Omer Kaleshi, historia e rrallë e piktorit shqiptaro-turko-francez!

 Nga Rudina Xhunga

Omer Kaleshi është piktor, është piktor sa shqiptar, aq turk, aq francez. Por e rëndësishmja ai është artist. Ka pikturuar dhe ekspozuar në galeritë më të rëndësishme të botës, por tani në këtë moment të jetës së tij, është duke menduar t’i dhurojë pikturat e tij. T’ua kthejë shqiptarëve, në Shqipëri, Tiranë, në Shkup, në Prishtinë, në Bursa ku ka shumë shqiptarë gjithashtu. Do t’ua kthejë shqiptarëve sepse, ka marrë prej tyre artin, pikturën, mirënjohjen, ka marrë prej tyre duartrokitjet.

Por tani do t’i dhurojë pë ekspozim, me dy kushte. Jo në burg, jo në depo galerish, edhe jo pa kornizë. Do të jetë në shtator në Tiranë. Do të jetë gjithashtu në Prishtinë, në Shkup, në Bursa. Kjo është ajo çfarë ai do të lërë pas. Sepse nuk do të lërë pas fëmijë, do të lërë pas piktura, piktura për shqiptarët.

Intervista

Rudina Xhunga: Sa vjet keni larg vendit ku lindët në Maqedoni?

Omer Kaleshi: Sa larg, mund të kem 60 vjet.

Rudina Xhunga: Po ju flisni një shqipe të shkëlqyer. Si ka mundësi që e ruajtët shqipen?

Omer Kaleshi: Tashti unë nuk e flas shqipen mirë. Shqipen letrare nuk e di. Unë nuk e kam përdorur shumë shqipen. Kur kam qenë në katund, babai im ka qenë hoxhë, e ai katund ishte gjithë shqiptarë. Edhe ne fëmijët kur dilnim në katund e luanim, të gjithë flisnim shqip. Aty e kam mësuar, kur je i vogël e mëson shqipen e nuk harrohet. Nuk harrohet kollaj.

Rudina Xhunga: Një gjë që më bën përshtypje te ju është edhe fëmijëria juaj, është e gjitha në pikturat tuaja. Ju e keni marrë me vete, e keni çuar në Paris, e mbani aty.

Omer Kaleshi: Babai im ishte hoxhë, ama kishte një mik shumë të mirë, ishte dervish. Ne ishim shumë fëmijë, dhe ai vinte te ne, flinte te ne në katund. Ne fëmijët gëzoheshim, “Ah do të vijë dervish Halimi!”. Dhe ai na binte gështenja të ziera. Ama kishte një mjekër të madhe, e ne nuk ia shihnim gojën, e thoshim: “Tashti do të shohim si do të hajë, si do ta fusë lugën.” Ama gëzohesha shumë kur vinte ai. Më ka mbetur një kujtim, kur vinte dervishi, kur vinte figura e tij, koka e tij. Atë kokë e pikturoj gjithmonë.

Rudina Xhunga: Bëtë ndonjë punë tjetër përveçse pikturë, gjithë jetës suaj?

Omer Kaleshi: Kur isha i ri, para se të shkoja në Turqi, bëra shkollën në Shkup për elektricist. Shkova në ushtri. Ushtrinë e kam kryer në kohën e Titos. Në 1952-1954, kam qenë ushtar në Kroaci.

Rudina Xhunga: Keni bërë piktura gjatë kohës së ushtrisë suaj?

Omer Kaleshi: Në ushtri nuk e dija pikturën. As pikturën nuk e dija, as në literaturë nuk dija hiç, nuk kishim lexuar libra.

Unë shkova ushtri, më vonë në një librari, se unë kisha mësuar pak. Kjo libraria u jepte libra ushtarëve. Dhe aty në vend të çorapeve na dhanë suferesa, ashtu u thoshin atje, një copë pëlhure, e mbështillje këmbën. Këto nuk i përdorja për këmbët, po punoja me kalem, me laps, portrete të Titos, të Lelinit, në atë kohë Karl Marksit dhe më pas të Dostojevskit, Gogolit se i kishin romanet atje. Edhe herën  e parë, u njoha me literaturën, me romanet, p.sh si Dostojevski. Në këto pëlhura, portretet bëheshin shumë mirë. Edhe komandantët, kapitenët tanë i pëlqenin dhe i kerkonin.  Ama nuk dija asgjë, nuk kisha lidhje me artin. Më pas, si u ktheva, shkova të punoj në një central, në Shkup, aty pashë një ekspozitë të Hennry Moore-it. Dhe prej aty thashë se do të bëhem piktor. Hennry Moore është skulptor, por ka bërë shumë gravura. Gravurat e atij, në Luftën e Dytë Botërore, si nëpër metrotë u fut populli. Edhe, duke fjetur, e duke ndenjur me ta që kishin frikë nga bombardimet krijoi gravura. Edhe ato pëlqeva unë, ato figura. Edhe thashë do të bëhem piktor. Asgjë s’mund të më ndalonte.

Rudina Xhunga: Pse, të thoshin jo mos u bëj?

Omer Kaleshi: Do të bëhem piktor, jo do të shoh galeritë, afresket, nëpër kisha që janë rreth Shkupit, manastiret, ikonat. Kiameti të bëhet thashë, por unë do të bëhem piktor. Nuk mund të më ndalonin. Siç thotë Ismail Kadare, në një libër: “Nëpër familje ka fëmijë që, babai merret me muzikë, dhe nëna me pikturë, me art. Edhe djali vjen nga një familje që të dy prindërit, i ka artistë. Ka njerëz që artistin nuk e lënë të dalë, “Mos shko ti në akademi, mos u bëj artist!”  ka edhe nga ata fëmijë që nuk mund t’i ndalojë asnjë.” Më duket se unë jam prej tyre, nuk me ndaluan dot. Nuk kishte mundësi, unë thashë: Kur të shkojmë në Turqi, sepse mendonim të shkonim në Turqi atëherë. Atëherë ishte Jugosllavia, nuk mund të bënim pa të. Shkova në Turqi, në akademi. Kisha pak probleme, se gjuhën turke nuk e dija.

Rikthimi në Tiranë…

Rudina Xhunga: Si ju duk Tirana e 2019-ës, si ishte sot të ecje në Tiranë?

Omer Kaleshi: Vallahi sot Tirana më ka pëlqyer shumë.

Rudina Xhunga: Kur ka qenë hera e fundit që keni qenë në Tiranë?

Në Tiranë kam qenë shumë moti, në 1989-ën. Edhe atëherë erdha se u bë një ekspozitë, në Ankara. Edhe ambasadori i Shqipërisë në Ankara vinte tek ekspozita, te galeritë edhe më pyeti: A ke qenë në Shqipëri? Edhe unë i thashë, që nuk kam qenë. “Do të të thërrasim të vish, si mik i Shqipërisë.”,- më thanë.

Rudina Xhunga: Ishte hera e parë që vinit në kryeqytetin e shqiptarëve?

Omer Kaleshi: Hera e parë, hera e parë.

Rudina Xhunga: Si ju duk?

Omer Kaleshi: Mirë m’u duk ama, mua më shoqëroi Sadik Kaceli. Se e dini ai ka bërë studime në Paris, fliste frëngjisht, por më duket këta në Shqipëri nuk e dinin që unë dija shqip dhe Sadik Kaceli më thotë:

“Mirë se erdhët!”- frëngjisht “Bon pour venir monsieur!”Dhe unë u thashë: “Ah mirë se ju gjeta!” Atëherë  e mori vesh që unë dija shqip dhe ai më ka bërë shoqëri. 15 ditë kemi qenë bashkë, kemi shëtitur gjithë Shqipërinë. Shkonim nëpër galeri, dhe studionin atelietë e piktorëve.

Rudina Xhunga: Ju e dinit që këtu afër galerisë ku ne jemi është atelie e Edi Hilës, Muntaz Dhramit, e Skënder Kamberit?

Omer Kaleshi: Nuk e dija unë sot e mora vesh, ju më kallëzuat.

Rudina Xhunga: Jemi në një tokë piktorësh këtu afër.

Omer Kaleshi: Po shumë mirë, këto kanë qenë galeri më përpara, dhe prapë janë galeri. Dhe atëherë kur erdha herën e parë, shkova në akademi, dhe shfaqa disa materiale me diapozitiva, nuk ishte si sot.

Udhëtimet…

Omer Kaleshi: Kur bëja studimet në Stamboll, nuk më linin të dilja përjashta Turqisë. Kisha një të afërm, profesor, ishte në Beograd. Ai më dërgonte garanci të dilja, një letër që të dilja jashtë Turqisë. Unë një vit nuk dola, në Evropë, me dy shokët e mi kemi shëtitur vetëm në Turqi, gjithë Turqinë.

Rudina Xhunga: Pse ikët nga Stambolli, në Paris?

Omer Kaleshi: Jo vetëm unë, secili piktor e ka mendjen të shkojë më Paris, ta shohë. Sepse Parisi është qendër, për artistët, piktorët më tepër. Jo Amerikë, jo Japoni, për mua, për artistët është Parisi, përgjithmonë. Edhe kur dilja përjashta, veja në Paris, sepse kisha disa miq atje, prej katundi. Nga Parisi pastaj shkoja në Londër, Vjenë, edhe një vit, sepse unë e kisha si mjeshtër e kisha zgjedhur, Francisko Goya, e desha të shkoj patjetër në Spanjë. Një herë profesori ynë, na tha të zgjidhnim nga një mjeshtër, të cilin e donim, dhe të kishim lidhje me atë, ta studionim.

LEXO DHE :  Lidhje jashtëmartesore dhe përdorues i drogës, ja skandalet më të mëdha të Boris Johnson!

Rudina Xhunga: Ti zgjodhe Goya-n.

Omer Kaleshi: Unë zgjodha Goya-n, edhe shkova, si student atëherë. Madje edhe punova në Paris në një vend, bëra pak pikturë, sepse kishte disa shqiptarë, ata më gjetën një punë. Njihnin njerëz që bënin piktura nëpër shtëpi, edhe punova aty nja një muaj. Pastaj shkova në Spanjë, ishte viti 1963.

Rudina Xhunga: Në Spanjë, me vrap te Goya.

Omer Kaleshi: Si jo, për atë shkova! Shkova, te Goya më parë. Dhe në Madrid, afër Pradës, në një kishë quhet “Shën Antonio de la Florida”. Edhe kupolën, e ka bërë Goya kur ka qenë shumë i ri, afro 40 vjet. Ka shkuar në Itali, dhe ka studiuar freskën dhe e ka bërë krejt kupolën shumë freske dhe aty është si muze.  Goya më duket se ka vdekur në Francë. Pas disa vjetësh e kanë marrë dhe e kanë varrosur në kishë.

Shkoja nëpër Evropë, dhe kisha shumë miq, në atë kohë, miq që ishin të ballit kombëtar, si Abaz Ermenji, dhe ai më dha shumë adresa. P.sh ishte një në BBC, në Londër. Ai më dha një adresë të shkoj te BBC, atje kishte shumë shqiptarë që punojnë dhe shkoja në muze, galeri, dhe ata më thoshin: ‘eja hamë drekë këtu’ dhe pastaj shkonim te një mik flinim atje. Edhe në Itali ashtu, në Romë ashtu.

Rudina Xhunga: Vetëm udhëtoje dhe shikoje galeri. Po për para si ia bëje?

Omer Kaleshi: Ah paratë! Miqtë më njihnin shumë. Kur shkova në Londër, ishte vonë, dhe unë nuk e dija gjuhën angleze dhe tani nuk e di. I hipi trenit, nuk shkoja dot te këta njerëzit që kisha adresën se ishte vonë edhe kishte aty një kabinë telefonike, u futa aty dhe fjeta pak. Fjeta ama, masandej erdhën policët. Edhe s’e di ca më thanë, por unë u thosha: “British Museum, Tate Galery.” Ata u çuditën, dhe thanë: “Ky s’merr vesh anglisht, por këta muzetë ku do të shkojë, i di.” Edhe më lanë nuk më folën. Kur kemi qenë në Amerikë, në Metropolitan Museum, 1980 kishte një ekspozitë të re të Pikasos dhe atëherë unë pashë Guerniken. Guernika ishte në Amerikë. Pikaso e kishte thënë se, deri kur të jetë gjallë Frankoja, nuk e çonte atje dhe ishte gjithnjë në Amerikë. Dhe unë pashë sallone shumë të mëdha, me punime, që kishte bërë Pikasoja. Një sallon shumë i madh vetëm me studimet e Guernikes. Dhe në të gjitha vendet shkoja vetëm për muzetë, galeritë.

Rudina Xhunga: Po pastaj, kur ju u bëtë piktor i famshëm, u rikthyet në këto vende me pikturat tuaja? Në vendet ku më përpara ishit vetëm udhëtar.

Omer Kaleshi: Po, ama jo në të gjitha vendet, vetëm në disa.

Rudina Xhunga: Si është të jesh, vizitor dhe si është të jesh piktor që ekspozon? Kur kënaqesh më shumë?

Omer Kaleshi: Kënaqem më tepër kur bëj ekspozita. Ekspozita të mëdha si ato në UNESKO-s në Paris. Është një ekspozitë e madhe dhe marrin pjesë edhe Ambasada e Shqipërisë në UNESKO, e Turqisë dhe e Maqedonisë. Të tria këto ambasada morën pjesë në ekspozitën e madhe që u bë në UNESKO. Edhe e mësuam vendin, ku bëhej ekspozita me këto tri vende. Sepse unë ekspozoj kudoqoftë.

Dervishët…

Omer Kaleshi-Junus Emre, ka qenë një poet i madh i Turqisë, ka jetuar në të njëjtën kohë  me Rumi Ëhirling, Mevlanën, Haxhi Bektash Veliun. Turqia donte të bënte një ekspozitë, me Emrenë, sepse edhe këtu në Tiranë ka qendra kulturore të Junus Emresë, ka në Shkup. Dhe unë bëra shumë dervishë. Një 40 piktura me dervishë.

Rudina Xhunga: Ndërkohë, tani ka ardhur një moment për ju që pikturat tuaja doni t’i shpërndani në tokat që i përkisni, në Shkup, në Prishtinë, në Tiranë, në Bursa edhe në Paris. Si ka ardhur ky çast?

Omer Kaleshi: Kjo filloi në Kosovë, gazetar në Shqipëri, Qani Mehmeti, ka nja 4-5 vjet që ka ndërruar jetë. Por ai u bë sebep sefte  për të bërë një galeri. Nuk e kam pasur ndërmend të bëj një galeri kështu, asnjëherë, por njëra pas tjetrës më vonë, dhe u bënë disa galeri. Tani jam shumë i kënaqur që u bë kjo punë, por u bë rastësisht nga Qani Mehmeti me rektorin e universitetit ‘Iliria’.

Rudina Xhunga: Aty janë tani një pjesë e pikturave tuaja?

Omer Kaleshi: Aty janë. Herën e parë u bënë aty, dhe pastaj vazhdoi në Universitetin ‘Nënë Tereza’ në Shkup. Në fillim të këtij viti, u bë një galeri, donacione, këto janë dhurata, i kam falur, u bënë në Turqi, në Bursa.

Rudina Xhunga: Dhe e fundit është në Tiranë, te bektashinjtë?

Omer Kaleshi: Po!

Trashëgimia…

Rudina Xhunga: Ju keni marrë kaq shumë nga shqiptarët, në Ankara, në Bursa, në Maqedoni, apo Kosovë, e Tiranë dhe tani në këtë moment të jetës suaj, ju po ua riktheni në një farë mënyrë. Pikturat tuaja, po ia riktheni shqiptarëve përsëri.

Omer Kaleshi: Në Shqipëri desha të bëj diçka dhe kam biseduar me Luanin. Të lë një pjesë të punimeve të mia në Shqipëri. Unë bëja në Prishtinë, Maqedoni, Turqi, por në Shqipëri nuk kishte ndonjë aktivitet, iniciativë.

Rudina Xhunga: Pse po i shpërndani pikturat? Pse nuk po i mbani për vete?

Omer Kaleshi: Ç’të bëj? Familja nuk merret me piktura, s’kam fëmijë të merret me pikturë. P.sh si Kaceli, ai kishte Buranin, ai ka galeri. Por unë jam shumë i gëzuar që edhe në Shqipëri bëhet kjo. Për më tepër unë nuk isha lajmëruar, por kjo për mua është një surprizë shumë pozitive. Bashkia do të bëjë një qendër kulturore, te Piramida. Edhe aty do të ketë një vend, ku do të fal pikturat e mia.

Rudina Xhunga: Po fal shumëçka nga vetja jote për shqiptarët tani.

Omer Kaleshi: Sigurisht, unë jam shumë i kënaqur. Deri tani nuk kishte ndonjë aktivitet, ndonjë sinjal, që edhe në Shqipëri mundet të bëhet diçka.

Rudina Xhunga: Do të vini prapë në Shqipëri, atëherë?

Omer Kaleshi: Po do të vij më shpesh.

Rudina Xhunga: Unë po ju shoh shumë të gëzuar në Tiranë, në Paris nuk kishit këtë gjallëri.

Omer Kaleshi: Jam shumë i gëzuar edhe për këtë që do të bëhet qendra kulturore te Piramida, nuk isha i lajmëruar.

Rudina Xhunga: Pse kaq i gëzuar që do të jeni te Piramida, ju jeni në Galerinë e Arteve?

Omer Kaleshi: Në Galerinë e Arteve dy piktura kam lënë, dhe nuk jam hiç i kënaqur, sepse janë në burg.

Rudina Xhunga: Në burg? Në depo? (qesh) Sepse pikturat nuk duan burg, duan të ekspozohen.  

Omer Kaleshi: Prandaj them, kudo që shkoj, nëse me jepni një vend, sallë të vogël, sa keni mundësi, unë do t’ju fal. Ama jo t’i vini në depo. Asnjë pikturë nuk ka, nëse e vini në depo.

Rudina Xhunga: Jo në depo dhe jo pa kornizë, këto janë kushtet?

Omer Kaleshi: Po shumë mire e the. Asnjëherë nuk kam pasur pikturë pa kornizë.

Rudina Xhunga: Jo në depo, jo pa kornizë, edhe po të kesh një hapësirë, hapësirë për shpirtin, vjen edhe e mbush piktura e Omer Kaleshit. /dritare.net

 

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.