Na ndiqni edhe në

Opinione

As “Skënderbeu” s’mund të qeverisë 3 mandate me Mamica!

As “Skënderbeu” s’mund të qeverisë 3 mandate me

Nga Kreshnik Spahiu

“Rilindja” u kopjua si slogan në 2013 si një mënyrë për të rivalizuar, patriotizmin Kuqezi i cili kishte fituar shumë terren në vigjilje të 100 vjetorit të pavarësisë. Nga sondazhet rezultonte që kuqezi kuotoheshin 18% në Sondazhe 8 muaj para zgjedhjeve dhe socialistëve iu duhej një fasadë patriotike rivalizuese sepse Kuqezi po gërryente elektoratin majtas.

Pas bllokimit mediatik të kuqezinjve, “Rilindja” mori flamurin dhe protagonizmin.

Në 8 vjet kryeministri Rama, investoi maksimalisht figurën mediatike për të krijuar profilin nga “Skënderbeu” dhe deri te mjekra e Ismail Qemalit.

Elementët kryesor në imazhin patriotik ishin:

- Takimet e 2 qeverive Shqipëri-Kosovë

- Flamujt kuqezi në mitingje

- Vjedhja e sloganeve kuqezi

- Simboli shqiponjës kudo

- Mjekra e Ismail Qemalit dhe thinjat

- Viti i Skënderbeut

- Ideja për t'u bërë President i Shqipërisë së Bashkuar

- Emërimi 2 ministrave nga Kosova, Genti Cakaj dhe Besa Shahini

- Vrasja e një minoritari të armatosur në Himarë

- Arrestimi dhe dëbimi i disa ekstremistëve grekë

- Logot dhe hartat e Ilirisë, Arbërisë dhe Shqipërisë etnike nëpër muret e kryeministrisë etj etj.

Deri këtu s’ka asgjë të keqe dhe s’duhet shprehim as xhelozi dhe as cinizëm.

Kjo është fasada dhe imazhi mediatik.

Por a zgjodhi “Skënderbeu” i ri një ushtri me “Rilindas” për ta bërë Shqipërinë një shtet të fort dhe komb superior në Ballkan?

Jo absolutisht jo, madje bëri të kundërtën.

Gjysma e grave që emëroi ministre e kishin parë Kosovën vetëm në TV, sepse për trevat e tjera nga Presheva në Prevezë nuk kishin dëgjuar kurrë. Anonimiteti i tyre dhe cektësia në mendimin dhe përfaqësimin politik ishte skandaloze.

Rama dështoi në patriotizmin esencial të institucioneve.

Le të marrim një shembull: Emërimi i dy ministrave nga Kosova ishte brilante si ide në hapin për unifikim të diplomacisë dhe arsimit shqiptar në Ballkan, por a mundet Besa dhe Genti të përfaqësonin Kosovën?

Jo absolutisht jo.

Madje, përzgjedhja e Gentit dhe Besës ishin konsumim dhe djegie e kauzës sepse Shqipëria u zhgënjye nga dy “Isa Buletinët” e rinj.

Edi Rama mund të zgjidhte Rexhep Qosen, Ministër Arsimi dhe Veton Surroin, Ministër Arsimi në vend të Besës dhe Gentit.

Por jooooo, ai nuk dëshiron as Qosen dhe as Surroin sepse ata nuk bëhen ushtar të “Skënderbeut”.

Ai ende nuk heq dorë nga përzgjedhja e njerëzve anonim. Pas 8 vitesh, gjysma e ministreve nuk i njeh me fytyrë askush.

Besa dhe Genti ankohen që populli po i paragjykon për dialektin e tyre gegërisht.

Unë nuk mendoj ashtu.

Ndonëse stërnipat e Skënderbeut arbëresh që janë larguar 600 vjet nga Shqipëria, e flasin shqipen më pastër se Besa që drejtonte arsimin shqiptar, sërish unë gjykoj që problemi është tjetër kund.

Kosova nuk mund përfaqësohet në Shqipëri me Besën dhe Gentin sepse ka me mijëra intelektualë më elitarë Prishtina.

Ashtu si Shqipëria nuk mund të përfaqësohet me këto vajza anonime që i bëjnë fresk kryeministrit.

Edi Rama i lindur dhe rritur në Tiranë, nuk mundi të përzgjedhë një elitë qytetare dhe pinjoll të familjeve fisnike patriotike.

Meritokracia nuk u ndërtua dot në sistem.

Ai ka humbur një betejë të madhe, jo me një perandori 500 vjeçare por me një qytetari të zhgënjyer dhe lodhur nga qeveria e Mamicave.

As Skënderbeu nuk do qeveriste dot Shqipërinë 3 mandate me Mamicat e tij./dritare.net