Nuk ke rezervuar për Vitin e Ri? Artigiano, zgjedhja e parë
Dritare.net
“Ku do e kaloni Vitin e Ri?” - na pyeti një shoqe ndërsa pinim çaj. Sa po bëhesha gati të përgjigjesha, kur shoku im tha: - “E ku ka më mirë se në shtëpi!” Por unë që kam ca vjet që festoj në shtëpi, e mendoj ndryshe. Këtë vit dua të dal. Dua që viti i ri të mos më gjejë me pantofla, përparëse gatimi e flokët që mbajnë erë mish i pjekur. A s'do ishte bukur që për një natë ta mendonin të tjerët menunë dhe dekorin, e mundësisht të ma servirnin bukur darkën e ndërrimit të viteve?
Për këtë arsye, këto ditë jam me mision: të gjej restorantin e Vitit të Ri dhe t'i mbush mendjen Mandit, se ndonjëherë ja vlen, të ndërrosh divanin me një karrige restoranti.
E nisëm nga A - Artigiano. Kisha kohë që mungoja tek Vila Artigiano. Janë ca restorante në Tiranë që i konsideroj "shije të sigurta", ndërsa unë kam qenë në kërkim të diçkaje ndryshe. Por kur bëhet fjalë për një darkë të rëndësishme, askush nuk do të eksperimentojë. Shkuam të bënim një test të vogël përpara se të prenotonim.
Artigianon e gjeta siç e kisha lënë; plot me njerëz. Madje tek dera e brendshme kishte radhë. Klientët prisnin të lirohej ndonjë tavolinë. Skenë që zakonisht e has në filma. Bledi, menaxheri, na drejtoi për nga tavolina jonë dhe na shërbeu Sangria, ndërkohë që ne i hidhnim një sy menusë. E pyeta nëse mund të provonim diçka nga menuja e Vitit të Ri, por Bledi tha se ishte e pamundur. Çdo pjatë ishte sekret dhe ekskluzivisht për atë natë. Por unë kam burimet e mia. “Në konfidencë” i mora një kopje të menusë shefit dhe po e ndaj vetëm me lexuesit e Dritare.net. Shumë restorante përpiqen maksimalisht për natën e Vitit të Ri, por tek Artigiano mësova se të njëjtin përkushtim e kishin edhe për datën 1 janar. Në këtë mënyrë u jepet mundësia të festojnë jashtë edhe atyre që e kalojnë datën 31, në shtëpi.
Gjithsesi po ju tregoj edhe për ca gjëra të mira që i hëngrëm kur shkuam për "testim". Duhet të them se Sangrian e mirëseardhjes e lamë mënjanë. Na u duk shumë e ëmbël e s'deshëm t'ia prishnim ushqimit, por na u duk e mirë në fund të darkës, ndërsa prisnim ëmbëlsirën. Darkën e nisëm me sallatën "detox" të cilës të dy i dhamë 9 pikë, vetëm për faktin se jemi kërkues dhe optimistë se shefi në të ardhmen do tejkalojë vetveten. Ishte sallata e duhur për t'u kënaqur që te pjata e parë, e njëkohësisht duke lënë vend edhe për të tjerat. Surpriza në këtë pjatë ishin rrënjët e fasules.
Pjata e dytë, që gjithashtu e vlerësuam maksimalisht, ishte "oktapodi i vendit" i shoqëruar nga patate të vogla belge. Krahas tij u servirën qofte perimesh, të shijshme, por salca që i shoqëronte nuk na la ndonjë mbresë. Chateaubriand me kërpudha champignon, salcë marsala e patate novelle, ishte i shijshëm, i butë, por ca si shumë al sangue, për shijen time. Unë harrova ta cilësoja që e preferoj "medium well done", por edhe kamerieri harroi të pyeste për preferencën. Kjo nuk i heq asgjë faktit që ishte një pjatë e ndërtuar mirë.
Salmoni, të paktën, krahasuar me pjatat e tjera, qëndronte pakëz më poshtë. Kur mbërritëm tek ëmbëlsirat i kërkuam Bledit të na linte pak kohë të merrnim veten. Shija e mirë na bëri të harrojmë se ishte darkë dhe e kishim tepruar me sasinë. Ndërsa i jepnim kohë stomakut t'i bënte vend ëmbëlsirës, vëzhguam se çfarë ndodhte rrotull nesh. Fluks i madh klientësh. Tek dera kishte ende njerëz që prisnin. Me gjithë atë punë, kamerierët ishin të zhdërvjelltë dhe të sjellshëm. E meritonin vërtet notën 10.
Ne provuam dy ëmbëlsira, një çokollatë të mbushur me mousse kafeje në një shtrat biskote të butë si dhe një crostata me arra e mjaltë. Veçanërisht e para më pëlqeu shumë. Është pak e vështirë ta ndash me dikë, përveç rastit nëse njiheni mirë e nuk viheni në siklet, sepse kur thyhet çokollata, kremi përhapet në pjatë. Fantastike! ... dhe ju bëftë mirë!/dritare.net