Megjithëse Presidenti i Republikës është brenda afatit të tij ligjor të 7 ditëve për dekretimin e ministrave të rinj, ndihet një lloj nervozizmi brenda maxhorancës. Edi Rama u përpoq ta kalonte me batutën që “Presidenti bisedon me kushtetutën”. Por gjendjen reale shpirtërore të tij, e tregon kërcënimi ndaj presidentit i Ermonela Felaj, e cila nuk flet me mëndjen e vet, për shumë arsye, ku e para është se nuk ka tagër.
Çështja e dekretimit të ministrave të rinj, nuk është as aq e thjeshtë sa e paraqet Ilir Rusmajli në interpretimin e tij kushtetues për mediat, dhe as aq e kollajtë sa e paraqet Felaj, nëse shpallet lufta e hapur me presidencën. Kolaps i cili ndihej në ajër që ditën që ndodhi dekretimi i largimit nga detyra të ministrave, por nuk u firmosën dekretet e emërimit.
Nuk është e thjeshtë, pasi presidenti nuk është noter i bregut të Lanës afër Gjykatës së Tiranës. Sado ta paraqesin si një procedurë të thjeshtë ku ai firmos një letër që i kanë çuar, e vërteta është se Presidenti mund të nxjerrë yçkla. Ku e para që të shkon mendja, janë objeksionet që mund të ketë për personalitetet e ministrave. Në këtë rast natyrisht që duhet edhe një letër shpjeguese. E cila letër nuk është e thënë të ketë argumente bindës. Dhe është e vërtetë gjithashtu që pika e fortë e presidentit tonë nuk janë letrat shpjeguese, kur kujtojmë rastin Zhiti dhe mosdekretimin ambasador të tij, rast i cili do të hyjë ndër mjerimet e institucionit të presidencës. Por gjithsesi ministrat janë në dorë të presidentit pasi kushtetuta nuk parashikon që ata mund të votohen në parlament pa hedhur firmën Nishani.
Edhe gjuha e Felajt ndaj Nishanit kur e kërcënon se do ta shkarkojnë, është presion psikologjik por jo real. Shkarkimi i presidentit bëhet për akte madhore, jo për gjëra që kushtetuta nuk parashikon afate apo sanksione. Gjithashtu, si politikane duhet të dijë, që për të shkarkuar Nishanin, nuk i dalin votat e grupit të saj. I duhen minimalisht edhe ato të Ilir Metës dhe Shpëtim Idrizit. Të cilët më shumë se të shqetësuar, ngjajnë të zbavitur nga kjo shfaqje e Nishanit.
Nëse Bujar Nishani e ka ndarë mendjen t’i fusë shkopinj në rrota maxhorancës, ketë mund ta bëjë pa problem. Është e qartë që nuk mund ta përmbysë, por në rastin më ekstrem, të japë një shpjegim jobindës dhe mund ta zvarrisë dekretimin e Ahmetaj dhe Ekonomit, deri sa Gjykata Kushtetuese të bëjë interpretimin e Kushtetutës. Duke i dhënë mundësi të rrotullojë thikën në plagën që i ka hapur krenarisë së Edi Ramës. /dritare.net