Na ndiqni edhe në

Opinione

Fjalimi i Dalanit

Fjalimi i Dalanit

Nga Rexhep Qosja

Fjalimi i Dalanit

Marrë nga romani i sapobotuar, "Të fshehtat e treguara"!*

1.

Zonja e zotërinj

Vëllezër e motra

Ju përshëndes me kënaqësi të veçantë.

Më së pari ju përshëndes ju

Ambasadorë e ambasadore

Konsuj e konsullesha

Të shteteve të Bashkuara të Amerikës

Të Bashkimit Europian

Dhe të të gjitha vendeve të tjera.

Ju që përfaqësoni vendet tuaja

Me tradita të mëdha shtetërore

Në këtë vendin tonë të posabërë shtet

Të bërë shtet edhe në sajë të përkrahjes

Së gjithanshme

Për të cilën amshueshëm do t’i jemi mirënjohës Dhe falënderues

Mikut historik e partnerit të sotëm strategjik SHBA-së Shteteve të Bashkuara të Amerikës Shkëlqimi politik e ushtarak

Ekonomik e kulturor

Shkencor e artistik i të cilave

E ndriçon sot gjithë planetin tonë.

Dhe mirëkuptimit e përkrahjes

Së vendeve kryesore të BE-së

Bashkimit Europian Gjermanisë

Mbretërisë së Bashkuar Francës

Italisë.

Ju përshëndes të gjithëve ju

Që jeni në këtë mbledhje

Vjetore solemne

Të partisë kryetar i së cilës me kënaqësi

Të madhe jam.

Ju përshëndes ju që nuk jeni këtu me ne

Sepse sigurt punët e obligimet

Politike shtetërore partiake

Ekonomike shëndetësore arsimore

E të tjera të ndryshme

S’u kanë lënë të jeni këtu

Me ne

E ta dëgjoni këtë fjalë timen

Vjetore

Me të cilën unë edhe juve pra

Që s’jeni këtu ju drejtohem

Dhe jam i sigurt se do ta dëgjoni

Në mediet tona të shkëlqyera

Që shumë përkushtueshëm atdhetarisht

Dhe financiarisht

Po u shërbejnë Shtetit e Kombit e Pushtetit.

Ky domethënë është fjalim për gjithë qytetarët. Dhe natyrisht pashmangshmërisht ndërkombëtarët. Po sidomos për ndërkombëtarët

Sidomos për partnerët miqtë tanë

Për ata që na njohin

Por dhe për ata që ende s’na njohin

E besojmë fort pa vonesë të madhe

Do të na njohin.

Se e thotë populli ynë i mençur

Me shumë përvojë të hidhur e të ëmbël Historike

Ajo që bëhet e njihet prej të madhit Zot

Dhe prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Do të njihet pashmangshmërisht edhe prej gjithë të tjerëve. Madje edhe prej Kinës e Rusisë.

2.

Menjëherë pas kësaj përshëndetje time të gjatë Duhet t’ju them se ky s’është fjalim për të gjitha për zhvillimin tonë të përgjithshëm

Sidomos ekonomik arsimor shëndetësor

Jo.

Jo.

Ky është fjalim për për tri brenga tonat

Për të cilat disa thonë se janë të mëdha

Disa thonë se janë të zmadhuara

E të tretët thonë se janë të shpikura.

E unë sa ma thotë mendja

Dhe sa më obligon posti partiak e jopartiak

Për ta thënë të vërtetën them

Ato tri brenga i kemi

Dhe janë herë më të mëdha

E herë më mesatare

E herë më të vogla

Varësisht sa ju lejohet hapësirë

Që të shprehen

E të shihen.

Ato e përbëjnë atë oktapodin e rrezikshëm

Që na e rrezikon të sotmen ekonomike

Dhe demokratike.

Dhe na e thonë partnerët tanë

Amerikanë e europianë

Na e rrezikon ardhmërinë.

Besoj e dini se cilët janë ata tre përbërësit

Po tre përbërësit e atij oktapodi rrezikues

Që rrezikon të sotmen e të ardhmen tonë.

Disa jam i sigurt e dinë se cilët janë ata

Ata përbërës të oktapodit

Që na e rrezikojnë të sotmen

Dhe ardhmërinë.

Por edhe pse e dinë ata s’e bëjnë luftën politike Kundër tyre.

Disa të tjerë e dinë se cilët janë ata

Ata përbërës të oktapodit

Që na e rrezikojnë të sotmen

Dhe ardhmërinë.

Por por edhe pse prokurorë e gjyqtarë

Të obliguar profesionalisht prej ligjit

E Kushtetutës së Republikës

Nuk e bëjnë atë luftë të shenjtë!

As me ligj e as me fjalë

E disa të tretë po të tretë

Që në numër janë më të shumtët

E dinë mirë qartë qartë si dielli

Si unë dhe ju

Se cilët janë ata tre përbërës të oktapodit

Që na e rrezikojnë të sotmen

Shtetërore

Dhe të nesërmen shtetërore e historike.

Po po shtetërore e historike.

E dinë mirë qartë qartë qartë si dielli

Por bëhen të shurdhër.

Kurrë një fjalë s’dëgjohen ta thonë

kundër atij oktapodi

As fjalë të rrejshme

As fjalë demagogjike

E lëre më ndonjë fjalë të sinqertë.

E dini e di se e dini ju

Dhe ata që sot s’janë në këtë mbledhi

Se ata tre përbërës të oktapodit janë

Oh si do të ma lodhin mendjen kur t’jua them emrat Shumë pa masë do ma lodhin mendjen

Ata tre përbërës të oktapodit

Kur t’jua them emrat!

Ata janë

Korrupsioni dhe me shkronjë të madhe Korrupsioni Nepotizmi dhe me shkronjë të madhe Nepotizmi Dhe krimi i organizuar dhe me shkronjë të madhe Krimi i organizuar.

Shikojeni ju lutem në tabelën e zezë

Në anën time të djathtë

Si duket ai oktapod dhe me shkronjë të madhe Oktapod.

Dhe lexojini kujdesshëm fjalët

Me të cilat është trerrathshëm i rrethuar

Ai Oktapod rrezikues

Të cilit duhet t’ia presim me rrënjë

Kokën dhe gjymtyrët.

Pra pra mos harroni ditë as natë As një çast

Kokën dhe gjymtyrët!

Atë kokë të madhe!

E ato gjymtyrë të gjata! E të shumta

E shumë të përbëra Përdredhshëm të përbëra!

3.

Lufta kundër Oktapodit nuk është vetëm luftë politike.

Jo.

Jo.

Lufta kundër Oktapodit është njëkohësisht edhe luftë atdhetare.

Po po edhe luftë atdhetare.

Dhe këtë luftë duhet ta bëjmë shumë vendosmërisht

Me burrëri

Me trimëri

Me burrëri e trimëri epike!

Pse them kështu epike?

Them kështu sepse na kanë lodhur fort na kanë lodhur

Na kanë ardhur te hunda.

Cilët e dini cilët?

Këta kritikuesit alarmuesit komprometuesit e brendshëm. Ditë as natë festë as pikëllim

S’e nxjerrin prej gojës oktapodin!

Korrupsioni!

Korrupsioni!

Korrupsioni!

Gjëmojnë vajtojnë bërtasin

Shungullojnë pa pushuar!

Janë do gazeta do radio do televizione

Që u japin hapësirë të na sulmojnë

Kur të duan e si të duan e sa të duan!

Thuajse vetë janë engjëj të pastër si loti!

Thuajse s’do të japin llogari për atë keqpërdorim

Të lirisë së shprehjes

Për ato gënjeshtra e shpifje

Me të cilat i mbulojnë të vërtetat!

Nepotizmi!

Nepotizmi s’është përbërës i Oktapodit

I bluar në gojët e atyre kritikëve

Sa bluhet korrupsioni.

E kuptueshme.

Kanë arritur t’i fusin të vetët

Fëmijët vëllezërit motrat tezet,

Hallat e birhallat ku kanë dashur.

Nuk janë nëpër ambasada e konsullata

Vetëm tanët por edhe të tyre me shkolla e pa shkolla! Me shkollën e kryer shkel e shko apo të blerë!

S’e kanë gjatë.

Kemi filluar t’ua numërojmë ditët.

Krimin e organizuar s’e bluajnë gojëçlirët

Siç e bluajnë korrupsionin

Dhe nepotizmin.

E kuptueshme.

Frikësohen frikësohen prej krimit të organizuar.

E dinë se në grupet e tilla të organizuara

Kriminale

ka gjithfarë sortesh.

Ka edhe hakmarrës gjakmarrës

Quajini si të doni

Të lindur dhe të shkolluar

Origjinalë dhe të kompiluar

Me kallash e me gazetë në njërën dorë

Me sakicë a shish në tjetrën dorë.

As ne si shtet s’e kemi lehtë me ta.

E si ta kemi lehtë?!

Kryesorët mes tyre universitetet e krimit

Të krimit të organizuar

I kanë kryer në Europë.

Europa!

Gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë të shkretë

Që kurrë ditë të bardhë s’kanë përjetuar

Në të në Europën kanë pa parajsën

Por por oh sa shpesh u është dhuruar skëterra. Kjo sot është një Europë tjetër.

Kjo është Europa e Bashkuar.

Bashkimi Europian.

Premtim i madh.

Ideal i madh.

Shpresë e madhe.

Më falni!

Më falni!

Dikush po më thërret në celular!

Qe qe po ma dridh xhepin

Xhepin e jelekut.

Më falni zonja e zotërinj!

Më falni ju lartmadhëri dhe ekselenca!

Më falni vëllezër e motra!

Urdhëro!

Urdhëro shoku kryeprokuror!

Po po po dëgjoj. Po kuptoj.

Sa

Sa?

Nëntë nëntë po thoni.

Kryet e Oktapodit?

A jeni i sigurt?

Vështirë të besohet.

Oktapodi ka shumë shumë gjymtyrë Dhe ato gjymtyrë s’lënë të shihet

E lëre më të pritet koka e Oktapodit. Mirë ju lumtë

Do shihemi posa ta kryejë mbledhinë.

4.

Zonja e zotërinj!

Lartmadhëri e ekselenca!

Vëllezër e motra!

Kam një lajm fort të mirë

Kryeprokurori më njoftoi se policia jonë

Sot ua ka vënë prangat shtatë më falni nëntë kriminelëve. Tre të korruptuar ryshfetxhinj.

Një strateg të punësimeve nepotiste.

Dhe pesë kriminelë pjesëtarë të një grupi

Të një grupi të strukturuar.

Kjo është fitorja jonë e parë në luftën tonë të pandalshme Kundër kundër kundër

Korrupsionit

Nepotizmit.

Krimit të organizuar.

Kjo luftë s’do të ndalet deri të mos i çrrënjosim

Të tre përbërësit e Oktapodit Korrupsionin

Nepotizmin

Krimin e organizuar.

Derisa të mos ia presim gjymtyrët

Dhe kokën Oktapodit.

Dhe kështu do të plotësojmë kushtin kryesor Për sendërtimin e qëllimit tonë madhor Integrimin Euroatlantik

Pranimin në NATO

Dhe fillimin e bisedimeve për inkuadrim

Në Bashkimin Europian.

Ju faleminderit për vëmendjen.

A ka kush pyetje?

Paska.

Një.

Urdhëroni

Zoti Dalan!

Më intereson mua profesor mysafir këtu

E besoj u intereson edhe disa të tjerëve këtu Jashtë këtuhit

Në SHBA në Shtetet e Bashkuara të Amerikës Në BE në Bashkimin Europian

Sidomos në Bruksel

Ku po na e përmendin Oktapodin çdo ditë. Tre të korruptuarit

Ata të grupit të krimit të organizuar

Dhe ai strategu i punësimeve nepotiste

Të cilit nivel politik e shtetëror janë

Të parë

Të dytë

Të tretë

Apo nëpunës të thjeshtë?

Në mesazhin që më erdhi

Pos atyre pak fjalëve me kryeprokurorin

M’u tha

Tre ministra

Katër zëvendësministra

Dhe dy këshilltarë të ministrave.

Bisedat informuese me ta ende s’dihet çka do të sjellin. Zoti Dalan

Oktapodit që po sulmon e shfrytëzon Republikën tonë S’iu qenka bërë ndonjë dëm i veçantë

Ai do të vazhdojë të na sulmojë e të zhvatë

Derisa të mos t’i zbulohen dhe t’i priten koka e gjymtyrët. E Oktapodi ka kokë të madhe e shumë gjymtyrë.

Apo jo?

Burgosjen shoku profesor do ta vazhdojmë

Do të burgosen fajtorë dhe trillues të fajtorëve!

Jetojmë në De Mos Kraci!

Lartmadhëri!

Zonja e zotërinj!

Vëllezër e motra!

Dreka ju pret

Në Hotelin Mediterani!

Nuk jemi të mallkuar.

Jemi të bekuar!!!

Mallkimi ka kaluar

Bekimi është realizuar

Ne po e realizojmë

Si po shihni

E po jetoni

Po jetoni në parajsë!!!

Me parajsën në gojë Dalani e kryen fjalimin për Oktapodin thuajse s’është vetë oktapod. Po ta shihte, po ta dëgjonte Havaja ime ja tani, e sëmurë, por kur ishte shëndosh, çka do të më thoshte. Dhe, çka do t’u thoshte nxënësve, Havaja. E di, e di çka do t’u thoshte atëherë e çka do t’u thoshte kur ata të rriten. Hava, Hava. Havaja ime.

Fshatari është i dështuar në qoftë se mbetet në fshat, por mbasi ta zbulojë qytetin, ai e pushton. Dhe ndaj qytetarit zbaton ligjet e deleve dhe të pulave. Psikologjinë e përbërë të politikanit e kupton thjesht, prandaj sillet si qeni që ruan grigjën e deleve. Kjo është logjika fitimtare e fshatarit në politikë. Me këtë logjikë fitimtare ai zhduk konkurrencën. Kafshët për të bëhen njerëz e njerëzit kafshë.

Paolo Sorentino, Të gjithë kanë të drejtë/

*Pjesa e shkëputur nga romani “Të fshehtat e Treguara”, shtëpia botuese Toena!/dritare.net