgjedhor./Tema.net