O vipsat e televizionit, iku koha juaj!

Nga Fjorda Llukmani

Sa nga ju që po më lexoni tani shikoni televizor? Përderisa je duke klikuar në artikullin e dritare.net tregon që edhe ti pothuajse ke hequr dorë nga televizori. Unë në shtëpi s’kam televizor edhe të them të drejtën s’më mungon fare.

Mora spunto nga një program “Top Talent” ku një shoqja ime e klasës më ftoi të jepja intervistë për krimin kibernetik. Duke qenë se më kanë vjedhur Instagramin, tregova eksperiencën time dhe si të ruhemi nga hackerat.

Guxim i madh që tenton t’i futet televizionit pikërisht tani. Them tani sepse për mendimin tim televizionit i ka ardhur fundi, sidomos këtyre emisioneve të mbipërsëritura.

Edhe kot bëni sikur se kuptoni, se askush s’ju sheh, maksimumi pensionistë e njerëz që s’e kanë zbuluar akoma internetin. Hiqeni duke bërë programe rinore, ndërkohë gjithë rinia në Youtube. Intervistoni të njëjtit personazhe, gjoja vipsa. I vetmi ndryshim është backgroundi që i vendosni vipsit nga pas. Një herë e merrni në mal, herë tjetër në det, pastaj në studio, pastaj e fusni të gatuajë. Ore zotërinj, kur do ta kuptoni që shikuesit duan të shohin njëri-tjetrin në televizor? S’më duhen fare alla të famshëm që s’kanë asgjë të re për të thënë. Pse ecën programi ‘Ka një mesazh për ty’? Sepse ka histori tipike shqiptare, që na ngjajnë të gjithëve sado pak me veten.

Le që jeni bërë kopje të shëmtuara të dikujt që e ka bërë para jush. Ka dalë dhe një modë tani ‘autore programi’. Publiku i thjeshtë që s’ia ka haberin televizionit duhet të marrin vesh se këto të ashtuquajturit autorë, janë njerëz që dinë të thithin lekë e sponsor, jo të ndërtojnë një program nga hiçi. A ke lekë ti? Që nesër ta hapin derën në televizion. Sigurisht dhe kjo është aftësi më vete, të cilën unë s’e kam për shembull. Por nuk më pëlqen që është kthyer çdo gjë biznes e kanë humbur vlerat prej vërteti. Në fund të fundit televizori ndikon në shoqëri. Nëpër reklama nxjerrin kastile femra gjysmë lakuriq apo provokative vetëm për të thithur shikueshmëri. Thonë pastaj janë çunat perversë, po ja pra çfarë i servirni ju publikut.

Shumica e atyre që shihni në ekran, i trajtojnë të intervistuarit e thjeshtë si objekte shikimi ose thjesht me mbaruar punën, përfshirë edhe mua. Më ka ndodhur shpesh që moderatorja mos ta ketë haberin se pse më ka ftuar apo kush jam, madje as emrin. I fuste një të lexuar robotike skenarit në syrin tim e vazhdonte filmin. Nga televizori dukeni të zgjuara, por kokrrat e torollakeve jeni. Edhe ato dy llafe që lidhni jua bëjnë gati të tjerët. Më vjen keq për ata që akoma besojnë te ju.

Një Zot e di sa kohë më merrte vetëm të futesha brenda personazhit kur punoja tek Abc News me ‘Edicionin Veror’. Pija kafe me të, madje edhe raki me 90-vjeçarë apo këngëtarë polifonie. E bëja sepse doja që i intervistuari të më besonte, e mos të kishte siklet se ka kamera përballë.

 

Kurrë s’u tregoja pyetje para, i bëja pjesë të bisedës lirshëm. ‘Më trajto sikur kemi dalë për të pirë kafe e po bëjmë një dorë muhabet, harroje kamerën.’,- I thosha shpesh të intervistuarve. Por ju të sotmit s’jeni gazetarë jo, jeni interesaxhinj nga ata të këqijtë fare! Ju ka verbuar leku.

Supergjetje ishte Anabel Hostel që më mbërtheu çdo javë pas ekranit të iPhone tim. Ata e kanë kuptuar thelbin, ku gjendet target grupi që u intereson edhe ia bëjnë BAM. Një grup vajzash komplet të ndryshme nga njëra-tjetra që bëjnë aktivitete të përditshmes tonë, thjesht kanë kamera me vete. Më shijoi sepse ngjarja rridhte vetë e çdo gjë ishte reale tamam si reality show. Kur e kapja ndonjëherë live lexoja komentet e ndjekësve ‘Ooo na bezdisët me reklama, pse keni kaq shumë!’ S’ia kanë haberin fare që atë produkt po e shikonin vetëm falë parave që fitohen nga publiciteti, ndryshe ik e shih Games of Thrones falas në faqe pirate që të ngec 100 herë. Por lezetin që të jep telenovela e Loves Likes Tirana me qytetin tënd, e ndodhi që hasim përditë, harroje të ta japin turqizmat.

Ah më pëlqeu dhe një program interesant që pashë në Youtube, Think Big quhej. Promovon të rinj apo persona që kanë dalë të ndërtojnë biznese nga më të ndryshmet. Shumë të lirshëm më dukeshin dhe prezantuesit, ama cilësia e kamerës xixë. Ndërsa televizorin do ta hapja vetëm për të parë Check in në Tv Klan, që më çon atje ku nuk shkoj dot vetë. Ja pra për risi të tilla e kam fjalën që duhen më shumë.

E di për çfarë më vjen keq? Që keni lekë e s’keni ide. Ose edhe më keq akoma, që përsërisni të njëjtat gjëra. S’të jep shikueshmëri perfeksioni apo plastika. Sot të jep më shumë fitime spontaniteti, realja, gjërat e thëna pa doreza. Ama në këtë botë ka vend për të gjithë, për sa kohë mbizotëron paraja e lakuriqësia. Deri atëherë po e mbaj televizorin fikur. Ndërsa për ju që vazhdoni ti besoni broçkullave pas ekranit ju them vetëm diçka: “Asgjë nuk është ashtu siç duket!”/dritare.net

P.s. Nuk po ju fus të gjithëve në një thes, por kujt t’i djegë le ta mbajë😜

LEXO DHE :  1.7 milionë njerëz protestojnë në Hong Kong


PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.