Obama- Merkel, takimi i fundit i Presidentit me Kancelaren
Dritare.net
Kancelarja Angela Merkel dhe presidenti në largim i SHBA-së Barack Obama u përshëndetën me një buzëqeshje dhe një puthje në faqe përpara kancelarisë.
Në bisedimet e planifikuara për një orë e gjysmë janë në fokus ndër të tjera roli i SHBA-së nën presidentin e ardhshëm Donald Trump në përballimin e krizave ndërkombëtare si ajo e Sirisë. Merkel dhe Obama kanë në axhendë, sipas të dhënave të qeverisë, edhe qendrimin ndaj presidentit rus Vladimir Putin si dhe krizën në Ukrainë dhe luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar. Po ashtu temë janë edhe e ardhmja e marrëveshjes së diskutueshme të tregtisë mes BE-së dhe SHBA-së, TTIP, dhe politika për klimën.
Obama e vlerësoi kancelaren Angela Merkel si një shtyllë e rëndësishme në politikën ndërkombëtare. "Ajo ka kredibilitet të madh dhe është e gatshme të luftojë për vlerat e saj", tha Obama në një intervistë për televizionin publik ARD dhe revistën "Spiegel".
"Jam i gëzuar, që ajo është këtu dhe gjermanët duhet ta vlerësojnë atë. Unë sidoqoftë e vlerësoj atë si partnere", shtoi presidenti i SHBA-së. Në mënyrë të ngjasdhme është shprehur Obama edhe para takimeve të mëparshme me kancelaren. Gjatë takimit në prill në Hanover Obama tha për Merkelin, se është i gëzuar, që ajo do të vazhdojë të jetë kancelare edhe kur ai të mos jetë më president: "Bota do të përfitojë prej kësaj, prej pranisë së saj të qendrueshme dhe konseguente." Para pak kohësh Obama deklaroi, se ajo është politikania, me të cilën ai gjatë viteve të kaluara "ndoshta ka bashkëpunuar më ngushtë".
Obama paralajmëron nga përçarja e vendeve të industrializuara
Obama shprehu shqetësim për gjendjen e shoqërive të industralizuara perëndimore. "Nëse ekonomia globale nuk reagon ndaj njerëzve, që ndihen të lënë pasdore, nëse vazhdon të rritet pabarazia, ne do të përjetojmë thellimin e përçarjes në vendet e industrializuara", tha ai në një intervistë.
Në mëngjes Obama u shfaq shkurt para Portës së Brandenburgut. Me një filaxhan kafeje në dorë ai kaloi para Ambasadës së SHBA-së në sheshin Pariser Platz dhe shkoi në hotelin "Adlon". "Përshëndetje, si jeni?", u tha me humor të mirë presidenti i SHBA-së njerëzve aty rrotull dhe i gëzohej pushimit të shiut në kryeqytetin gjerman: "Dielli ka dalë, jo keq!"
Për këtë vizitë vlejnë rregulla të forta sigurie. Kuartieri qeveritar në Berlin është rrethuar tërësisht dhe në taracat e çatitë në sheshin Pariser Platz janë ppozicionuar snajperistë. Sipas policisë janë të mobilizuar rreth 2400 nëpunës./DW