Nga Ermal Peçi
Big Brother Vip po tregon çdo ditë gjenialitetin e pronarëve, të cilët morën patentën e këtij programi dhe regjisorit të këtij reality show, i cili është jo vetëm i suksesshëm, por një motor i fuqishëm për të gjeneruar të ardhura ekonomike. Big Brother Vip, tashmë është i padiskutueshëm fakti që të jep famën që ti kurrë nuk e ke menduar që do e fitoje e jo më ta zotëroje.
Dea Mishel nuk është ndonjë personazh që deri më sot të ketë spikatur në fushën e saj. "Unë jam e bukur". Kjo ishte fjalia e saj kur u bë pjesë e Big Brother Vip. Ky ishte përkufizimi i saj për vetveten dhe kjo personifikon çdo gjë rreth saj.
Dea shpeshherë mendon se bën humor anglez. Batuta, të cilat kanë ndezur për keq shoqërinë shqiptare. Një batutë për jetimët, e cila ishte e pavend sepse batuta duhet të ketë limitet e saj, por dhe duhet kujdes kur flet për tema sensitive.
Ishte pyetësori i disa ditëve më parë me disa pyetje elementare për figurat kombëtare të Shqipërisë dhe vendet me të cilat vendi ynë kufizohet.
Përgjigjet e saj e rihodhën Dea Mishelin në “turrën e druve” të shoqërisë. Në fakt Dea përfaqëson një pjesë të shoqërisë sonë, një shoqëri, e cila ka hyrë në konsumin e jetës së rrjeteve sociale dhe historisë së Shqipërisë nuk i kushtojnë vëmendje. Dea me injorancën e saj i bën dëm vetvetes. Pyetja që lind: A thua të kemi dhe klasën politike kaq analfabete?! Ngre pyetje për klasën tonë politike sepse nga Dea nuk na vjen asnjë e keqe, por nga klasa politike gjithë pasojat në shoqëris i kemi prej tyre. Prej vitesh niveli i parlamentit është për të vënë duart në kokë. Ai parlament ka parë njerëz, të cilët janë të shënjuar në rrugë si pjestarë të botës së krimit, por na veshin kostum e kollare dhe na shiten për “elitë”.
Jo vetëm kjo kategori ndodhet aty, por sikur të mos mjaftonte, parlamenti është mbushur me njerëz nga bota e biznesit. Thua se nuk është vend politikbërje, por vend biznesi për fatet e Shqipërisë. Prej kohësh në parlament ka deputetë nga të dy palët, të cilët nuk janë të aftë të artikulohen. Nga 140 deputetë, janë maksimumi 10 mund të artikulohen dhe shprehin mendimet e tyre. Të tjerët janë një “Dea të Heshtura” . Fjalori parlamentar rrotullohet tek një mori fjalësh vulgare dhe po të njëjtat përdoren në çdo seancë. Simpatizantët e dijes po rrallohen gjithmonë e më shumë, ndërsa shterpësia e djallëzia kanë marrë hov. Kjo është ajo që shoqërinë duhet ta shqetësojë, sikur këto pyetje t'i drejtoheshin deputetëve të parlamentin si do të përgjigjeshin këta pushtetarë?! Do i kishin përgjigjet apo do ishin një Dea?! Këto dhe shumë pikëpyetje duhet të kenë në mendje shoqëria jonë. Padituria e Deas prek atë dhe vetëm atë, ndërsa padituria e parlamentit shqiptar na prek të gjithëve duke na vrarë të ardhmen dhe shpresën./dritare.net